Gjyshi i 4-vjeçares dhe xhaxhai i 18-vjeçares, që humbën jetën tragjikisht duke u mbytur në det, rrëfen momentet e tmerrit që përjetoi familja e tyre.
Ai ka treguar për hetuesit që po punojnë për zbardhjen e kësaj tragjedie se vajzat i kishin kërkuar leje të futeshin për herë të fundit në det përpara se të ktheheshin në shtëpi.
“Ishim duke pushuar si familje. Kemi disa ditë që pushojmë këtu te ‘Shkëmbi i Kavajës’. Po bëheshim gati të largoheshim nga plazhi për t’u kthyer në shtëpi. Vajzat thanë të futemi edhe një herë në det, para se të largohemi për në shtëpi. I lejova dhe i këshillova të mos largoheshin, pasi nuk dinin not.
Vajza e madhe e mbante përdore vajzën e vogël dhe u futën e po luanin në breg të detit. Për një moment u përqendruam diku tjetër, duke munduar se ndodheshin akoma në breg. Pas pak minutash nisëm të shqetësoheshim, pasi nuk po i shikonim gjëkundi. Menduam se kishin ngatërruar vendin ku rrinim. Por nuk na shkonte mendja se do të ishin mbytur…”, mësohet të ketë thënë ai.
Në plazhin e Durrësit mungojnë rojet bregdetare, duke sjellë dhe tragjedi të tilla. Trupi i 4-vjeçares u gjet i pari, kurse pas disa orësh kërkimesh intensive, policia njoftoi se kishte gjetur trupin e pajetë të Irma Hidës, e cila rezultonte e zhdukur prej pasdites së të shtunës.
Kushërirat 4 dhe 18 vjeçe nga Elbasani kishin ardhur për pushime në plazhin e Durrësit te “Shkëmbi i Kavajës”, së bashku me gjyshin e 4 vjeçares, njëkohësisht xhaxhai i adoleshentes. Ato kishin kërkuar leje te 56-vjeçari të futeshin në det për herë të fundit atë ditë (rreth orës 17:30 të pasdites së të shtunës), por nuk u kthyen më të gjalla në breg të detit./Panorama/
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/