Masakrimi i investitorit të huaj, hetohet një biznesmen nga Durrësi

Masakrimi i investitorit të huaj, hetohet një biznesmen nga Durrësi

87
0
Shares

Biznesmeni libanez me pasaportë amerikane, Faad Mitri, i cili u dhunua pak ditë më parë në rrugën e Rinasit është marrë sërish në pyetje nga oficerë të policisë dhe prokurorisë. Burime pranë hetuesve të çështjes bënë me dije se ndryshe nga çfarë ai kishte deklaruar herën e parë, që dhuna ndaj tij nuk kishte lidhje me biznesin, këtë herë 54-vjeçari ka treguar se shkak i ngjarjes dyshon të jetë pikërisht prona në Gjirin e Lalzit, ku do të ndërtohet një resort turistik.
Pasditen e së shtunës, investitori i fuqishëm u dhunua nga persona ende të paidentifikuar, të cilët gjatë aktit barbar i kishin dhënë edhe mesazhin “Ik nga Shqipëria, ose ndalo punimet”.
Ndërkaq, burimet e sipërpërmendura sqaruan se nga hetimet e deritanishme, pista kryesore e kësaj ngjarjeje është duke u hetuar mbi atë të konfliktit për pronën. Duke treguar të gjithë kronologjinë e ngjarjes, 54-vjeçari ka rrëfyer para hetuesve se edhe më herët ka pasur kërcënime nga persona që nuk i njihte, apo persona që nuk i kishte parë ndonjëherë.
Burime konfidenciale të “Gazeta Shqiptare”, pohuan se dyshohet se pas dhunës barbare të ushtruar ndaj biznesmenit libanez, fshihet një biznesmen nga qyteti i Durrësit.
“Nuk mund të japim ende asnjë emër konkret për shkak se çështja është ende nën hetim, por jemi duke hetuar mbi një biznesmen nga Durrësi”, thanë burimet.
Ndërkohë ai vazhdon të qëndrojë i shtruar ende në një spital privat në Tiranë, ku ruhet nën masa të rrepta sigurie, nga dy efektivë policie të komisariatit numër 6, të cilët qëndrojnë gjatë gjithë kohës te dera e dhomës së tij.
Disa ditë më parë, persona të panjohur u përplasën qëllimisht me makinën tip “Mitsubishi”, me të cilën ishte duke udhëtuar biznesmeni. Agresorët sapo kanë dalë nga makina, kanë ushtruar dhunë ndaj tij si dhe ndaj drejtuesit të mjetit, personit me iniciale E. M. Ngjarja e rëndë u shënua në kryqëzimin e Laknasit me rrugën e Rinasit. Ditën e ngjarjes, policia e kryeqytetit tha zyrtarisht se dhuna ndaj këtyre personave u ushtrua për arsye banale gjatë konfliktit pas aksidentit. Kurse, autorët kanë qenë duke lëvizur me makinën tip “Tuareg”, me targa italiane të vjetra, e cila nuk rezulton ta ketë kaluar në rrugë zyrtare kufirin shqiptar.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY