Kryeministri Edi Rama ka reaguar në mënyrën më ironike të mundshme në lidhje me protestën e maturantëve, të cilët nuk janë klasifikuar si fitues në listën paraprake të fituesve nga universitetet. Për kreun e qeverisë, kjo është një nga të risitë e reformës që më të mirët, zgjedhin të parët.
“E drejta për të zgjedhur përcaktohet sipas meritës. Një maturant i shkëlqyer nuk mund të shkojë në 10 degë”, ka thënë Rama.
Por, sipas maturantëve, që kanë protestuar para Kryeministrisë, fitues në fazën e parë janë shpallur maturantë të cilët nuk kanë rezultate të larta, ndërkohë që maturantët që kanë pasur nota të mira ende nuk janë shpallur fitues në asnjë degë.
Postimi i plotë i kryeministrit Edi Rama në “Facebook”
Një nga risitë e Reformës në Arsim është më të mirët zgjedhin të parët! Po sigurisht, një maturant i shkëlqyer nuk mund të shkojë në tetë, nëntë apo dhjetë degë, ku shpreh fillimisht preferencën dhe del fitues! Deri në 20 shtator, çdo fitues në më shumë se një degë, do të regjistrohet në degën e vetme që do ndjekë dhe, automatikisht, të gjitha vendet e tjera që ka zënë përkohësisht në listën fituese, do të lirohen për shpalljen e fituesve të tjerë.
Pra, e drejta për të zgjedhur përcaktohet sipas meritës, me procedura transparente, jo më në errësirë sipas tarafit apo parasë… Rregullat janë të qarta dhe kush ndjek si duhet procedurat, padiskutim do të ushtrojë të drejtën e vet për shkollim të lartë, sipas meritës.
Suksese dhe mos harroni: Janë 25 mijë kuota për 27 mijë e 600 aplikues, kështu që ata që do mbeten jashtë në fund të procesit, do të jenë një numër i kufizuar e me rezultatet më të dobëta ndër gjithë të tjerët. Prandaj respekt për meritën e secilit dhe durim deri në përfundimin e procesit!
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/