Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, prezantoi sot katër shyllat mbi të cilat, sipas tij, duhet të miratohet reforma zgjedhore. Dekriminalizimi i partive, zvogëlimi i numrit të deputetëve, listat e hapura dhe minimizimi i numrit të biznesmenëve deputetë në Parlament ishin pikat ku u ndal kryetari i Kuvendit, gjatë një konference për zgjedhjet, të organizuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Meta, kërkoi miratimin pa humbur kohë të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor.
Gjatë konferencës për Çështjet Zgjedhore të organizuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Meta tha se ka ende kohë të mjaftueshme për të nisur nga puna ndryshimet e reformës.
Meta tha se duhet të hiqet dorë nga disa prej fenomeneve që prishin zgjedhjet, siç është blerja dhe fotografimi i votës. Ai kërkoi penalizim maksimal në këtë drejtim.
Kreu i LSI-së i mëshoi edhe njëherë tjetër propozimit të hershëm për listat e hapura në zgjedhjet e ardhshme.
“Listat duhet të jenë të hapura, sepse krijon lidhjen e qytetarit me votuesin. Deputetët nuk janë thjesht partiakë, por janë më shumë parlamentarë sepse kanë një raport tjetër me votuesin dhe duhet të ruajnë një raport edhe me drejtimin e partisë si dhe me qytetarët”, u shpreh Meta.
Kreu i LSI-së tha gjithashtu se me ndarjen e re administrative nevojitet zvogëlimi i numrit të deputetëve, nga 140 në 100.
Gjithashtu, Meta theksoi se duhet të zvogëlohet numri i biznesmenëve deputetë.
Sipas Metës, problem është edhe financimi i partive politike.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/