RRËFIMI I E PLOTË/ Gramoz Ruçi: Unë “agjenti i KGB-së” që trembja...

RRËFIMI I E PLOTË/ Gramoz Ruçi: Unë “agjenti i KGB-së” që trembja edhe diplomatët e huaj

59
0
Shares

Sekretari i Përgjithshëm në Partinë Socialiste, Gramoz Ruçi, i cili e mbante këtë post edhe në vitin 1996, në vijim të rrëfimit të tij në librin “Të jesh apo të mos jesh PS” të Ylli Polovinës, tregon përshtypjet që ka marrë nga politikanët perëndimorë dhe diplomatët e huaj, të cilët e njihnin atë si një njeri të ish-Sigurimit të Shtetit komunist.
Bazuar në akuzat që bënte vazhdimisht PD-ja në pushtet, sipas Ruçit, ata surprizoheshin se prisnin të takonin një njeri mbi të 60-tat e që kishte mbaruar shkollat e KGB-së sovjetike.
Në rrëfimin e tij, Ruçi tregon dhe atmosferën që mbizotëronte dhe brenda PS-së për të shkuarën e tij dhe për këtë ai ka kërkuar votëbesimin e tij në kryesinë e partisë.
Por pasi ka kaluar testin e votëbesimit, ai ka dhënë dorëheqjen nga detyra e sekretarit të Përgjithshëm, duke dhënë dhe disa arsye që kishin të bënin më shumë me frenimin e elementëve të korruptuar që po kërkonin në atë kohë të merrnin drejtimin e PS-së.

Ju keni qenë një nga drejtuesit e PS-së, që është sulmuar nga kundërshtari politik që në fillimet tuaja politike. Si e shpjegoni këtë fakt?
Kisha pesë vjet i zgjedhur me votë të lirë të anëtarëve të Partisë Socialiste. Sigurisht në këtë funksion dhe në kushtet shqiptare kreva luftën time politike. Me rivalët e mi, unë në asnjë rast nuk kam thyer rregullat e lojës. Madje, kundërshtari është munduar shumë të gjejë qoftë edhe një fjalë e jo një frazë të Gramoz Ruçit për ta lançuar në televizion. Por kujtoj këtu të gjitha fushatat elektorale. Nga kamerat e TVSH-së, Ruçi është regjistruar pa pushim, në sinkron, gjatë gjithë kohës që ka folur. Vetëm për të më gjetur një gabim e pastaj për të më degdisur në çdo emision lajmesh. Megjithatë, asnjëherë nuk gjetën dot.

Cili ishte perceptimi i socialistëve të thjeshtë?
Unë kam një të kaluar si të gjithë. Kam sjelljen, mënyrën time të të gjykuarit. Por pak njerëz më njohin ashtu siç jam, një pjesë e vogël u besojnë disa gazetave apo fjalëve të përhapura. Kështu që shumë socialistë, veçanërisht në bazë, më njohin fare pak, në mos aspak. Ata janë gjetur në pozitë të vështirë në ballafaqimin politik me kundërshtarët. Këta u drejtoheshin njerëzve me fjalët “Ju keni Ruçin në krye” dhe ata nuk kishin argumente për t’ua provuar se në fund të fundit, pa qenë ndonjë gjë e veçantë, unë isha njeri korrekt me të kaluarën dhe të tashmen time.
Kjo ka qenë arsyeja që në mjaft takime me njerëzit, ku kishte mjaft të djathtë, t’u përgjigjesha disa akuzave që më bënte pala e pushtetit dhe e rivalëve politikë. E bëja që njerëzit tanë ta dinin më mirë jetën time, por edhe idetë që më lëviznin mua. Kështu dhe i ndihmoja që të kundërshtonin me argumente sulmin kundër meje, sekretarit të Përgjithshëm të partisë së tyre. Sidoqoftë, kjo pa gjë nuk kishte kaluar.

Po brenda forumeve të Partisë Socialiste?
Rezervat ndaj meje tashmë i kishin edhe shokët e mi të ngushtë. Nuk e shfaqnin, por unë e ndieja, nuk ishte e lehtë ta kuptoje këtë “mërmërimë” që vinte deri te dera e zyrës sime, por nuk guxonte të trokiste aty dhe të hynte brenda. Të hynte brenda, të ulej në karrige e përballë meje e të më thoshte se çfarë mendonte negativisht për mua, ose të paktën çfarë dyshonte, ose çfarë flitej. Në asnjë forum të partisë, nga më i larti te më i ulëti, në asnjë mbledhje, aktiv apo çdo lloj tjetër tubimi, mua nuk më është bërë ndonjë vërejtje e rëndësishme, aq më pak nga ato që zhurmonin gazetat e qeverisë. Shumë njerëz nga tanët mendojnë se për të shpëtuar njëherë e përgjithmonë nga akuzat e Berishës duhej patjetër të më hiqnin nga kreu dhe më në fund do të binte paqja, sepse sulmi ishte i madh.

Po në kontaktet me përfaqësuesit e huaj që vinin në Tiranë, si ishin raportet tuaja?
Nuk ka mbetur politikan i huaj i ardhur në Shqipëri, i cili të jetë takuar me Sali Berishën apo me Pjetër Arbnorin dhe në sulmin kundër Partisë Socialiste të mos merrte si shembull Gramoz Ruçin. Nuk ka ngelur diplomat i huaj pa i përmendur se isha një “kapo” në drejtimin e PS-së dhe tashmë diplomatët më përfytyronin se duhet të kisha mbaruar ndonjë shkollë speciale të KGB-së. E të paktën të isha 60 vjeç. Ish-Sigurimi shqiptar patjetër, sipas tyre duhej të kisha dyzet vjet që e drejtoja. Ndërsa kisha qenë vetëm një mësues dhe dy muaj ministër i Brendshëm. Nuk kisha qenë as portier i kësaj ministrie në kohën e diktaturës. Me shumë nga politikanët, unë jam takuar. Edhe me mjaft nga këta, diplomatë dyshues. Ja një rast: takoheshim me kryetarin e politikës së jashtme të Parlamentit Europian. Ai erdhi në Shqipëri si i dërguar i këtij institucioni e u takua edhe me përfaqësuesit e Partisë Socialiste. Diplomatikisht dhe zyrtarisht, ai u takua edhe me përfaqësues të tjerë të Partisë Socialiste, por ne i dërguam një ftesë personale që të kalonte, nëse dëshironte, edhe një darkë me ne.

Pranoi të darkonte me ju?
Pranoi. Në këtë darkë isha unë, Kastriot Islami dhe Namik Dokle. Kur ai u prezantua me mua, shtangu. E kapa ç’po ndodhte dhe i thashë “Miku im, çfarë prisje që të shihje?”. M’u përgjigj “Një burrë me kasketë, të paktën rreth 60 vjeç”. Vazhduam bisedën miqësisht dhe i sqarova se kisha qenë ministër i “Sigurimit” vetëm dy muaj, në një qeveri teknike dhe kjo e gjitha pas pluralizimit. Në fund të bisedës të nisur nga fjalët “Pse, ju jeni Gramoz Ruçi?!”, ai shqiptoi: “A e di çfarë kanë thënë për ty?”. Filloi të më tregonte çfarë i kishin dëgjuar veshët në zyrat e shtetit dhe nuk harroi të bënte shaka “E paskan hak që të ‘shajnë’, shih ç’më bëre mua! E kisha bërë për vete”. Edhe një ndodhi tjetër. Ish-sekretari i Ambasadës Franceze po organizonte takimet e lamtumirës, sepse i kishte mbaruar shërbimi në Shqipëri. Vjen në selinë e Partisë Socialiste. E priti pothuaj e gjithë kryesia ekzekutive. Kur iu prezantova “Gramoz Ruçi” gjeta vend dhe shtova “Sigurisht, nuk më mendonit kështu”. M’u përgjigj “Po”. Vazhdova “Mos mendonit të ishit përpara një 60- vjeçari?”. “Po”, përsëriti. Diplomati francez ishte pak më i madh se mua dhe kishte ardhur në Shqipëri dy muaj para se unë të bëhesha ministër. Edhe ai më sqaroi se kishte menduar gjithnjë se kisha përfunduar ndonjë shkollë speciale dhe u habit kur i thashë se kisha qenë një mësues biologjie. Pastaj, biseda vijoi normalisht, por nuk ndenji pa thënë se çfarë i kishin shpifur për mua. Tregova vetëm dy raste, sepse ato janë shumë. E megjithatë, më të shumtët e diplomatëve dhe e politikanëve të huaj nuk takoheshin me mua, ata takoheshin me institucionet. Të gjithë ata merrnin vesh se Partia Socialiste ka një ish-inistër të Brendshëm. Dhe në të gjithë botën një ish-ministër i Brendshëm ka një hije të rëndë. Aq më tepër po të shtojmë se isha një ish-ministër i Brendshëm shqiptar.

Ju keni kërkuar votëbesimin tuaj në kryesinë e PS-së, për shkak të këtij sulmi që bëhej vazhdimisht për të shkuarën tuaj…
Shqetësimin tim se jo pak anëtarë të Partisë Socialiste kishin merak që po të spostohej nga udhëheqja Gramoz Ruçi, ajo do të shpëtonte nga sulmet e përditshme të Berishës, ia kam shprehur udhëheqjes së saj kolektive. Në një mbledhje ku u votëbesua kryesia e partisë, gjë që ishte një kërkesë e vetë kryesisë dhe e Nanos, ky veprim u refuzua nga mjaft anëtarë të Komitetit të Përgjithshëm drejtues. Në këtë mëdyshje në sallë besoj se ka qenë diskutimi im, i cili ndikoi në favor të kryerjes së procesit. Kështu, në atë mbledhje, pasi u zhvillua një debat i gjallë dhe luajal nga të gjithë krerët, edhe fjala ime kishte dy “shtylla”. Së pari, se porosia e Fatos Nanos për t’u votëbesuar kryesia është edhe pasojë e informacioneve të herë pas hershme që i shkojnë. Letrat e tyre preferojnë të fluturojnë në qelinë e Bënçës para se t’i thonë këtu, mes nesh. Së dyti, unë jam, thashë, sekretar i Përgjithshëm i partisë, dhe di se nëpër kafenetë, nëpër korridoret e PS-së dhe nëpër rrugë, shumë shokë kanë rezerva për Ruçin. E mira do të ishte të m’i thoshin mua. Për shembull “Gramoz, kemi këtë rezervë për ty. Kemi këtë vërejtje për punën tënde apo për të kaluarën”. Pastaj shtova “Unë respektoj edhe ata që m’i thonë edhe ata që nuk m’i thonë”. Megjithatë, më mirë me votë se edhe ata që nuk m’i kanë shprehur, ose nuk e kanë zakon të ta bëjnë vërejtjen përballë, e kanë këtë mundësi ta bëjnë me anë të votës demokratike. Unë do të respektoj vendimin që do të merret. Jam për votëbesim. Propozimi im u pranuar nga Komiteti i Përgjithshëm, u kalua në votëbesim dhe unë fitova.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY