Kreu i Kuvendit, Ilir Meta ishte sot në zonën e Çorovodës ku ka inspektuar punimet për rikualifikimin urban të Bashkisë si dhe në përurimin e një ure të rikonstruktuar dhe disa rrugëve të ndërtuara nga projekti TAP.
Meta tha se projekti TAP ka dhënë impakt tepër të madh edhe në zonat ku ai kalon, siç është Skrapari.
Indirekt, kryeparlamentari i kujtoi kryeministrit meritën e qeverisë së kaluar të drejtuar nga Sali Beisha, për mundësimin e kalimit të projektit TAP edhe nga Shqipëria. Kryeparlamentari deklaroi se projekti TAP mund të realizohej edhe pa kaluar përmes Shqipërisë, duke shtuar se është bërë një përpjekje e madhe që vendi ynë të përfshihej në këtë projekt.
“Që nga shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë në 1912-n e deri më sot, përfshirja e vendit tonë në projektin TAP është një nga arritjet më të mëdha historike, sepse i jep fund përjashtimit të Shqipërisë nga hartat energjetike të Evropës. Përfshirja në projektin TAP e vendos Shqipërinë si një qendër shumë e rëndësishme e këtyre lidhjeve të cilat kanë impakte kontinentale.
E theksoj këtë sepse projekti TAP mund të realizohej edhe pa kaluar përmes Shqipërisë. Është bërë një përpjekje e madhe që Shqipëria të përfshihej në këtë projekt. Tani që sapo ka filluar, kur ende duhet një punë e madhe për ta përfunduar këtë projekt, po e kuptoni se ky projekt po ndihmon për të ndryshuar për mirë edhe jetën e komunitetit tuaj këtu dhe kudo ku TAP-i po kalon nëpër Shqipëri”, u shpreh Meta.
Kryetari Meta theksoi se falë këtij projekti po realizohen shumë investime për të cilat çdo qeveri do ta kishte të vështirë që t’i bënte në Skrapar pasi nuk është e lehtë të bësh investime publike sidomos në zona të thella dhe të vështira ku kosto e këtyre investime është mjaft e lartë dhe ku numri i banorëve është relativisht i ulët.
“Unë pata kënaqësinë sot, bashkë me përfaqësuesit e nderuar të TAP-it, me kryetarin e bashkisë dhe me shumë miq të tjerë që na kanë nderuar, të inaugurojmë rrugën pranë Spitalit, urën pranë spitalit, të shohim shumë projekte të tjera të cilat po ndihmojnë në transformimin Çorovodës dhe të gjithë Skraparit. TAP do të ndihmojë këto projekte edhe në të gjithë bashkitë dhe rrethet e tjera ku po kalon dhe do të kalojë nëpër Shqipëri”, shtroi kreu i Kuvendit.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/