HISTORI NATE/ Nusja e shokut tim kishte shije mjalti …

HISTORI NATE/ Nusja e shokut tim kishte shije mjalti …

98
0
Shares

Unë që po ju shkruaj jam një burrë, ta them troç, në pikë të hallit. Ndoshta do të surprizoheni që po jua them kaq hapur dhe në fillim, por nuk e di si mund të shprehem ndryshe. Jam 50 vjeç dhe sigurisht që jam i martuar, se po të mos isha, do të përjetoja çdo gjë që do të më sillte jeta. Në fakt, nuk jam martuar fort i ri, por për çudi, nuk kam patur aq raste sa kam patur kur u martova. Që të mos ju lodh shumë me gjithë këto mendime që kam në kokë, po ju tregoj historinë që më ndodhi këtë verë e më ka trullosur kështu.

Unë punoj në shtet dhe gruaja ime gjithashtu. Kemi një fëmijë, një vajzë, e cila tani është 15 vjeçe. Në punë kam shoqëri të mirë dhe ndjehemi mirë me njëri-tjetrin, kolegët. Për këtë, vendosëm tre shokët që jemi si më të ngushtë, të shkonim me pushime së bashku. Edhe gratë, pak a shumë, njihen nga disa mbrëmje që kemi organizuar si institucion. Jo se kanë ndonjë afërsi kushedi se çfarë, por nuk janë komplet të panjohura për njëra-tjetrën. Në fillim, kur i thashë gruas për këtë gjë, ajo më pa e habitur.

– Keni luajtur mendsh?! Njëherë në vit kemi pushime e ato t’i kalojmë me njerëz që nuk i njohim?! Ç’janë këto kalamallëqe që bëni?

– Po ne të tre jemi shumë shokë dhe ju të treja jeni njohur me njëra-tjetrën.

– Po, po, të njohur! Ne s’po njohim komshinjtë e jo më ato që a i kam takuar a s’i kam takuar gjithsej nja 10 herë. Nejse, bëni ç’të doni, unë nuk ta prish ty asnjëherë.

– E dija se ti do të ishe e para që do të thoje “po”! – i thashë i gëzuar që e zgjidha këtë problem. Tani do prisja vetëm përgjigjet e shokëve. Njëra nga gratë kishte thënë menjëherë “po”, ndërsa tjetra ende nuk kishte dhënë një përgjigje. Ajo quhet Eva e dukej si mendjemadhe dhe kur takoheshim të gjashtë, ajo rrinte si indiferente, ndoshta ngaqë ishte më e re se gratë tona. Nejse, shoku ia mbushi mendjen dhe kështu e lamë të shkonim me makinat tona nëpër veri të Shqipërisë e më pas të kalonim kufirin e të shkonim nga Italia deri në Francë. Të treja çiftet ishim në gjendje të mirë ekonomike, kështu që kjo gjë nuk do të ishte problem.

Dhe erdhi dita për t’u nisur në këtë udhëtim që për mua do të ishtë një kënaqësi dyfishe, por me pasoja. Rruga ishte e gjatë dhe të tre kishim marrë makinat tona e ndaleshim në disa pika për t’u çlodhur e për të shijuar peizazhe të mrekullueshme. Kjo ishte një nisje shumë e bukur dhe që premtonte shumë.

Natën e parë ndaluam në një hotel e pasi u çlodhëm nëpër dhoma shumë të bukura e me kushte fantastike, u ulëm poshtë të hanim darkë. Ishim tre çifte gati të së njëjtës moshë, vetëm se, siç ju thashë, njëri e kishte gruan më të re se tonat. Hëngrëm darkë, pimë nga pak verë e çdo gjë shkoi për bukuri. Gruaja ime dhe e shokut tim që ishim moshatare u ngjitën shpejt në dhomë se ishin të lodhura e po i merrte gjumi, ndërsa Eva tha se ndihej për mrekulli e nuk kishte ndërmend të flinte kaq herët.

Më bëri shumë përshtypje ky qëndrim i saj, por mendova se mosha bën punën e saj. Ajo qëndroi deri në fund, kur ne shkuam të flinim. Edhe pse kishte pirë sa ne, ende nuk dukej e dehur, madje i kishte rënë një nur i bukur që më bëri të mos guxoja t’ia hidhja sytë se kisha frikë se mos gaboja nga dehja. Kur shkova në dhomë, gruaja ime ishte në gjumë të thellë. Ashtu e shëndoshë si është ajo, me gërhimat e saj, bëri të mos më merrte gjumi. U ngrita dhe dola nga dhoma. Ishte ora nja 3 e natës dhe bari poshte ishte ende hapur. Kisha pirë shumë, por nuk do të më bënte gjë dhe një gotë tjetër. U ula të pija te banaku ku si për çudi në anën tjetër të banakut pashë Evën. Edhe ajo po pinte. Sa më pa, u afrua dhe më tha:

– Edhe ty nuk të zë gjumi?

– Jo, – i thashë me gjysmë zëri. – kam pirë shumë dhe e kam të vështirë të fle kur jam kaq i pirë.

– Po nuk gjete ngushëllim në krevat? – tha ajo dhe e di se ishte e pirë e këto fjalë i dolën nga pija.

– Haha, nuk jemi të rinj si ti që të gjejmë ngushëllimin në krevat. Tani jemi si vëlla e motër. – Edhe unë, i dehur, po flisja çfarë më vinte nga goja. Të dy po flisnim me karta hapur.

– Nuk e kuptoj këtë fjalë kur thonë se janë si motër e vëlla. Si mund të jetosh kështu?

Atëherë m’u kujtua mua.

– Mirë ne që jemi të vjetër, po ti pse nuk gjete ngushëllim në krevat? Tani duhej të ishe krah burrit tënd.

