Disa ditë pas bllokimit të një sasie të konsiderueshme bimësh narkotike në Mat,ka dyshime se efektivë të policisë kanë njoftuar poseduesit e kësaj sasie, për tu larguar. Ndërkohë, mësohet se ka qenë një “spiun” shkodran, ai që kishte denoncuar sipërfaqen e madhe të mbjellë më bimë narkotike.
Nga ana e saj edhe prokuroria e Matit bën përgjegjëse në mënyrë indirekte policinë e këtij rrethi se ka bërë “një sy qorr” për parcelat e drogës që shiheshin në një distancë deri në 2 km. Dje efektivë të policisë dhe prokurori i rrethit, Abaz Muça, mbërritën në fshatin Rukaj në vendin e quajtur Përroi i Kurvajës, në vijim të aksionit.
“Nëse një ditë më parë është përdorur një motosharrë për prerjen e bimëve narkotike, sot janë përdorur dy të tilla”, u shprehën burime të Policisë që ndodhen në terren, raporton “Panorama”.
Sipas tij, u raportua se janë u zbulua 3 tonë kanabis sativa, por sasia e ndodhur në katër parcelat e para ka qenë mbi pesë tonë.
“Ne nuk e kemi peshuar lëndën narkotike që kemi gjetur në banesën e shtetasit Shpëtim Lika dhe buzë Përroit të Kurvajës, por jemi të sigurt se kemi djegur mbi pesë tonë hashash”, shtoi i njëjti burim. Efektivë të policisë dhe prokurori Muça kanë qenë të pranishëm gjatë prishjes së staneve të Likës, djegien e lëndës drusore dhe dokumentimit të ngjarjes.
Gjithashtu, dje është bllokuar edhe një kamionçinë që Shpëtim Lika kishte përdorur për transportimin e bimëve nga Përroi i Kurvajës deri te shtëpia e tij në fshatin Rukaj.
“Ne dyshojmë se një sasi tjetër lënde narkotike është transportuar me këtë kamionçinë nga kjo zonë drejt Tiranës ose Durrësit”, pohuan zyrtarë të Prokurorisë Mat. Sasi të mëdha bimësh të pjekura ishin magazinuar në një shtëpi të braktisur dhe në banesën e Likës, të cilat ishin gati për t’u tregtuar.
“Në momentin kur ne mbërritëm në parcelat e hashashit, shoferi i kamionit mundi të na largohet me shpejtësi. U vumë në ndjekje, por ai shfrytëzoi terrenin dhe errësirën”, thanë burime të Policisë. Megjithëse sasia e lëndës narkotike të sekuestruar është rekord, Policia dhe Prokuroria e Matit ndahen në qëndrimet e tyre. Organi i Akuzës ka dyshime të forta se policia ka pasur informacion për këto parcela, pasi kultivimi ka nisur gjashtë muaj më parë dhe parcelat shiheshin me sy të lirë nga larg, mbi dy kilometra.
“Policia e ka pasur të detyrë të këqyrte gjithë territorin e rrethit. Aty kanë punuar mbi 30 veta për gjysmë viti. Bimët e shumta narkotike janë pikasur edhe nga banorët e fshatrave Rremull, Rukaj, Bruç, Urakë e Kodër Laç. Kohët e fundit banorët e fshatrave mbi Përroin e Kurvajës kishin njoftuar policinë se era e rëndë ishte shqetësuese. Ata nuk janë lejuar për gjashtë muaj të kullotnin bagëtitë në këtë territor”, thanë burime të Prokurorisë.
Ndërkaq, banorë të fshatit Rukaj shprehen se një ditë para fillimit të operacionit “dikush” ka njoftuar kultivuesit se duhej të merrnin masa për largimin e bimëve narkotike. Kjo ka bërë që Shpëtim Lika dhe punëtorët t’i braktisin parcelat e hashashit.
Prej së martës deri të enjten në darkë ka vijuar puna e policisë për shkatërrimin e parcelave, por vetëm në ditën e tretë të operacionit aksionet e saj janë bërë publike. Të mërkurën pasdite, kur mendohej se mund të kishte rezistencë nga kultivuesit, në ndihmë të Policisë së Matit kanë mbërritur mbi 30 efektivë të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë.
Pikërisht të enjten në darkë u raportua zbulimi i sasisë së drogës për të cilën burime të Policisë thonë se ka qenë mbi 5 tonë. Burime pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Mat saktësojnë se puna për gjetjen dhe sekuestrimin e bimëve narkotike do të vijojë me intensitet të lartë në të gjithë territorin e njësisë administrative Rukaj, pasi ka informacioni se parcela të tjera mund të jenë kultivuar në këtë zonë.
Po ashtu, të njëjtat burime thanë se çdo informacion i siguruar i raportohet Prokurorisë së Përgjithshme sepse mendohet se kemi të bëjmë me një grup të organizuar kriminal, i shtrirë dhe në rrethe të tjera të vendit.
Për më shumë mund të lexoi edhe …
DETAJE/ Konkurrenca “e egër”, shkodrani spiunoi magazinën e drogës në Mat
/web/DETAJE_Konkurrenca_e_eger_shkodrani_spiunoi_magazinen_e_droges_ne_Mat_26546_1.php
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/