Personi që mbeti i plagosur mbrëmë se bashku me Alfred Skonjën në Durrës është djali i një efektivi policie. Burime për “Panorama” bëjnë me dije se ai është Ismail Çyrbja, 25 vjeç, djali i një punonjësi të policisë. I riu ka qenë së bashku me Skonjën, mbrëmë kur u qëlluan me armë, në lagjen Nr.5 të Durrësit. Mësohet se Çyrbja, punon si marinar. Ai u plagos në këmbë dhe ndodhet në spitalin e Durrësit, jashtë rrezikut për jetën. Për shkak të plagëve të marra në bark, Skonja u transportua për në Spitalin e Traumës. Policia po heton për ngjarjen, e cila ndodhi në kushtet e errësirës dhe nuk ka ende një emër të dyshuar për autorin.
Paraprakisht dyshohet se objektiv ka qenë Alfred Skonja, nisur edhe nga precedentët e tij. Vetëm pak ditë më parë ai ishte liruar nga burgu për mungesë provash, pasi kreu 30 ditë burg, si i dyshuar për një atentat ndaj një biznesmeni në qytetin e FushëKrujës. Arrestimi u bë më 23 gusht, pasi policia deklaroi se Skonja u kap bashkë me mjetet me të cilat do të kryente atentatin. Policia bllokoi një automjet të vjedhur më parë, i cili dyshohet se do të digjej para se të eliminohej fizikisht biznesmeni.
Pas arrestimit me bujë të 29vjeçarit Alfred Skonja në Durrës, me akuzën e vrasjes së mbetur në tentativë, Prokuroria e Rrethit kundërshtoi Policinë për sa i përket akuzës dhe ai u la me masë sigurie 1 muaj burg. Nga ana e Policisë u deklarua dje se dy të plagosurit, Skonja dhe Çyrbja, njihen si përdorues të lëndëve narkotike. Po hetohet nëse bëhet fjalë për një atentat ndaj Alfred Skonjës apo ka ndodhur ndonjë konflikt i çastit. Pritet që të merret dhe dëshmia e vetë 29vjeçarit për të treguar se çfarë ka ndodhur dhe nëse e njeh autorin që qëlloi mbi të.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/