Një njoftim jo shumë i zakontë është shpallur në Buletinin e fundit të Prokurimit Publik. Bashkia e Kolonjës ka hapur tenderin për të transferuar te një privat funksionet e Administrimit Financiar dhe Menaxherial të bashkisë dhe njësive administrative të saj për katër vitet në vijim.
Fondi limit për këtë qëllim është 10 366 667 lekë pa TVSH (rreth 72 mijë euro).
Vlera e Financimit viti 2016 është 7 166 667 lekë është pa TVSH. Ndërsa për vitet 2017, 2018, 2019 dhe 2020 vlera e financimit do të jetë 800 000 lekë pa TVSH për secilin vit.
Në njoftimin përkatës thuhet se ofrimi i këtij shërbimi do të jetë i vlefshëm 6 (gjashtë) muaj nga data e nënshkrimit të kontratës.
Ofertat për të menaxhuar dhe për të administruar Bashkinë e Kolonjës janë të vlefshme për t’u dorëzuar deri më datë 28 të këtij muaji, pranë zyrave të Bashkisë.
Ky është rasti i parë kur një njësi vendore delegon te një privat funksionet themelore për të cilat është votuar. Sakaq Bashkia në fjalë do të përfshihet në zgjedhje të reja për një kryetar të ri pas vdekjes së papritur të ish-kryetarit Arben Malo në shtator të këtij viti.
Bashkia e Kolonjës, për vitin 2016, ka përfituar grant të pakushtëzuar në vlerën 94.6 mln lekë, që përbën rreth 0.75% të totalit në rang vendi, kjo për shkak se bazë e llogaritjes së formulës ka qenë numri i popullsisë.
Në hartimin e buxhetit të bashkisë është marrë parasysh, që të shkohet drejt rritjes së investimeve në shërbimet publike (rrugë, rivitalizim i qytetit, ujësjellës, kanalizime, objekte arsimore etj).
Bashkia e re e Kolonjës ka një sipërfaqe gjithsej prej afërsisht 864.06 km2 dhe popullsi 22,261 banorë. Popullsia është në gjysmën e saj me karakter rural, pjesa urbane shtrihet në qytetin e Ersekës dhe Leskovikut. Statistikat në lidhje me burimin kryesor të të ardhurave të familjeve janë pozitive: rreth 51,5% e banorëve jetojnë në bazë të punësimit dhe vetëpunësimit, ndërsa vetëm 11.6% me ndihmë ekonomike. Nga ana tjetër, pensionet përbëjnë një pjesë jo të vogël të burimit të të ardhurave të familjeve, me rreth 39%. Kolonja është zonë e pasur me burime pyjore, ujore (në veçanti ujra termale), por shfrytëzimi i tyre për zhvillimin dhe mirëqenien ekonomike është sot në nivele të ulëta dhe ende larg një shfrytëzimi të qëndrueshëm. /Monitor/
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/