Pas zbulimit të mbi 10 tonëve kanabis në fshatrat e Vlorës, policia arrestoi 6 persona.
Por një burim i HashtagAl në policinë e Vlorës thotë se pronarët e vërtetë të ‘mallit’ mund të jenë kushërinjtë e ministrit të Brendshëm.
Burimi i rezervuar nga struktura e antidrogës në policinë e Vlorës i tha HashtagAl:
Territori ku është kapur kanabisi është patronazh i vëllezërve Habilaj, kushërinj të parë të ministrit të Brendshëm, z. Tahiri. Kam asistuar operacionin dhe policët, përfshirë ata të ardhur nga Tirana, kanë qenë të intimiduar gjatë kryerjes së veprimeve, shoqërimeve dhe arrestimeve”.
Më tej ai shton:
Territori ku është bërë sekuestrimi i kanabisit nga policia është një territor ku punohet intensivisht. Në njërën prej kodrave, nga maja e të cilës ka fushëpamje totale të parcelave, policia ka ngritur një postë, e cila ruan territorin për llogari të mbrojtjes së kultivuesve”.
Zyrtari i antidrogës së qytetit të Vlorës, i cili dëshiron të mbetet anonim, i tha HashtagAl se nuk ka prova direkte që implikojnë vëllezërit Habilaj, të paktën deri në këtë moment, por kontrolli i tyre mbi këtë territor është një ‘sekret i hapur’, e dinë të gjithë në këtë zonë.
Vëllezërit Habilaj akuzohen prej vitesh nga opozita si menaxherët e kanabisit në aksin Vlorë-Tepelenë, akuza që filluan që në momentin kur lidhja e tyre me ministrin Tahiri dhe drogën u denoncua nga ish-oficeri i policisë, Dritan Zagani.
Sipas kryetarit të PD-së, Lulzim Basha, sasia e kanabisit të sekuestruar është në rreth 20 tonë.
Kjo shifër nuk konfirmohet nga policia, por ajo që mësoi HashtagAl është se sasia ishte aq e madhe, saqë policisë i mbaroi benzina duke e djegur.
Basha tha gjithashtu se sekuestrimi i këtij kanabisi ishte një goditje për Ramën dhe Tahirin.
Vetë ministri i Brendshëm nuk tha asnjë fjalë për kanabisin e sekuestruar teksa promovoi makinat që nuk u mbaron benzina, automjetet e reja elektrike për Policinë e Shtetit.
Por çuditërisht, Tahiri shigjetoi Prokurorinë.
Fronti i të keqes ka shkuar shumë përtej SHQUP-it, madje edhe në media dhe burime të prokurorisë”, tha Tahiri.
Prokuroria për Krimet e Rënda ka drejtuar operacionin për sekuestrimin e kanabisit.hashtagal.com
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/