Këshilli i Europës rrëzon listën e qeverisë për gjyqtar në Strasburg

Këshilli i Europës rrëzon listën e qeverisë për gjyqtar në Strasburg

56
0
Shares

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës ka rrëzuar sot listën e qeverisë me tre kandidatët e paraqitur prej saj për vendin e gjykatësit në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg.

Tre kandidatët e propozuar nga qeveria, Genti Ibrahimi, Sokol Berberi dhe Ina Rama, kanë udhëtuar në Paris për t’u intervistuar nga përfaqësuesit e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, por ata janë shpërfillur krejtësisht duke u informuar se asnjëri prej tyre nuk është i pranueshëm dhe nuk do të intervistohet fare, shkruan exit.al megjithëse nuk i referohet ndonjë burimi konkret.

Edhe pse nuk është bërë e ditur arsyeja e refuzimit, teorikisht hedhja poshtë e listës në bllok mund të bëhet për dy arsye: procedurat e brendshme të përzgjedhjes së tre kandidaturave nuk kanë qenë të ndershme dhe transparente; kandidaturat nuk plotësojnë aftësitë profesionale apo të integritetit, shkruan portali i lajmeve.

Refuzimi në bllok i listës është një ngjarje e rrallë në përvojën e Gjykatës. Krahas Shqipërisë, KiE ka rrëzuar këtë vit dy herë listën e Azerbajxhanit për zgjedhjen e gjykatësit që do zëvendësojë gjykatësin e tanishëm azerbajxhanas. Më parë, gjatë dekadës së fundit, janë rrëzuar nga një herë listat e Sllovenisë, Turqisë dhe Bullgarisë.

Tashmë qeveria shqiptare duhet të paraqesë tre kandidatura të tjera.

Gjykatësi shqiptar i tanishëm në Gjykatën e Strasburgut është Ledi Bianku, mandati 9 vjeçar i të cilit mbaron në mars të vitit të ardhshëm.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY