Basha, a do të publikojë emrat e PS që janë kundër qeverisë

Basha, a do të publikojë emrat e PS që janë kundër qeverisë

49
0
Shares

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha ka deklaruar sot se partia e tij ka identifikuar edhe faktorë politikë brenda PS që janë kundër qeverisë. Ai la të kuptohet se opozita është në komunikim me ta dhe fjala është për zgjedhje të lira dhe kundër drogës por jo se është kompozuar tashmë një aleancë zgjedhore.

“Partia Demokratike, unë si kryetar i opozitës, së bashku me një aleancë vlerash që sa vjen e shtohet, madje edhe me faktorë politik brenda vetë Partisë Socialiste, duhet t’i japim zgjidhje duke larguar kryeproblemin, duke u dhënë shqiptarëve mundësinë për zgjedhje të lira dhe të ndershme, përmes dekriminalizmit, përmes një reforme të vërtetë zgjedhore dhe përmes alternativave që do të nxjerrin vendin nga mjerimi, krimi dhe droga ku e ka zhytur Edi Rama”, tha Basha në komunikim me gazetërt fill pas mbledhjes së grupit parlamentar të PD.

Pyetje: Cilët janë këta faktorë brenda PS që i bashkohen aleancës së opozitës, z.Basha?

Basha: Bashkërisht mund të themi disa emra, por nuk jemi këtu për të thirrur në emra të përveçëm ata faktorë politikë apo edhe parlamentarë brenda PS, apo brenda maxhorancës që sot nuk bëjnë gjë tjetër veçse pohojnë atë që pohon çdo shqiptar i ndershëm, që janë shumica dërrmuese e shqiptarëve, se me Edi Ramën Shqipëria nuk mund të shohë më asnjë ditë të bardhë. Dhe më e rëndësishmja, Shqipërisë i mohohet e drejta për të zgjedhur të nesërmen, i mohohen zgjedhjet e lira dhe të ndershme.

Pyetje: Z.Basha ka një panoramë tjetër nga kjo. Ka disa fakte të tjera, si p.sh që Edi Rama pritet më 28 nëntor nga Angela Merkel për të mbështetur vazhdimësinë e Shqipërisë në integrimin e saj në BE. Është një letër që i ka çuar Avromopulos, Saimir Tahirit ku e përgëzon për luftën që ka bërë policia kundër kanabisit. Pra, nuk mund të jenë pasqyrë vetëm ajo që thoni ju, ka ngjyra të tjera. A e shikoni këto pengesë për të arritur qëllimet tuaja?

Basha: Në një betejë ekzistenciale siç është kjo para së cilës gjendemi sot ne, opozita, ju mediat dhe shumica dërrmuese e qytetarëve, arma e vetme e qeverisë dhe e Edi Ramës, ku në fakt shkëlqen me talentin e tij krejt të padobishëm për realitetin sot dhe për atë që po vjen nesër, është manipulimi i opinionit dhe manipulimi i qëndrimeve të komunitetit ndërkombëtar.

Unë shpreh bindjen e thellë se qëndrimi i konsoliduar kombëtar dhe ndërkombëtar është se Shqipëria nuk mund të ecë përpara pa zgjedhje të lira dhe të ndershme, pa zbatuar deri më një ligjin për dekriminalizimin dhe pa një luftë të vendosur kundër drogës që është sot serumi i vetëm i një të sëmuri që po jep shpirt, që është qeveria e Edi Ramës. Ky është një mesazh që po rezonon dhe do të rezonojë në çdo komunikim serioz ndërkombëtar, institucional dhe politik nesër, pasnesër dhe në javët dhe në muajt në vijim.

Nuk ka si të jetë ndryshe dhe nuk ka për të qenë ndryshe. Por sot nuk jemi këtu për të bërë as parashikuesin, as fallxhorin, por për të shprehur vullnetin tonë, vullnetin tim që këtë axhendë, këtë prioritet absolut të shqiptarëve, që ka qenë kauza kryesore e opozitës prej më shumë se një viti, që prej zgjedhjeve lokale të vitit 2015 që sot e gjejmë të mishëruar me të drejtë si parakusht për ecjen përpara të Shqipërisë në çdo drejtim, përfshi integrimin europian të vendit.

Pyetje: Jeni të gatshëm për bashkëpunim me LSI, z.Basha për çështjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme?

Basha: Shiko, këtu ka një interes të madh nuk arrij ta ndaj sa është gazetaresk dhe sa është tabloid. Se shikoj që ka keqinterpretime të deklaratave të zyrtarëve dhe përfaqësuesve të lartë të PD. Në një betejë ekzistenciale me krimin e veshur me pushtet, për një qëllim madhor kombëtar, siç është garantimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, është i thirrur kushdo qytetar dhe faktor politik, i cili nuk është pjesë e krimit, nuk është pjesë e drogës, nuk është pjesë e vullnetit për të prishur zgjedhjet e shqiptarëve.

Kjo nuk është një betejë për PD, kjo është një betejë për të ardhmen e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Dhe në fakt ky është edhe kufiri që ndan bardh e zi dy lloj forcash politike dhe qytetarët shqiptarë, por shumica dërrmuese janë në anën e bardhë të këtij kufiri. Kush e konsideron veten pjesë të krimit dhe mbështetet tek krimi dhe tek droga në zgjedhjet e ardhshme, për të prishur zgjedhjet e ardhshme do të qëndrojë në atë të kufirit, në anën e zezë dhe do të përballet me shumicën dërrmuese të shqiptarëve, që janë në anën tjetër, me ne, Partinë Demokratike dhe aleancën tonë.

Sa i përket koalicioneve elektorale, ky është një diskutim krejt tjetër i cili nuk mund e nuk do të eklipsojë vendimin tonë për të ndërtuar aleancën më të madhe të mundshme për tu dhënë shqiptarëve zgjedhje të lira dhe të ndershme, zbatim të ligjit të dekriminalizimit dhe adresim të plotë sipas ligjit të problemit të rëndë të krimit dhe sigurisë kombëtare, që është kthimi i Shqipërisë në një hambar droge.

Pyetje: Pra, jeni të hapur?

Basha: E keni të plotë idenë, se ky nuk është kuiz po apo jo?!. Kur vjen puna për një aleancë kundër drogës, krimit dhe për zgjedhje të lira dhe të ndershme, edhe çdo deputet socialist që ka guximin ta thotë publikisht atë që mendon privatisht është i mirëpritur në këtë betejë. Koalicionet elektorale janë një çështje tjetër. Ju faleminderit!

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY