Të shtunën e 7 tetorit, policia e Tiranës raportoi se kishte gjetur të vrarë me armë zjarri një 36 -vjeçar në një stan në Kollogjesh të Shëngjergjit. Ajo tha në një njoftim zyrtar se shtetasi B. P. dyshohet të jetë vetëvrarë. Nuk pati njoftim tjetër për këtë ngjarje. Po të shohësh edhe titujt e gazetave, TV e portaleve s’ka asgjë më shumë se njoftimi i policisë, përveç raportimit të Lapsi.al që hidhte dyshime se ngjarja mund të ishte e lidhur me kultivimin e kanabisit (shih raportimet më poshtë).
Lapsi.al zbuloi sot se bëhet fjalë për një vrasje të pastër. B. P., është qëlluar me plumb paskoke. Një plumb pistolete e ka goditur pas veshit dhe i ka dalë në pjesën e syrit. Ekspertiza mjeko-ligjore vërtetoi se ai është qëllur nga fare afër. Në vendin e ngjarjes janë gjetur gëzhoja pistolete TT dhe kashallshnikovi. Policia e Tiranës i fshehu këto detaje dhe e “shiti” ngjarjen si vetëvrasje.
Por kjo është vetëm një pjesë e skandalit. Burime të prokurorisë thanë për Lapsi.al se B. P., nuk u gjet në ndonjë stan. Vendi ku ai ishte qëlluar ishte një magazinë hashashi. Ishte një magazinë e ndërtuar me llamarina, thuajse 3 metër e lartë dhe me sipërfaqe afro 200 metër katrorë, e mbushur plot me kanabis të tharë. Përballë magazinës u gjetën edhe disa parcela me kanabis të pakorrur.
Në rrethana të tilla, përse duhej që policia të bënte një njoftim për vetëvrasje?
Çfarë e shtyu policinë e Tiranës ta klasifikonte si të tillë vrasjen e 36-vjeçarit nga Shkoza që u gjet me plumb paskoke mes grumbullit të hashashit?
Përse duhej mbuluar kjo vrasje?
Përse duhej fshehur magazina përplot me hashash?
Një burim i prokurorisë tha për Lapsi.al se sasia e madhe e drogës u dogj pa u mbajtur raport, pa u peshuar. Pra, nuk dihet se sa drogë kishte në magazinën ku u gjet B. P., i vrarë.
Nxitimi i policisë së Tiranës dhe Komisariatit nr. 4 që mbulon zonën për ta zhdukur kanabisin me shpejtësi ngre të tjera dyshime, ashtu si nxitimi për ta klasifikuar vrasjen si vetëvrasje. Nuk dihet nëse hetimet e prokurorisë do të përshijnë edhe veprimet e policisë, për të zbuluar arsyen e vërtetë të fshehjes së një krimi të rëndë nga forcat e rendit, atë të vrasjes për pazare droge. /Lapsi.al/
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/