Teksa opinioni publik ka kanalizuar vëmendjen tek importi i plehrave dhe korrja e hashashit, një grup fermerësh në zonën më prodhuese në vend kanë humbur miliona lekë nga një farë e skaduar e kungullit.
Ilir Mile nga Krutja e Lushnjës pohoi se, qindra fermerë në zonë pësuan humbje të mëdha këtë vjeshtë, pasi prodhimi i kungullit të fushës rezultoi shumë i keq. Ai shpjegoi se në qendër të zonës këtë vit nisi punën një dyqan i ri farash, i cili dha garanci për cilësinë dhe varietetin më të mirë të kungullit italian. “I kemi blerë fidanet nga 350 lekë (të vjetra) rrënjën. Harxhuam gjithë atopara për mbjelljen dhe shërbimet dhe kur vjen puna, kungulli që prodhuam nuk hahet. As pulat e detit nuk e po e hanë”, thotë fermeri mjaft i irrituar nga telefoni.
Ai shpjegoi se e gjithë zona investoi në këtë farë dhe humbjet bashkë me fitimin e munguar llogariten me 150 mijë lekë (të reja) për dynym për thotë Iliri. Por tani kur e gjithë vëmendja ka shkuar te hashashi, askush nuk po merret me bujqësinë e vërtetë, thotë ai. Fermerët nuk po dinë ku të ankohen kundrejt një mashtrimi që po përsëritet disa herë dhe po i shkatërron tërësisht shpresat e tyre për të vijuar më tej.
Zona më prodhuese e vendit është duke vuajtur pasojat e mungesës së zinxhirit të vlerës dhe copëzimit të tokës.
Përveçse të zhgënjyer nga farat, fermerët pohojnë se janë duke i shitur prodhimet gati nën kosto. Mile shpjegon se një sasi e madhe pjepri dhe kungulli këtë vit është hedhur në kanal, pasi nuk ka pasur treg ose më saktë çmimi që ka ofruar tregu, ka qenë më i ulët se kosto e prodhimeve.
Adriani, një fermer tjetër, thotë se tradicionalisht ka probleme me farën e kungullit. “Më qëlloi një farë që nuk më dha fare prodhim. Meqë bëra serë të re, e kultivova vetë fidanin e kungullit. 90 lekë e kam blerë një bërthamë fare, por siç duket, hormonet që kryejnë pllenimin nuk ishin të mira” pohon ai.
Fermeri thotë se, në kohën e lulëzimit, në serë hidhet një hormon që ndihmon pllenimin, por shpesh ky preparat është i skaduar dhe nuk bën, thotë ai. Pllenimi nuk u krye mirë dhe sera e re e kungullit rezultoi më shumë një dushkajë me pak prodhim. Nuk ke as ku të ankohesh. Shitësi nuk mban përgjegjësi. Nuk ka një laborator dhe njësi që të certifikojë që nga farat, hormonet, plehrat dhe preparatet e tjera që i duhen prodhimit. Vetëm fara më ka kushtuar 30 mijë lekë,- thotë Adriani, e cila nuk i ka dhënë as gjysmën e prodhimit që priste.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/