Raporti i PAMECA-s dhe disa dyshime të rënda

Raporti i PAMECA-s dhe disa dyshime të rënda

50
0
Shares

Nga Albert Dauti

Ditët e fundit, PAMECA ka bërë një raport vlerësues mbi punën e Prokurorisë shqiptare. Raporti në fjalë tërhoqi vëmendjen e opinionit publik posaçërisht me kritikat e ashpra ndaj Prokurorisë mbi tri a katër çështje me ndjeshmëri të veçantë: arrestimi i Emiliano Shullazit, hetimi ndaj Elvis Roshit dhe arratisja e Arben Frrokut. Këto çështje prekin në thelb shqetësimet më dramatike që ka sot shoqëria shqiptare lidhur me veprimtarinë e gjerë dhe në rritje të krimit të organizuar, si edhe dekriminalizimin e politikës. Përmbajtja e këtyre kritikave është përcjellë në media, por meriton megjithatë të kujtohet përmbledhtazi në këtë rast.

Lidhur me Emiliano Shullazin thuhej se “…hetimet nuk janë kryer në mënyrë të thelluar… Faktet përshkruhen në mënyrë të vagullt e të përgjithshme, pa ndonjë referencë kohore dhe vendi të sjelljes së supozuar kriminale dhe pa ndonjë referencë për burimin e provave të mbledhura.” Mungon në tekst vetëm shprehja se Emiliano Shullazi është arrestuar me pa të drejtë. Elvis Roshi, kryetari i Bashkisë së Kavajës, dyshohet, siç dihet tashmë, “për falsifikim të dokumenteve”. Ai është akuzuar në kuadër të zbatimit të ligjit për dekriminalizimin e politikës. Në formularin e paraqitur në zbatim të këtij ligji, Elvis Roshi kishte fshehur pesë emra të rremë, të përdorur prej tij më herët, gjatë kuturisjeve nëpër Europë, si dhe “nuk mbante mend”, i shkreti, që ishte arrestuar, madje edhe dënuar nga dretjësia në Itali, në Zvicër e në ndonjë vend tjetër. Lidhur me këtë çështje, PAMECA vlerëson se ka qenë e pamotivuar ligjërisht kërkesa e Prokurorisë për arrestimin e të dyshurarit dhe masa e marrë nga gjykata për ta mbajtur në arrest shtëpiak “nuk është proporcionale”. Përsa i përket Arben Frrokut, deputet i Rilindjes ky, i akuzuar për vrasjen e një komisari policie, PAMECA vlerëson se Prokuroria ka përgjegjësi për arratisjen e tij jashtë shtetit.

Ndikimi i këtyre kritikave u duk menjëherë. Vetëm dy ditë më vonë, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë e nxorri Elvis Roshin nga arresti shtëpiak, duke i dhënë mundësi të kthehet në zyrë për të ushtruar lirisht pushtetin si kryebashkiak i Kavajës pavarësisht kundërshtimit të Prokurorisë, sipas së cilës, lirimi i të dyshuarit mund të ndikonte në dëmtimin e provave. Avokati i tij u shpreh fort i kënaqur, sepse “ka një reflektim në tërësi nga organi i procedurës në lidhje me çështjen në tërësi ndaj zotit Rroshi”. Me fjalë të tjera, avokati paralajmëroi shpalljen së shpejti i pafajshëm të Elvis Roshit. Në një logjikë të tillë, nuk do të jetë fare çudi që edhe Emiliano Shullazi të lirohet, e madje shpallet i pafajshëm. Faleminderit PAMECA!

PAMECA (Police Assistant Mission of European Commission to Albania), siç duket edhe nga emërtimi, është një mision i Komisionit Europian ngritur me qëllimin e lavdërueshëm për të ndihmuar policinë tonë të shtetit në ngritjen e saj profesionale, në mënyrë që edhe policia të plotësojë standardet e nevojshme për shtetin ligjor, pa të cilin nuk ka integrim të vendit në BE. Misioni që vepron tani është i katërti në radhë. Ai kryesohet nga Italia, përbëhet nga pesë veta dhe ka një buxhet prej 4 milionë euro. Vetëm për këshillat që pesë ekspertët e PAMECA-s i japin policisë shqiptare, paguhen pra 4 milionë euro. Lum si këta ekspertë! Buxheti i tyre nxirret nga programi IPA (Instrument for Pre-Accession Assistance). Programi IPA përmbledh fondet që Bashkimi Europian i jep Shqipërisë për të mbështetur transformimet e gjithanshme që ajo duhet të kryejë gjatë rrugëtimit në ngjitje të integrimit. Janë para të taksapaguesëve europianë, të cilët shprehin kështu solidaritetin me popullin shqiptar.

Duket se prokuroria shqiptare nuk e ka pritur mirë këtë raport të PAMECA-s. Opinioni ynë publik u njoh me një deklaratë të kësaj Prokurorie, ku vihej zyrtarisht në dukje se ky dokument ka dëmtuar hetimet në disa çështje konkrete dhe shumë delikate. Deklarata ruante megjithatë gjuhën diplomatike dhe shmangte tundimin për polemikë. Më i drejpërdrejtë, sipas paraqitjes në media, ka qenë një takim në Prokurorinë e Krimeve të Rënda midis drejtuesit të kësaj Prokurorie Besim Hajdarmataj dhe dhe kryesuesit të PAMECA-s Francesco Ciardi. Por nuk ka qenë një takim kokë më kokë. Edhe Besim Hajdarmataj, edhe Francesco Ciardi shoqëroheshin nga bashkëpunëtorët e tyre. Prokurori Hajdarmataj është interesuar posaçërisht për burimin e informacioneve, mbi të cilat është mbështetur PAMECA për të arritur në konkluzionet e shprehura në raport. Drejtuesi i misionit, italiani Francesco Ciardi ka shpjeguar se burimi i informacionit për hartimin e raportit në fjalë kishin qenë mediat. Është, në fakt, një përgjigje më së paku krejt e paparashikueshme.

Pyetja më e natyrshme, që vjen në këtë rast, është: Përse duhet atëherë në Tiranë një mision i tillë kaq i kushtueshëm? Gjykuar mbi çfarë doli në shtyp, gjatë takimit në Prokurorinë e Krimeve të rënda nuk është provuar që ekspertët e PAMECA-s kanë marrë mundimin për të bërë edhe verifikimin më të vogël pranë zyrave të Prokurorisë lidhur me faktet që ata kishin zbuluar në mjetet e informimit publik. Që do të thotë se ata nuk kanë patur ndonjë pengesë nga ana e Prokurorisë për ta kërkuar të vërtetën, në mënyrë që edhe të ishin vërtet të dobishëm. Në fjalë të fundit, buxheti i PAMECA-s është një fond që i merret Shqipërisë. Në bilancet e Bashkimit Europian, 4 milion eurot e destinuara për 5 ekspertët e PAMECA-s llogariten si ndihmë për Shqipërinë. Gjithkush e di sot se mediat, në sajë të internetit, mund të lexohen me të njëjtën lehtësi si në Tiranë edhe në Bruksel e kudo qoftë. Rrjedhimisht, do të kishte qenë shumë më pak e kushtueshme sikur këtë punë Zoti Ciardi ta kryente nga Roma, bie fjala, duke paguar modestisht një përkthyes. Kështu edhe programi IPA për Shqipërinë do të kishte edhe një fond më shumë për ta përdorur drejtpërdrejt qoftë edhe në modernizimin real të policisë sonë të shtetit.

Në veprimtarinë e saj, Prokuroria e Republikës tonë ka sigurisht boll mangësi, të cilat janë vënë dhe vazhdojnë të vihen në dukje nga ne, shqiptarët, në radhë të parë, por edhe nga partnerët ndërkombëtarë të Shqipërisë. Kritikat, sidomos kur vijnë nga misionet e specializuara të Bashkimit Europian, pritet të jenë para së gjithash thellësisht të përgjegjshme, në mënyrë që të përmbushin edhe dimensionin e tyre korrigjues. E gjithë shoqëria shqiptare ka nevojë jetike për një përmirësim cilësor të punës së Prokurorisë. Raporti i fundit i PAMECA-s dukshëm nuk është hartuar në këtë frymë, rrjedhimisht nuk i ka shërbyer këtij qëllimi. Kryeprokurori i Krimeve të Rënda Besim Hajdarmataj ia ka shprehur në sy shefit të misionit Francesco Ciardi objeksionet e tij. Por nuk duhet të jesh doemos prokuror për ta konstatuar një gjë të tillë. Për shembull, në dokumentin në fjalë kritikohet Prokuroria për arratisjen e Arben Frrokut. Ndoshta ka vend edhe për këtë kritikë. Ama, Arben Frroku doli nga pika kufitare e Muriqanit në Shkodër dhe nuk la asnjë gjurmë në sistemin TIMS. U desh të ndalohej nga policia kroate në kufirin Mali i Zi-Kroaci, që të merrej vesh largimi i tij nga Shqipëria. Një njohës shumë i mirë i funksionimit të Policisë sonë të Shtetit më shpjegoi se “duhet një ndërhyrje nga shumë-shumë lart për të shmangur regjistrimin e hyrje-dalejve në kufirin shtetëror”. A nuk duhej të tërhiqte vëmendjen e ekspertëve të PAMECA-s ky fakt i rëndë? Çfarë force kaq madhore ndërhyri për t’ua mbyllur sytë policëve kufitarë kur para tyre do të kalonte Arben Frroku? Për më tepër që ky mision, në përcaktimin e qëllimit të tij qysh në emër, ka monitorimin e veprimtarisë së policisë. Kështu edhe kritika, duke përfshirë gjithë faktorët, do të ishte vërtet efikase për sistemin. Vështirë të besohet që ekspertët e PAMECA-s nuk e kuptojnë kaq gjë. E besueshme ngjan e kundërta, që ata nuk duan ta shohin në tërësi zinxhirin e përgjegjësive ku shfaqen edhe difektet.

Prej disa kohësh ka një debat të mbushur me akuza të ndërsjelljta për mungesë përgjegjësie apo efikasiteti në luftën kundër krimit midis Prokurorisë dhe Ministrisë së Brendshme, debat ky që ka dalë në publik e në të cilin janë përfshirë edhe vetë titullarët e këtyre institucioneve, Ministri Sajmir Tahiri dhe Kryeprokurori Adriatik Llalla. Ky raport së fundmi le vend për një dyshim të fortë se PAMECA po përpiqet të ndërhyjë në këtë debat, por jo për t’i shërbyer forcimit të bashkëpunimit midis dy agjencive kryesore të shtetit për hetimin, zbulimin dhe neutralizimin e krimit. Nisur nga ky dokument, PAMECA duket sikur po merr haptas anën e Policisë, duke dalë jashtë statusit të vet e, për pasojë, duke ndihmuar në përkeqësimin e mëtejshëm të gjendjes.

Efektet që prodhoi raporti i saj i fundit lënë shkas për dyshimin se PAMECA madje po i kryen një shërbim që askush tjetër nuk mund t’i akryente Ramës dhe qeverisë së tij. Sajmir Tahiri është akuzuar gjerësisht për lidhje të drejtpërdrejtë me Emiliano Shullazin dhe bandën e tij. Elvis Roshi dha në fillim dorëheqjen nga Kryetar i Bashkisë së Kavajës, por Rama nuk ia miratoi. Vetë Rama është akuzuar për një takim kokë më kokë me Arben Frrokun më një lokal në Pukë një ditë para se ai të largohej nga Shqipëria. Duke ndihmuar de facto në pastrimin e këtyre tri çështjeve, PAMECA ndihmon Ramën, Tahirin dhe ndonjë tjetër të pastrohen nga këto akuza. Nëse do të kërkohej një shpjegim për këtë deformim të rëndë të misionit europian, ai nuk do të gjendej te paaftësia e ekspretëve në fjalë për të kuptuar detyrën e tyre. Gjërat nganjëherë janë fare të thjeshta edhe në këto nivele. Në shtyp është folur se Francesco Ciardi, që e kryeson sot PAMECA-n, pret të emërohet magjistrat-ndërlidhës pranë SPAK (Struktura e Posaçme Antikorrupsion) që do të krijohet së shpejti, me fillimin e zbatimit të reformës në drejtësi. Roli i këtij magjistri do të jetë jetik për efikasitetin e kësaj strukture në luftën kundër korrupsionit në Shqipëri. Por, në parim, njeriu që do të vendoset në këtë detyrë, duhet të marrë pëlqimin e autoriteteve shqiptare. Kjo është një praktikë e zakonshme diplomatike. Në këto rrethana, nuk mund të shmanget supozimi se Francesco Ciardi-t i është premtuar nga qeveria Rama ky post dhe ai po punon për karrierën e tij përkundër interesave të BE-së dhe të Shqipërisë, të mishëruara te PAMECA. Sikur një supozim i tillë të vërtetohej, do të kishim mirëfilli një akt shumë të rëndë korruptiv si nga ana e qeverisë tonë, ashtu edhe nga ana e Francesco Ciardi-t. Nuk ka ndonjë çudi këtu. Një qeveri e korruptuar si e jona e ka të rrënjosur në kulturën e vet korruptimin e atyre, që mund t’i bëhen pengesë për ta shijuar pushtetin. Emërimi eventual i ndonjë Francesco Ciardi si magjistrat-ndërlidhës pranë SPAK, do ta kompromentonte pandreqshëm këtë strukturë pa e filluar ende punën. Do të vritej një shpresë, që sapo ka lindur të shqiptarët, se, me reformën në drejtësi, do të fillojë një erë e re në luftën kundër gangrenës së korrupsionit.

Prokuroria shqiptare i ka shprehur vërejtjet e saj konkrete për raportin e PAMECA-s si në takim të drejpërdrejtë me pjesëtarët e misionit, ashtu edhe me një njoftim për shtyp për publikun e gjerë. Dhe mirë ka bërë. Por kaq është krejt e pamjaftueshme. Francesco Ciardi dhe bashkëpunëtorët e tij nuk e vrasin fare mendjen për çfarë mendon Prokurori Besim Hajdarmataj apo opinioni publik shqiptar lidhur me punën e tyre. Do të ishte në të mirë të interesit të përgjithshëm që Prokuroria të vendoste një komunikim të drejtpërdrejtë me vetë Komisionin Europian e posaçërisht me Komisionerin për Çështjet e Brendshme Dimitris Avramopoulos, ku raporton PAMECA, për të shprehur vlerësimet e saj. Duhet të ketë një masë për të matur edhe moralitetin, por edhe efikasitetin e misioneve ndërkombëtare të asistencës. Këto misione, të paracaktuara për të monitoruar insititucionet tona, duhet të ndjehen po ashtu të monitoruara.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY