Në nderim të profesor Bakallit që humbi jetën dje po botojmë sot një ndër komentet e tij të fundit publikuar në faqen e tij ne rrjetet sociale.
Përveç dhunës, fatkeqësitë aksidentale janë një objekt i lakmueshëm i lajmeve. Arsyet e këtyre fatkeqësive nuk lidhen me mangësi psikike të një protagonisti, por thjesht me paparashikueshmërinë e natyrës dhe brishtësinë e qenies njerëzore. Fatkeqësi të tilla na kujtojnë se nga fundi ynë i pashmangshëm na ndan një shkëndijë e vogël elektrike, një tjegull që bie nga pullazi, një virus rezistent, një stuhi e fortë ere apo një tërmet.
Duket paradoksal interesimi ynë për fatkeqësi të tilla. Shumë më të shëndetshme do ishin histori fatlume, të cilat na sjellin energji pozitive në jetën tonë. Çuditërisht na ngjall kureshtje më tepër tabloja e vuajtjes së njerëzve që nuk i njohim.
Ndoshta ky interes ka të bëjë me faktin se brenda ziejnë ndjenja trishtimi dhe zhgënjimi. Brenda nesh përgjon pa pushim nakatari, ziliqari. Jashtë nesh gëlojnë imazhe njerëzish plot ambicie e sukses, lidhjesh të lumtura, karrierash e projektesh të suksesshme, të cilat për shumicën prej nesh janë të paarritshme. Imazhe të tilla njerëzish të kënaqur e të përmbushur në aspiratat e tyre na përndjekin vazhdimisht, prandaj lajmet mbi fatkeqësi të kobshme paradoksalisht mund të kenë efekt çlirues. Aksidentet, shpërthimet, zjarret, tërmetet relativizojnë njëfarësoj dështimin tonë. Mesazhi i tyre implicit dhe lehtësues është: “i gjithë njerëzimi vuan”.
Pavetëdija jonë e regjistron këtë leksion dhe e përdor atë për vuajtjet tona personale. Sado të rënda të jenë dallimet midis fatkeqësisë aksidentale dhe problemeve tona ekzistenciale, ato na ndihmojnë jashtë mase. Vuajtjet e tejskajshme që po heq familja e një të vdekuri nën rrënojat e një tërmeti apo një pacienti me djegie të shkallës së tretë, i vendosin problemet tona në një perspektivë të ndryshme. Papritmas kujtohemi jo pa një lloj mirënjohjeje për disa privilegje bazike, të cilat në zili e frustracion e sipër, i kishim harruar totalisht. Ja ku jemi akoma shëndosh e mirë; me gjithë zhgënjimet e shumta, akoma s’kemi humbur asnjë familjar në aksident, akoma s’na ka infektuar ndonjë virus vdekjeprurës, akoma e kemi një strehë të paprekur mbi kokë. Paradoksalisht lajmet mbi katastrofa natyrore e njerëzore mund të na diktojnë një qëndrim konstruktiv ndaj vetes dhe tjetrit dhe ta forcojnë tolerancën dhe shpresën.
Me raportimet e tyre të zymta e të kobshme, lajmet na ofrojnë mundësinë për të rigjetur veten. Histori të tilla do të duhej të publikoheshin nën mbishkrimin “Vanitas” apo “Memento mori” (kujto vdekjen!). Në këtë mënyrë ato nuk do ishin thjesht dokumente të vuajtjes personale, por mund të na ndihmonin t’u përkushtoheshim interesave tona dhe problemeve thelbësore të jetës sonë.
Ka një anë negative, ka një efekt kontraproduktiv, i gjithë ekspozimi i vazhdueshëm ndaj dramave në jetët e të tjerëve. Duke qenë imponuese në dramaticitetin e tyre, ato nguliten në vetëdijen tonë dhe kërkojnë ushqim të vazhdueshëm, detaje të pafundme. Kur mësojmë se një avion është rrëzuar diku në afërsi të Nepalit, se një furtunë ka rrafshuar ndërtesat e një qyteti në shtetin e Mizurit, fillojmë të reagojmë spontanisht si një “black box”, që regjistron pa pushim të dhëna duke harruar se e gjitha kjo s’ka aspak lidhje me problemet tona. Një jetë e ekuilibruar kërkon një peshim të vazhdueshëm çështjesh të brendshme e të jashtme. E mira do ishte që ta përpunojmë domethënien e fatkeqësive të të tjerëve pa humbur në detaje, në mënyrë që këto ngjarje të kobshme të mos i përdorim si pretekst për t’ju shmangur përgjegjësive tona në jetë. Trishtimin dhe dhimbjen e këtyre lajmeve mund ta regjistrojmë, por pa u fiksuar në to.
Na është bërë aq shumë zakon ta barazojmë njerëzillëkun me empatinë, saqë kemi harruar se ndonjëherë është e domosdoshme të qëndrosh indiferent. Aftësia jonë përqendruese dhe resurset tona emocionale kanë kufij. Nëse duam të kujdesemi seriozisht emocionalisht për një grusht njerëzish që kemi pranë, na duhet të tërhiqemi paksa nga interesimi i vazhdueshëm për të tjerët, interesim drejt të cilëve na shtyjnë pa takt lajmet e përditshme të kobshme të mediave. Fundja, nuk duhet harruar se sado prekëse dhe mjeshtërisht të paketuara na vijnë lajme të tilla, problemet me të cilat ato na përballin, nuk janë gjithmonë tonat.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/