Ekonomia e kanabisit mund të marë një dorë ndihmë nga qeveria pasi të dekriminalizohet konsumi i hashashit në legjislacionin shqiptar. Qeveria ka në dorë një projekt sipas të cilit konsumtorët fundorë janë të lirë të përdorin hashash ndërkohë që në propozim janë përfshirë masa më të ashpra për kultivuesit dhe transportuesit e bimës narkotike.
Propozimin e ministrit Tahiri për ndryshime në Kodin Penal në ashpërsimin dhe përshkallëzimin e dënimeve për mbajtje, shpërndarje apo kultivim kanabisi mund të sabotohet nga një tjetrë propozim që redukton efektet e masave të ashpra që është përdorimi i hashashit.
Rritja e ekonomisë së hashashit ka vënë në alarm edhe specialistët e ekonomisë dhe financave.
Ekspertët më të njohur të eknomisë bien dakord njëzëri se masivizimi i kultivimit të hashashit nuk do t’i sjellë të mira ekonomisë, përkundrazi, do të rezultojë një investim varfërues dhe me shumë viktima. Ata bëjnë thirrje që kjo dukuri të marrë fund sa më shpejt, përndryshe pasojat afatgjatë do të jenë të mëdha. Nuk ngurrojnë as të heqin një paralele mes asaj që po ndodh tani dhe piramidave të ‘97-s.
“Në këndvështrimin afatgjatë, problemet bëhen më të rënda” thotë prof. Arben Malaj, ish ministër i financave. “Është hera e dytë pas 1997-s që shqiptarët investojnë masivisht në biznese kriminale, të cilat prodhojnë të ardhura të përkohshme, por me kosto të rënda sociale afatmesme dhe afatgjata. Pas pak viteve, kur të kthejmë kokën pas, investimi i parave dhe fuqisë punëtore në këtë aktivitet do të rezultojë një investim varfërues dhe me shumë viktima”, thotë Malaj në një intervistë për monitor.al.
Prof. Dr Ardian Civici thotë se nuk mund të mendohet se e ardhmja e hapësirave rurale shqiptare do të jetë hashashi, sado “eficient” të jetë ai në këto momente. Ndërsa për prof.Selami Xhepën, kjo që po ndodh nuk duhet parë ngushtësisht në planin ekonomik, pasi implikimet e këtij fenomeni janë të njëjta me pasojat e ekonomisë kriminale; ato rrezikojnë të sotmen dhe të ardhmen e vendit. “Nuk ka ndonjë rast në histori që grupe sociale, siç janë fermerët, të jenë pasuruar duke kultivuar lëndë të tilla; janë pasuruar individë, grupe dhe organizata kriminale të cilat kanë kërcënuar demokracinë, shtetin ligjor dhe kanë mbajtur kombet në varfëri”, thotë Xhepa.
Në të njëjtën linjë është dhe Zef Preçi, drejtor i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike, prof dr. Rexhep Uka, si dhe drejtori i GIZ, Ismail Beka.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/