– Tani na shkrive. Atë e merr gjumi në këmbë e jo më në krevat. Nuk e vure re që kur ishte këtu po flinte në tavolinë?! Nuk është për qejf ai! Ja, të ishe ti burri im, tani do ishim në rregull. Haha sa shkojmë ne të dy!

– Ne të dy?! – bëra si i habitur, por në fakt kjo më kishte shkuar në mendje edhe mua qysh kur e kisha parë për herë të parë e më ishte shtuar më shumë kur e pashë se sa qejf e kishte pijen dhe sa e zgjuar ishte në muhabet, por duhej të bëja sikur nuk po e kuptoja.

– Po ja, tani ne jemi të dy në këmbë pas gjithë atij alkooli që kemi në trup.

– E vërtetë është! Në fakt, edhe unë u habita se si një grua mund të pijë kaq shumë e të jetë prapë në këmbë.

– Dhe e gatshme për gjithçka, harrove?!

– Me të vërtetë? – fillova dhe unë të shprehesha hapur. – Gjithçka, gjithçka?

– Pa dyshim! Çfarë, do të më vësh në provë?

– Sigurisht!

Me këtë lloj muhabeti ne përfunduam në një puthje të zjarrtë dhe ky ishte një hap drejt një dy- orëshi të zjarrtë mes nesh. Nuk e di si nuk u zgjua njeri e të na zinte mat në dhomën e atij hoteli. Ndoshta ishte fati i mirë apo i keq, pak rëndësi ka, por unë u ndjeva sikur isha 20 vjeç. Pataj u kthyem nëpër dhoma dhe gruaja ime ishte ende në gjumë. Ishte gati mëngjes dhe unë u shtriva të flija sikur kisha një javë pa gjumë. Megjithëse sapo kisha bërë një mëkat, gjumi më mori top. Në mëngjes më ngriti gruaja:

– Zgjohu, gjumash! Për gjumë kemi ardhur këtu? – po bënte shaka ajo, pa e ditur se çfarë kishte ndodhur gjatë natës, kur ajo po flinte e qetë.

Mezi u ngrita dhe zbritëm në holl. U bashkuam të gjithë. Edhe Eva ishte ngritur dhe dukej sikur ishte në rregull. Vetëm unë e dija sa pak kishte fjetur dhe sa shumë kishte pirë, por ajo dukej si kukull, a thua se kishte fjetur 12 orë ajo e jo gruaja ime. Ndoshta po bëj gabim që po flas kështu për gruan time, por kështu ishte e vërteta. Ajo mbante të njëjtin qëndrim si më parë, sikur nuk kishte ndodhur asgjë. Aq bukur sillej, sa gati-gati mendoja se kisha parë ëndërr e jo se kishte ndodhur në të vërtetë, por ajo, kur po bëheshim gati të niseshim për të vizituar disa vende turistike, më dha një shenjë për të kuptuar se nata e mëparshme nuk kishte qenë ëndërr.

– Po sonte, si do të takohemi? Mendo ndonjë gjë gjatë ditës dhe më thuaj. Mezi po pres takimin tjetër. – gjeti ajo rastin të më thoshte kur ishte pranë meje.

Nuk fola se nuk dija ç’të thosha, megjithatë gjithë trupi m’u pushtua nga ajo ndjenjë e fuqishme që kisha kaluar një natë më parë. E përgatita planin dhe u takuam në një vend pasi të gjithë kishin fjetur. Nuk e di ç’t’ju them për momentet që kaloja me të. Nuk më binte ndërmend se isha i martuar apo se ajo ishte gruaja e shokut. Përjetoja çdo çast dhe më dukej sikur koha me të ishte e çmuar si floriri. Çdo sekondë më dukej e magjishme. E kështu, kaluan pushimet e mia, i magjepsur nga vendet që vizitoja dhe nga netët e kaluara me këtë mrekulli të quajtur Eva.

Fati më ndihmoi që të mos e zbulonte askush. E di se është një gabim i madh ai që po i bëja gruas e shokut, por nuk mund të rezistoja e t’i thoja “jo” asaj femre.

Nejse, u kthyem në Shqipëri, ku nuk e dija se si do të shkonte kjo punë. Ngushëlloja veten se edhe po të mbaronte me kaq, kisha mjaft për moshën time. Por jo. Një ditë ajo më mori në telefon dhe më tha:

– Si mendon? Ke qejf ta vazhdojmë atë që nisëm apo do ta mbyllim me kaq?

– Si mendon se nuk dua?! Ti ke sjellë pranverën në jetën time. Mezi e prisja telefonatën tënde!

– Epo, takohemi atëherë në orën 3 që të mos biem në sy!

– Mirë thua, që të shkojmë në shtëpi në orar.

Po prisja me padurim orën tre dhe në orën dy e gjysëm i thashë shokut:

– Më duhet të marr leje që të shkoj e të marr nja dy certifikata që më duhen për vajzën. Ia kanë kërkuar në shkollë. Do më mbulosh nëse më kërkojnë?

– E ç’është ajo fjalë more burrë? Ik e mbaro punë!

Edhe pse ai nuk dinte asgjë, m’u duk vetja shumë i ulët. Po shkoja tek e shoqja e ai më konsideronte si vëlla e jo si shok, por magneti Eva më tërhiqte deri në marrëzi.

E çfarë t’ju them më tepër? Kjo telenovelë vazhdon, se tamam si një telenovelë është e nuk di si të bëj. Nuk mund t’i them jo asaj femre dhe kënaqësisë që ndjej kur jam me të, ndërsa nga ana tjetër po zhytem në “llum”, në një faj që nuk e di ku do të më nxjerrë. Kjo ishte historia ime. Tani, ju mund ta gjykoni si të doni!

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY