Një muaj pasi Aida Çajka dhe foshnja e saj ndërruan jetë në maternitetin “Koço Gliozheni” në Tiranë, familjarët e së ndjerës u rikthyen sërish në dyert e policisë.
Vëllai i 35-vjeçares, si dhe kunati i saj u paraqitën dje në mesditë në komisariatin numër 1 për të dëshmuar sërish në lidhje me ngjarjen. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, Fation Omuri, vëllai i Aditës tha se përgjegjës për vdekjen e Aidës dhe foshnjës janë mjekët e tri spitaleve, ku ajo u sorollat për gjashtë orë derisa humbi jetën. Fationi hedh akuza të rënda edhe mbi qendrën e koordinimit, ndërsa thekson se ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj duhet të japë dorëheqjen.
Pse u paraqitët sot (dje) në ambientet e komisariatit numër 1 në Tiranë?
Sot (dje) u paraqitëm në polici sepse na morën në telefon për të bërë një deponim, për të konfirmuar ose për të ndryshuar kallëzimin penal, që ne kemi bërë paraprakisht një muaj më parë. Na morën në pyetje nëse kishim diçka për të shtuar, apo nëse kishim diçka për të hequr nga ajo që ne kemi thënë më parë. Realisht, unë konfirmoma çdo gjë që kam thënë që në fillim.
Konkretisht çfarë shtuat përsa u përket akuzave tuaja?
Hetimit duhet t’i largohet asaj që më parë perceptohej se mbase “Koço Gliozheni” ishte më fajtor se të tjerët, tani jam gati i sigurt që nuk është vetëm “Koço Gliozheni”, por janë edhe dy spitalet e tjera që kanë pasur një neglizhencë dhe një mosveprim në bazë të asaj që duhet të bëhej.
Doni të thoni që pjesë e hetimeve duhet të jetë edhe Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” dhe Sanatoriumi?
Sigurisht që po. Pjesë e hetimit duhet të jenë edhe këto dy spitale. Gjithashtu, për mua edhe qendra e koordinimeve është fajtore në vetvete, sepse në kallëzimin që unë bëra, përmenda edhe një rast ku thashë se në momentin që ne jemi larguar nga Sanatoriumi, i kam thënë personalisht doktoreshës merr në telefon ‘Koço Gliozhenin’ që ne po vijmë me një paciente që ka simptoma të tilla, që mund të ketë një hemorragji të brendshme, një diagnozë të dyshuar dhe të jenë të përgatitur. Qoftë salla e ndërhyrjes kirurgjikale, qoftë të gjitha mjetet, si barela, oksigjeni e të gjitha me radhë. Doktoresha më tha se nuk do të ishte e nevojshme, sepse ata do të ishin të gatshëm.
Ndërkohë, kur shkuam ne atje, jo vetëm që nuk ishin të gatshëm, por mungonin të gjitha këto. Mjekët më thanë se disa nga kolegët specialistë nuk ndodheshin aty sepse ishin në Itali, pasi po bënin një kongres atje dhe asgjë nuk ishte e gatshme. Ne pritëm deri në 45 minuta për t’u futur brenda, ndërkohë që, nëse drejtoresha e Sanatoriumit do të kishte bërë telefonatën që unë i kërkova dhe në qoftë se qendra e koordinimit do të kishte funksionuar siç duhet, do ta kishim gjetur çdo gjë të gatshme dhe do të kishim kursyer të gjithë kohën që harxhuam atje, që nga telefonatat që bënte doktori, te specialistët që ne po prisnim, oksigjeni që nuk zbriste nga kati i katërt, barela që nuk ishte e gatshme, e tek të gjitha me radhë. Pasi çdo kohë, çdo minutë që ne humbëm atje, për ne ishte shumë e vlefshme.
Pak ditë më parë drejtoresha e maternitetit dha dorëheqjen. A jeni ju të mjaftuar vetëm nga kjo dorëheqje? Prisni diçka më shumë?
Absolutisht jo. Nuk mjaftohem me këtë, sepse në qoftë se do të mjaftohesha me këtë, do të thosha që është fajtor vetëm “Koço Gliozheni”, sepse për mua nuk është vetëm ai. Fajtorë janë që nga hallkat më të larta të sistemit të shëndetësisë në Shqipëri. Sepse, nëse sot kjo na jep dorëheqjen, do të thotë që paska një problem që nuk shkoka. Meqë ministri vetë e paska shkarkuar, do të thotë që sistemi nuk na paska funksionuar. Ndërkohë që dy ditë pas ngjarjes, ministri tha se sistemi funksiononte në mënyrë të mrekullueshme. Në qoftë se në sistemin e shëndetësisë diçka nuk funksionon, përgjegjësit e parë nuk janë mjekët, nuk është roja e spitalit, por është ministri vetë.
Çfarë doni të thoni me këtë?
Nëse ka diçka që nuk shkon në shëndetësi, ministri i Shëndetësisë duhet të japë dorëheqjen.
Do vijoni ta ndiqni në rrugë ligjore deri në fund humbjen e motrës suaj?
Absolutisht po dhe jam i bindur që deri në fund duhet të zbardhet e vërteta. Dua që ajo që i ndodhi motrës sime dhe fëmijës së saj të mos përsëritet më tek asnjë person.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/