SKANDAL/ Regjistrimet e studentëve pas datës 16 tetor, të paligjshme

SKANDAL/ Regjistrimet e studentëve pas datës 16 tetor, të paligjshme

92
0
Shares

Skandali me regjistrimet e studentëve në universitete vijon. Ministria e Arsimit ka shkelur ligjin e ri të arsimit të lartë, duke i kthyer regjistrimet e studentëve pas datës 16 tetor në të paligjshme. Kjo që ka ndodhur kur MAS-i ndryshoi udhëzimin nr. 13, në datë 12 tetor, duke iu hequr të drejtën universiteteve të shpallin vetë fituesit, dhe ia ka dhënë një institucioni në varësi të tij, RASH (Rrjeti Akademik Shqiptar). Të vetmit fitues që janë të ligjshëm në universitet, pasi shpallja e tyre si fitues është bërë në përputhje me ligjin nr. 80/2015, “Për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor në Institucionet e Arsimit të Lartë në Republikën e Shqipërisë”, janë fituesit e raundit të parë dhe ata të raundit të dytë.
Ndërkohë që, çdo regjistrim pas spostimit të vijës së kuqe është në kundërshtim me ligjin, pasi nuk janë shpallur fitues nga departamentet dhe fakultetet përkatëse, por janë shpallur nga RASH-i.
Kjo gjë konfirmohet edhe nga dekanët e fakulteteve dhe shefat e departamenteve, të cilët janë shprehur se listat, pas datës 16 tetor nuk mbajnë firmën e tyre, pasi u vijnë të gatshme nga MAS-i dhe RASH-i, e ata thjesht i verifikojnë me listat e tyre.
 I pyetur në lidhje me listat e fituesve pas datës 16 tetor, dekani i Shkencave të Natyrës, Spiro Dushku, tha se, “Ne si fakultet kemi shpallur lista e fituesve të fazës së dytë. Ndërsa listat e shpallura pas datës 16 tetor nuk janë administruar nga ne, por janë administruar nga RASH-i. Listat e fituesve pas përfundimit të çdo faze 48-orëshe na kanë ardhur prej tyre dhe ne thjesht i kemi verifikuar me listat tona”.
E njëjta gjë është konfirmuar edhe nga dekani i Ekonomikut, Dhori Kule, i cili ka thënë se, “Të arkivuara ne kemi listat e fituesve të fazës së parë dhe listat e fazës së dytë. Listat e fituesve pas spostimit të vijës nuk janë administruar nga fakultetet”.

Shkelja e ligjit nga MAS
Shkeljet ligjore që ka bërë Ministria e Arsimit janë shumë të rënda, pasi ka shkelur ligjin e arsimit të lartë dhe “ka futur në valle” për të regjistruar studentët një institucion varësie si RASH-i, i cili nuk është pjesë fare e ligjit. Të gjitha regjistrimet që janë bërë në universitetet publike pas datës 16 tetor, janë bërë konform listave të nisura nga ky institucion pranë sekretarive mësimore, dhe nuk mbajnë asnjë firmë drejtuesi departamenti apo drejtues fakulteti, i cili është një detyrim ligjor.
Por kush janë nenet e ligjit të ri të arsimit që janë shkelur?
Bëhet fjalë për tri nene kryesore, të cilat përcaktojnë se si do bëhen pranimet e ciklit të parë të studimeve në universitet dhe kush janë ato institucione që e kanë të drejtën për ta bërë. Përkatësisht janë neni 23, pika 4, neni 25, pika 8, si dhe neni 74. Neni 23/4 përcakton se, “Fakulteti miraton kriteret e pranimit të studentëve për secilin program studimi, bazuar në propozimet e njësive bazë, në përputhje me përcaktimet e këtij ligji dhe të akteve nënligjore”.
Më tej, në nenin 25/8 përcaktohet se, “Departamenti propozon kriteret e pranimit të studentëve për secilin program studimi, në përputhje me përcaktimet e këtij ligji dhe të akteve nënligjore. Departamenti përzgjedh studentët fitues, të cilët miratohen nga drejtuesi i njësisë kryesore, sipas procedurave të përcaktuara në statutin dhe rregulloret e institucionit të arsimit të lartë”.
Dhe pikërisht kjo pikë është zbatuar vetëm me shpalljen e fituesve të fazës së parë dhe të dytë, të cilët janë regjistruar brenda datës 16 tetor 2016, pasi janë lista të miratuara sipas ligjit.
Po ashtu, një tjetër shkelje e ligjit të arsimit të lartë nga MAS-i është edhe neni 74, pika 3, ku përcaktohet se, “Në fillim të vitit akademik, institucionet e arsimit të lartë dërgojnë në Qendrën e Shërbimeve Arsimore listën e studentëve të regjistruar”.
Aktualisht rolin e QSHA e luan AKP-ja. Por çfarë listash të nisin universitetet, kur atyre pas datës 16 tetor listat e studentëve të regjistruar me spostimin e vijës së kuqe u kanë ardhur të gatshme?!
Dikush duhet të përballet me drejtësinë për këto shkelje të rënda ligjore, të cilat kanë rënduar në radhë të parë mbi familjet shqiptare dhe ëndrrat e të rinjve, të cilët, ose nuk kanë fituar fare, ose spostimi i vijës i ka shpallur fitues jo në degët që preferonin.
“Fituesit nuk do të zgjidhen më nga sistemi dhe nga ministria, por janë universitetet që vendosin kriteret dhe studentët zgjedhin ku do regjistrohen”, kjo është një deklaratë e bërë shpeshherë nga ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, por është artikuluar edhe nga kryeministri Edi Rama pak ditë më parë, në takimin me pedagogët për çështjen e rritjes së pagave. Por e vërteta po ndodh ndryshe: fituesit po shpallen nga sistemi i RASH dhe, mbi të gjitha, në kundërvajtje me ligjin. Dhe më e keqja akoma është se ende drejtuesit e Ministrisë së Arsimit nuk e kanë kuptuar që e kanë shkelur ligjin me të dyja këmbët. Fatkeqësisht, as universitet nuk po ua nxjerrin në dukje këto shkelje, pasi rektorët ende nuk e kanë kuptuar thelbin e ligjit të ri të arsimit të lartë, ku kompetenca për të shpallur dhe për të regjistruar fituesit është e drejtë e tyre ligjore dhe jo e ministrisë. Ndërsa dita e sotme do jetë decizive, pasi shënon data 27 tetor dhe mbyllen regjistrimet.
Ndërkohë që, ende nëpër universitete janë mijëra kuota të paplotësuara. /GazetaShqiptare/

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY