Bashkia e Tiranës, në janar të vitit që vjen do të hapë procedurën për përfitimin e kredive të buta për strehim, procedurë e cila ka mbi dy vite që është bllokuar për shkak se qeveria nuk ka fonde për ta përballur.
Bashkia do të vendosë një milion dollar për dhënien e 2 mijë kredive të buta, çka do të bëjë të mundur që bankat të gjenerojnë mbi 60 milionë dollarë në tregun imobilar, kurse 2 mijë familje të reja do të marrin apartamentin e tyre në Tiranë, ndonëse qeveria qendrore e ka pezulluar programin e kredive të buta për shkak të abuzimeve që kanë ndodhur në të kaluarën, ku deputetë dhe drejtorë të rëndësishëm merrnin kredi të buta. Lajmin e mirë e ka pohuar, kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili ka thënë gjithashtu se institucioni që ai drejton do ta fillojë e pavarur nga qeveria qendrore projektin e kredive të buta. Në formularin voluminoz që plotësohet në zyrat e bashkisë, aplikantët duhet të plotësojnë, sipas pyetësorit gjeneralitetet dhe të dhënat për statusin, gjendjen e strehimit, të ardhurat etj. ndërkohë që në fund të tij, duhet të nënshkruajnë edhe deklaratën e vërtetësisë, ku të pohojnë që janë përgjegjës për dëshmi të saktë, përndryshe s’kualifikohen.
Dokumentacioni
Përpos deklaratës, është hartuar edhe udhëzimi i plotë për aplikimet, I cili përmban të gjithë rregulloren për aplikimet, që nga dokumentacioni që duhet të dorëzohet, kriteret për aplikantët, niveli i të ardhurave, formularin për të bërë kërkesën etj. Ajo që vihet re në këtë proces, është edhe sistemi i pikëzimit që vjen si risi, sikurse dhe kërkesa për një numër më të madh dokumentesh nga sa janë kërkuar vitet e kaluara. Sipas udhëzimit, familjet që do të aplikojnë për kredi të lehtësuar duhet të dorëzojnë si më poshtë këtë dosje dokumentesh.
-Certifikata e lindjes së aplikantit dhe certifikata e gjendjes familjare.
-Vërtetimi për vendbanimin në bashki ose lejen e banimit, për familjet që kanë lëvizur nga zona të tjera të vendit.
-Vërtetimi i të ardhurave neto dhe bruto, (vërtetim punësimi), shoqëruar me vërtetimin nga Drejtoria Rajonale Tatimore për derdhjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.
– Dokumentin nga organet tatimore dhe ato të sigurimeve shoqërore për derdhjen e kontributeve, për të gjithë anëtarët e vetëpunësuar të familjes.
– Vërtetimi nga zyra e ndihmës dhe përkujdesjes pranë njësive të qeverisjes vendore për anëtarë, të përshirë në programin e ndihmës ekonomike dhe të pagesës për personat me aftësi të kufizuar.
– Vërtetimi nga zyra e punës e njësisë vendore përkatëse për personat e përfshirë në programin e pagesës së papunësisë.
-Vërtetimi nga organet e sigurimeve shoqërore për personat në pension.
-Vërtetimi nga ZRPP se familja apo ndonjë anëtar i saj nuk disponojnë në pronësi banesë a ndonjë mjedis, që mund të përdoret si e tillë.
– Vërtetimi nga ZRPP për sipërfaqen e pronës, që zotëron familja apo ndonjë anëtar i saj, kur banesa është me sipërfaqe nën normat nën fuqi të strehimit.
– Vërtetimi nga ZRPP të origjinës se nuk figuron e regjistruar asnjë pronë, e cila mund të përdoret edhe për strehim, për familjet që kanë ndryshuar vendbanim për efekt punësimi, për të gjithë anëtarët e familjes.
– Dokumenti zyrtar i celebrimit dhe certifikatat personale, për efekt të llogaritjes së moshës, për çiftet e reja.
– Vendimi i Gjykatës, që i lë në ngarkim fëmijën ose fëmijët për çiftet e divorcuara, shoqëruar me vërtetimin nga zyra e përmbarimit për masën e pensionit që përfitojnë për fëmijët.
– Vërtetimi përkatës nga institucioni ku ka qenë i strehuar dhe librezën e jetimit, dhënë nga institucioni shtetëror i autorizuar, për individët me statusin e jetimit
– Vërtetim nga Komisioni Mjekësor për përcaktimin e Aftësisë së Kufizuar, për individë me aftësi të kufizuar
– Nëse jetoni në një banesë me kushte jo të mira ose që rrezikon shembjen, kopja origjinale e vërtetimit e lëshuar nga Shërbimet teknike të bashkisë.
– Dokumenti i lëshuar nga institucionet përkatëse shtetërore për personat që kanë statusin “emigrant”, “punëtor emigrant” dhe azilkërkues.
– Dokumenti i lëshuar nga institucionet përkatëse shtetërore për familjet e punonjësve të rënë në detyrë, që u përkasin Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës etj.
– Dokumenti i lëshuar nga institucionet përkatëse për viktimat e dhunës në familje.
– Urdhri i Mbrojtjes i lëshuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor, seksioni familjar (fotokopje e njehsuar me origjinalin)
– Vërtetim i marrë nga Qendra Kombëtare e Shërbimit të Përkujdesit Shoqëror për viktimat e dhunës në familje, e ngritur nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë
– Vërtetim nga strukturat e shërbimit social, qendrave sociale dhe rehabilitimit për viktimat e dhunës pranë njësive të qeverisjes vendore.
Sistemi i pikëzimit
Në sistemin e pikëve që ka miratuar bashkia në udhëzimin për ndarjen e kredive, sipas statusit familjar dhe kushteve aktuale të banimit, më tepër mundësi për të përfituar paratë do të kenë familjet që banojnë në shtëpi me ish-pronarë, ndërsa jo pak shanse u jepet edhe çifteve të reja me moshë totale nën 55 vjeç. Por, në kategorizimin që është bërë nga komisioni përgjegjës, me fat do të jenë ata individë apo familje që përfshihen në më tepër se një nga grupimet e mëposhtme, pasi do të llogariten pikët e mbledhura.
– Familje që banojnë në shtëpi me ish-pronarë 20 pikë
– Familje që kanë humbur shtëpitë në firmat piramidale 15 pikë
– Familje që bëhen të pastrehë (shembje banese informale, lirim objektesh me funksione publike), për shkak të zbatimit të projekteve publike e ndërtimit të veprave me interes publik. 15 pikë
– Çiftet e reja në moshë mesatare totale deri në 55 vjeç. 15 pikë
– Individë me statusin e jetimit që nga çasti i daljes nga jetimoret ose nga qendrat e përkujdesit e deri në moshën 30 vjeç. 10 pikë
– Familjet me shumë fëmijë (me më shumë se dy fëmijë). 10 pikë
– Indivdët, të cilët gëzojnë statusin e të verbrit të grupit të parë; invalidit paraplegjik dhe tetraplegjik; të invalidit të punës; të invalidit të LANÇ-it dhe statusin e veteranëve të luftës. 5 pikë
Të ardhurat mujore, ja kufiri që iu bën përfitues
Qytetarët që përfitoj në kreditim të lehtësuar, sipas strukturës së familjes, përcaktohen nga zyrat përkatëse në bashki dhe miratohen nga këshilli bashkiak. Për përcaktimin e kufijve minimalë dhe maksimalë, zyrat përkatëse në bashki bazohen në vlerën e banesës së ndërtuar ose të blerë në treg si dhe në aftësinë paguese të familjes. Nivel i pranueshëm merret pagesa e kësteve mujore të kredisë, e cila nuk duhet t’i kalojë 35 për qind të të ardhurave të familjes. Të ardhurat e familjes, pas pagesës së kësteve të kredisë, nuk duhet të bien më poshtë se niveli I plotë i ndihmës ekonomike të miratuar nga Këshilli i Ministrave. Kufiri minimal i të ardhurave të këtyre familjeve është sa trefishi i kësteve mujore të kredisë së subvencionuar dhe kufiri maksimal i të ardhurave mujore të familjes është sa trefishi i pagesës mujore të kredisë së pasubvencionuar nga shteti. Masa e subvencionit të interesave të kredisë për familjet, sipas ligjit nr. 9232, duhet të jetë e barabartë me diferencën midis interesit vjetor të kredisë (sipas marrëveshjes). Për verifikimin e të dhënave, si më sipër, familjet paraqesin dokumentet e përcaktuara në vendimin përkatës. Zyrat përkatëse, në bashki, kryejnë verifikimet sipas legjislacionit në fuqi për dokumentacionin e paraqitur si më sipër dhe marrin konfirmim nga Zyra Qendrore dhe Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme për pasuri, të regjistruara në emër të gjithë anëtarëve të familjes.
Masa e subvencionit të interesave të kredisë, për familjet që kanë të ardhura më të ulëta se trefishi i masës së interesit mujor, duhet të jetë e barabartë me interesin vjetor të kredisë në tregun e lirë, sipas marrëveshjes. Këto familje paguajnë vetëm principalin e kredisë me interes 0 për qind. Është shumë e rëndësishme që aplikanti të plotësojë kërkesën sipas rregullores, pasi ajo mund të refuzohet. “Kërkesa e paraqitur nga nuk pranohet, në rastet kur, kërkesa është paraqitur nga një person jo i autorizuar. Ajo refuzohet gjithashtu, edhe kur personi apo familja nuk plotëson të dhënat dhe kërkesa nuk është shoqëruar me dokumentacionin e kërkuar. Dy motivet e tjera kur refuzohet kërkesa lidhen me mosplotësimin e mangësive, sipas të dhënave të kërkuara dhe kur enti menaxhues ka hequr dorë nga kërkesa për regjistrim. Njësia vendore ka për detyrë të pranojë kërkesën me dokumentacionin shoqërues, të shqyrtojë dhe verifikojë atë, si dhe të njoftojë kryetarin e njësisë për rastet kur i përmbush a jo kriteret për regjistrimin e tij”, thuhet në rregullore./Shekulli/
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/