Image GalleryGazetari Urim Bajrami nëpërmjet dokumenteve, denoncon skandalin e qeverisë së Edi Ramës me ligjin që lejon importin e plehrave. Një shkresë zyrtare e qeverisë drejtuar kuvendit provon se qeveria është në dijeni të rrezikut që ka ky proces, e megjithatë e ka mbështetur projektligjin Shalsi – Baraj.
Më 3 gusht 2016, qeveria shpreh , zyrtarisht mendimin e saj për draftin. Në kopjen e dokumentit zyrtar të publikuar nga gazetari Urim Bajrami, mësohet se qeveria e mbështet parimisht atë për arsyen e vetme se nuk shoqërohet me efekte financiare shtesë në buxhetin e shtetit.
Kjo shkresë që mban emrin e kryeministrit Edi Rama dhe e firmosur në mungesë dhe me porosi të tij nga zëvendëskryeministri Niko Peleshi, pranon rreziqet që ka ky ligj. Rreziqet kanë të bëjnë së pari me ekzistencën e mundësisë që në Shqipëri të mblidhen mijëra kilogramë plehra. Së dyti, qeveria pranon po ashtu se përpara se të vendoset importi, duhet parë mundësia e rritjes së kapacitetit përpunues të mbetjeve vendase. Të dhënat zyrtare tregojnë se vetëm 17 % e mbetjeve tona arrijnë të riciklohen në vend. Kjo sasi përbën afro 30 % të nevojës që ka industria ricikluese. Thënë më thjesht, shifrat e dhëna nga qeveria, provojnë se industria ricikluese mund t’i plotësonte nevojat e saj vetëm me mbetjet urbane që gjeneron Shqipëria.
“Financiarisht, ekziston një rrezik që duhet marrë parasysh, rreziku i tregut. Të gjitha avantazhet e përmendura në relacion lidhur me rrjetin e ekspertëve dhe të vendeve të punës rrezikohen nëse ricikluesit nuk kanë kontrata solide me kompanitë që blejnë produktet e tyre. Ky nuk do të ishte vetëm një problem financiar për shoqërinë e riciklimit, por edhe për vendin, pasi do t’i ngeleshin milion kg mbetje të importuara shtesë.
Mendojmë se përpara se të hapen mundësi për importim mbetjesh, duhet të shihet mundësia për rritjen e efiçencës dhe sasisë së ricikluar në tregun vendas. Deri më tani nga të dhënat rezulton se në Shqipëri gjenerohen 386,728,650 kg mbetje në vit, nga të cilat vetëm 17 % e tyre riciklohet. Kjo tregon që 83 % e mbetjeve është në treg i paprekur nga kompanitë e riciklimit”.
Kjo është ajo çfarë thuhet në relacionin e Këshillit të Ministrave. Por një muaj më pas qeveria do të vendoste pro importit të mbetjeve, pavarësisht konstatimeve që e bëjnë të panevojshëm ardhjen e miliona kilogramëve plehra nga jashtë. Aq më tepër kur Shqipëria nuk i ka kapacitetet për të kontrolluar se ç’lloj mbetjesh do të hyjnë në vend.
Dokumenti zyrtar pranon se në Shqipëri përpunohen vetëm 65 milionë e 743 mijë e 870 kilogramë mbetje. Ndërsa pjesa tjetër prej 302 milionë e 984 mijë e 780 kilogramësh mbetje nuk arrin të përpunohet. Kjo është një ndër pyetjet që i është drejtuar këto ditë kryeministrit Edi Rama nga qytetarë të shumtë që po organizohen në protesta masive kundër tij: përse nuk riciklon mbetjet që gjeneron vendi përpara se të sjellë në Shqipëri mijëra tonelata plehra të vendeve të tjera?
Përballë këtyre të dhënave kokëforta kryeministri Edi Rama ka nisur një fushatë denigruese kundër atyre që e kundërshtojnë ligjin Shalsi – Baraj. Faktet e mësipërme, për të cilat është në dijeni kryeministri, jo vetëm hedhin poshtë justifikimet e tij se po importon plehra për të mbajtur në këmbë industrinë e riciklimit, por shtojnë edhe më shumë dyshimet se pas këtij ligji fshihen interesa të mëdha financiare, në mos interesa të mafies së plehrave.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/