Biznesmeni i huaj, Fadi Mitri, që u dhunua një ditë më parë nga persona ende të panjohur, jetonte prej vitesh në Shqipëri.
Sipas të dhënave në faqen e Qendres Kombëtare të Regjistrimeve, investitori me shtetësi amerikane dhe kombësi libaneze është administrator i kompanisë nga Katari “Omnix Albania”, e cila është regjistruar në QKR që në Mars të vitit 2008.
Kompania sipas të dhënave të deklaruara kishte si objekt aktiviteti zhvillimin e pasurive të paluajtshme, investime në infrastrukturë, turizëm botime, shërbime mediatike dhe publiciteti, aktivitetet në fushën e radios dhe televizionit, import-eksport, etj.
Sipas burimeve nga Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve, “Omnix Albania”, me administrator biznesmenin 54-vjeçar Fadi Mitri, ka nisur aplikimin për investitor strategjik tek AIDA dhe do të ndërtojë resort turistik multi-funksional me vlerë rreth 200 milion euro në Gjirin e Lalëzit. Sipas Agjencisë së Investimeve, punimet për këtë resort duhet të nisin nga puna pas disa muajsh, raporton TV Klan.
Edhe sulmi i djeshëm ndaj biznesmenit dyshohet paraprakisht se ka lidhje pikërisht me këtë investim që do të kryhet, pasi ai vetë ka deklaruar në polici se personat që e goditën i kërkuan të ndërpriste punimet ose të largohej nga Shqipëria.
Por edhe pse është regjistruar që në vitin 2008 në QKR, “Omnix Albania” nuk ka kryer ndonjë vëllim punimesh në bregun e Gjirit të Lalëzit, ku ka marrë disa mijëra metra katrorë toke për të ngritur një fshat turistik.
Një vendim i qeverisë i marrë në Gusht të këtij viti për shpyllëzimet, përcakton se sipërfaqja pyjore prej 28 hektarësh në ngastrat 70 A, B, C, D, të ekonomisë pyjore Rrotull, do të përdoret nga shoqëria “Omnix Albania”, për ndërtimin e një kompleksi turistik rezidencial.
Kjo sipërfaqe është e rrethuar prej shumë vitesh.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/