Mediat serbe kanë zbardhur Memorandumin e Plehrave, Rama – Vuçiç të nënshkruar në Nish gjatë takimit të bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve. Gazeta serbe “Kurir” i ka kushtuar rëndësi këtij memorandumi dhe ka dhënë një pjesë të detajeve se si do të bëhet transferimi i impiantit të mbetjeve të rrezikshme nga Beogradi në Tiranë.
Lajmi i gazetës “Kurir”
Ndërmarrja për ekologji dhe mbrojtjen e ambientit “Ezo Grupa” nga Beogradi ka firmosur në Nish me një partner shqiptar Memorandumin për themelimin e kompanisë së përbashkët serbo-shqiptare, e cila do të merret me administrimin e mbetjeve të rrezikshme industriale dhe riciklimin e mbetjeve të naftës në Shqipëri. Këtë e ka bërë të ditur presidenti i “Ezo Grupa”, Dragan Stankoviç.
Gjatë zhvillimit të Forumit të biznesit Serbi-Shqipëri, ai tha se kjo do të jetë kompania e parë e përbashkët, e cila do të merret me këtë punë, e cila është shumë e rëndësishme për mbrojtjen e ambientit. Stankoviç tha se, “Ezo Grupa” do të transferojë nga Serbia në Shqipëri teknologjinë dhe pajisjet, derisa biznesmeni Aleksandër Biberaj, me të cilin është firmosur memorandumi për kompaninë e përbashkët do të ketë pjesëmarrje prej 30%, ku do të marrë pjesë me kapital dhe lidhjet të cilat ai i ka në Shqipëri.
Pres që ky hapi ynë do të inkurajojë edhe kompani të tjera nga Serbia, që të thyejnë paragjykimet dhe me guxim të nisen në punë, dhe në vend të frikës se do të falimentojnë të përzgjedhin shpresën dhe të marrin pjesë në afarizëm me shtetin tonë të afërt, sepse ky është një potencial i madh, e në veçanti në fushën e mbetjeve, theksoi Stankoviç, duke shtuar se pritet që kompania e përbashkët të regjistrohet zyrtarisht në nëntorin e vitit 2016 dhe deri në fund të vitit do të kenë një punë në fushën e pastrimit të depozitave të naftës.
Stankoviç theksoi se, “Ezo Grupa”, selia e së cilës është në Beograd, aktualisht punon në rajon dhe ka kompani në Maqedoni. Sipas tij, “Ezo Grupa” merret me administrimin e mbetjeve të rrezikshme dhe jo të rrezikshme, pastrimin industrial të impianteve, riparimin e incidenteve ekologjike dhe ka marrë mirënjohje të Eko biznes partnerit në rajon.
Në Nish është zhvilluar forumi i biznesit Serbi-Shqipëri, ku morën pjesën më shumë se 300 përfaqësues të kompanive dhe biznesmenë nga të dyja shtetet, e forumin e hapën kryeministri i Serbisë dhe Shqipërisë, Aleksandar Vuçiç dhe Edi Rama.
Ky është tubimi i parë i madh i biznesmenëve serbë dhe shqiptarë, i cili duhet të kontribuojë në përafrimin e bashkësisë së biznesit serb dhe atij shqiptar. /RD/
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/