DOSJE/ Shkatërrimi përfundimtar i çështjeje “Çame” nga politika e qeverisë shqiptare në...

DOSJE/ Shkatërrimi përfundimtar i çështjeje “Çame” nga politika e qeverisë shqiptare në vitet 1948 – 1949

152
0
Shares

Nga Alba Haruni

Hapja e arkivave me mbishkrimin “sekret”, të periudhës komuniste, përveç të tjerash do të sjellë informacione të reja edhe për mënyrën se si u trajtuan shqiptarët e Çamërisë në shtetin amë.
Spastrimi etnik i Çamërisë në fund të Luftës së Dytë Botërore nuk ishte rastësor apo një fragment i shkëputur, por ishte një politikë e përpunuar qartë që në momentin e aneksimit të Çamërisë nga Greqia në vitin 1913. Aty nisi gjithë evolucioni i kësaj politike të spastrimit etnik i ideuar nga kisha ortodokse greke dhe zbatuar nga Athina zyrtare, por jo vetëm prej tyre.
Sipas dokumenteve, shkatërrimi përfundimtar i kësaj çështjeje u bë pikërisht nga politika e qeverisë shqiptare në vitet 1948 – 1949, e cila vuri në themel interesat e veta personale, siç ishte mbajtja e pushtetit dhe marrëdhënia me Moskën, duke sakrifikuar një çështje të madhe të interesit kombëtar siç ishte çështja e shqiptarëve të Çamërisë. Pra ka qenë një përpjekje thuajse kriminale, ku me një gur do të vriteshin dy zogj: e para, t’i vihej në ndihmë së majtës greke e të zbatoheshin urdhrat e Moskës; por më së shumti ka qenë qëllimi për të larë duart me emigrantët çamë, sepse qeveria shqiptare i shikonte si pengesë të madhe dhe një rrezik serioz për konsolidimin e pushtetit të saj.

Ky dyshim është vërejtur dhe në raportet zyrtare për emigrantët e ardhur nga Çamëria.

Më 24. 09. 1947, vjen në Tiranë Marko Vafiadhis si Kryetar i Qeverisë së Përkohshme Demokratike për të kërkuar ndihmë duke i parashtruar qeverisë shqiptare disa kërkesa si më poshtë:
“1.- Të dërgohen 3.000 – 4.000 mijë çamë për Ushtrinë Demokratike Greke nga 18.000 mijë që jetonin në Shqipëri, të dëbuar prej forcave të Napolon Zervës.
2.- Nga 25.000 mijë refugjatë grekë të cilët të shumtit ishin të etnisë maqedonase që ndodheshin në Shqipëri, të organizoheshin në 3 – 4 qendra për t’u dërguar në ndihmë të Ushtrisë Demokratike Greke.
3.- Të vazhdojë dërgimi i armatimit dhe në kohën më të shkurtër të dërgohen 10 – 12 topa.
4.- Të shqyrtohet perspektiva e ndihmës ekonomike me ushqime dhe veshje për Ushtrinë Demokratike.
5.- Të mënjanohen ndërmjetësimet ekzistuese deri sa të vendosen lidhje të drejtpërdrejta”.

cam, foto e vjeter1Për sa u përket çamëve, pala shqiptare konsideroi se nuk mund të përbëjnë faktor ndihme. Shqiptarët nga Çamëria nuk do të donin të shkonin në luftë. Por edhe për ata që do të dëshironin të luftojnë për krah forcave komuniste, ekzistonte rreziku të binin nën ndikimin amerikan. Për këtë çështje u dha përgjigja se, “tash për tash, kjo nuk është e mundur duke marrë parasysh interesat e Ushtrisë Demokratike Greke, por do të bënin ç’të mundeshin të ndihmonin në kohën e duhur me ato që kishin mundësi…”.
Hapja e arkivave ka bërë të mundur hedhjen dritë mbi një sërë dokumentesh të tipit “sekret”, prej të cilave vetëm me një vështrim të ftohtë mund të kuptojmë shumë rreth situatës në atë kohë, prej nga ku do na ndiqte dhe shprehja “çam i pabesë”.

Në procesverbalin e mbledhjes së Byrosë politike të PPSH-së, mbajtur më 25 mars 1949, tema e trajtuar ishte pikërisht mundësia e dërgimit të çamëve në Ushtrinë Demokratike Greke.

Ky procesverbal gjendet ne arkivin e Ministrisë së Brendshme dhe për një kohë të gjatë ka patur titullin “Sekret”.

Liri Belishova: Në bazë të vendimit të Byrosë Politike janë dërguar poshtë disa shokë çamë për të rekrutuar elementë refugjatë çamë për në ushtrinë demokratike greke. Në mbledhjen e partisë është thënë açik kurse me të tjerët nuk është folur, por kanë dekonspiruar anëtarët e partisë dhe populli e ka marrë vesh, prandaj deri tani vetë, 30 veta kanë kërkuar që të shkojnë dhe anëtarët e partisë e kanë marrë këtë çështje pa entuziazëm. AP nuk e kanë pritur mirë dhe reaksioni ka punuar për vetën e tij. Ai e ka përgatitur terrenin për vete. Janë marrë refugjatët grekë në 2-3 raste dhe me forcë për të shkuar atje. Përgjithësisht çamët nuk duan të venë në Greqi. Parulla është se s’kemi besim tek grekët, duam të rrimë në Shqipëri ose na lini të shkojmë në Turqi. Çamërinë nuk e duam. Duhet të shohim se ç’masa duhet të marrim. Këtu duhet të marrim një vendim për anëtarët e partisë që kanë shfaqur këto tendenca se është situata e vështirë. Ka disa propozime nga shokët çamë që të bëhet mobilizim i detyruar dhe të merren disa masa kundër elementëve reaksionarë. Thonë gjithashtu që të bëhet një mbledhje me anëtarët e partisë që janë çamë ku të marrë pjesë dhe një i deleguar i Komitetit Qëndror, por unë s’jam dakord që të përzihet partia jonë me këtë punë.
Bedri Spahiu: Ne kemi punuar që ata të kenë të drejtën e mobilizimit për këtu ata janë shtetas grekë. Në Greqi kanë nevojë për ushtarë. Të qe e mundur të shkonin me agjitacion do të ishte më mirë, po në këtë mënyrë çamët nuk do të venë në Greqi. Edhe nga ana ndërkombëtare nuk ka ndonjë gjë veç të mos duket dora jonë, por të bëhet natën. Për këtë mund të pyesim sovietikët.
Mehmet Shehu: Petrit Shahini nga Elbasani thotë se me rastin e mobilizimit të çamëve, elementët reaksionarë kanë filluar të flasin keq për Partinë Komuniste Greke, etj. Po t’i lëmë kështu çamët, partia diskreditohet nga këta reaksionarë.
Ne me këtë rast zbulojmë se masën çame nuk e kemi nën kontroll. Të përdoren kështu njerëz të dërguar tek ata nga partia jonë, është një shenjë proteste kundra qeverisë sonë.
Këtu kuptohet se sa larg është partia jonë nga këto masa. E rëndësishme është të veprohet me këta armiq të reaksionit (gjithë anëtarët e tjerë janë dakord për këtë propozim të shokut Mehmet), pastaj të shihet cilët janë ata elementë anëtarë partie që i kanë trajtuar kështu të dërguarit tanë. Këta përjashtohen nga partia dhe të dërgohen në kamp, (shokët e tjerë janë dakord dhe me këtë propozim). Për elementët e tjerë, po të merren me forcë punë e vështirë nga pikpamja ndërkombtare. Ky është i vetmi rrezik, po përndryshe ne e bëjmë brenda një nate. Këtë duhet ta bëjmë pa e diktuar kush brenda një nate se ndryshe na ikin. Tani t’iu themi komiteteve të partisë së rretheve ta lënë këtë çështje në heshtje dhe brenda një nate t’i shpihem në kufi.
Tuk Jakova: Në këtë rast të fshihen cilët janë njerëzit e poshtër. Këtyre monarko-fashistët ju kanë bërë njëmijë poshtërsi dhe nuk duam të venë të luftojnë për vendin e tyre.
Mehmet Shehu: Ne t’ju themi të mos i lënë në një repart.
Tuk Jakova: Ata shokë nuk kemi si i dërgojmë të kthehen dhe të merren masat që tha Mehmeti.
Mehmet Shehu: T’jua shtrojmë dhe sovjetikëve nga pikëpamja ndërkombëtare. Për familjet e tyre ju kemi dhënë toka dhe le t’i punojnë.
Hysni Kapo: Këto veprime që tha Mehmeti të bëhen.
Beqir Balluku: Këta të arrestohen dhe të venë të punojnë në Lozhan ku është vendi shumë i përshtatshëm.

(AQSH, F. 14/AP, V. 1949 m D. 16, fleta 14)

cam ,kongresi, foto e vjeterInformacion i Grupit të Këshillit Çam, i cili shkoi për të mobilizuar popullsinë çame në ushtrinë demokrate greke, 24 mars 1949.
“Më 4 prill 1949 Drejtoria e Organizim-Inspektimit njoftonte Komitetin e Partisë së Tiranës, mbi masat që ka marrë ky komitet për çamët anëtarë partie, që nuk kanë dashur që të mobilizohen në ushtrinë demokratike greke. Nga këta në Fier ishin 4 çamë, në Berat 1, në Elbasan 5, në Durrës 5, në Tiranë 16, në Vlorë 14. Mbi këta u morën masa deri përjashtime nga partia”.
(AQSH, F. 14/Ap (str), V 1949, D 389).

Këto dokumente nuk lejojnë interpretim, pasi ata janë një dëshmi e vërtetë për pasojat që erdhën më vonë për popullsinë çamë deri në atë kohë “refugjatët çamë”. Këto dhe të tjera dokumente dëshmojnë mënyrat dhe arsyet se si iu hoq nënshtetësia këtyre shtetasve deri në atë kohe “shtetas grek me kombësi shqiptare”.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY