DETAJE/ Avioni në Ishëm u ngarkua me 2 ton drogë, ishte i...

DETAJE/ Avioni në Ishëm u ngarkua me 2 ton drogë, ishte i treti transportues brenda ditës

46
0
Shares

Avioni i drogës që ra të enjten në Ishëm ishte i treti transportues i asaj dite që ngarkohej në pistën e Ishmit. Burimet saktësojnë se ngarkesa që mbante në bord avioni kishte 2 ton drogë. Ky ka qenë dhe gabimi i trafikantëve. Ata e kanë ngarkuar avionin më shumë se pesha që ai duhet të mbante. Avionë të tillë mbajnë deri në 1.5 ton ngarkesë, ndërsa trafikantët e kanë ngarkuar atë me 2 ton. Ky ka qenë edhe shkaku i rrëzimit të avionit.
Pasi ai ka rënë, trafikantët kanë bërë edhe krehjen e menjëhershme të zonës, duke e transportuar drogën në skafe. Kjo ka qenë edhe arsyeja që policia ka vonuar me tre orë reagimin për avionin e rrëzuar. Është provuar po ashtu se, avioni i pilotit Giudi nuk ka qenë i pari që ka bërë transportin e drogës drejt Italisë ditën e enjte. Ai ka qenë avioni i tretë i ngarkuar me kanabis. Dy avionët e tjerë kanë fluturuar para tij dhe nuk janë rrëzuar.
Prokuroria për Krime të Rënda kërkon ekspertë nga Ministria e Transporteve, konkretisht nga zyra për hetimin e incidenteve dhe aksidenteve ajrore, që të nxjerrin shkakun e rrëzimit të avionit në pistën e fshatit Gotull të Ishmit.
Grupi hetimor, ka kërkuar nga Ministria e Transporteve t’i vënë në dispozicion emrat e ekspertëve, të cilët kanë kualifikimin e duhur për të kryer ekspertizën e shkakut të rrëzimit të avionit. Burimet thonë se, pavarësisht kërkesës së organit të akuzës, kjo zyrë në bazë të Kodit Ajror duhet të hetojë shkaqet teknike të rrëzimit të avionit dhe më pas materialet t’i referojnë në Prokurori. Sipas hetuesve, në rastin e pilotit italian Guido Andra Guidi, kemi të bëjmë me incident edhe aksident. Pasi shkelja e hapësirës ajore dhe cënimi i saj nga piloti italian cilësohet si një incident, ndërsa rrëzimi i tij në pistën e sajuar në Gotull është aksident. Për këtë fakt, zyra për hetimin e incidenteve dhe aksidenteve ajrore në Ministrinë e Transporteve është e detyruar të kryejë hetimet konkrete për llogari të saj, pavarësisht kërkesës së Prokurorisë për kryerjen e ekspertizës së shkakut të rrëzimit.
Veç Ministrisë së Transporteve, mësohet se, Prokuroria për Krime të Rënda i ka kërkuar edhe Kapitenerisë së Durrësit dhe Forcave Detare, informacion për mjetet lundruese në det gjatë orëve të para të mëngjesit të së enjtes. Kjo për shkak se po hetohen edhe dyshimet e ngritura, se droga mund të jetë afruar pranë pistës së sajuar në Gotull të Ishmit nëpërmjet detit.
Sipas hetuesve, është kërkuar që brenda orës 03:00 të mëngjesit deri në ora 10:00 të paradites së enjte, të identifikohen të gjitha mjetet lundruese, që kanë kaluar pranë zonës ku u rrëzua avioni. Nuk dihet nëse Kapiteneria e Durrësit dhe radarët e saj kanë pikasur ndonjë mjet lundrues gjatë këtyre orëve pranë bregut.
Nga ana tjetër, prokurorët i kanë sekuestruar pasaportën pilotit italian, Guido Andrea Guidi dhe e kanë marrë në mbrojtje, pasi ka pranuar të bashkëpunojë me drejtësinë, duke dhënë detaje për trafikun e drogës. Burimet nga Policia dhe Prokuroria thanë se 69-vjeçari ka pretenduar se do të merrte nga 20 mijë euro për çdo 200 kg transport droge drejt Italisë. /RD/

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY