Ç’farë ndodhi me fituesit dhe me maturën…?! – Ose si po na...

Ç’farë ndodhi me fituesit dhe me maturën…?! – Ose si po na e marrin pak e nga pak te ardhmen

96
0
Shares

Image Gallery
Nga Kevin Jasini*

Ditën e djeshme mijëra maturantë prisnin me ankth rezultatet dhe emrat e fituesve në fakultete, rezultatet dolën, por fituesit ishin të paktë në numër.
Shumica e maturantëve mbetën të zhgënjyer e të mërzitur, e nuk flas këtu vetëm për ato te cilët me një mesatare 7, që prisnin t’i buzëqeshte fati me ndonjë vend bosh, por për pjesën dërrmuese të maturantëve me mesatare mbi 8.5 të cilët aspironin Mjekësinë, Inxhinierinë, Shkencat Politike, Informatikën apo degë të tjera e të cilët me dëshirë e pasion donin të ndiqnin studimet në Shqipërinë tonë të dashur e të ndikonin disi për mirë në të ardhmen e zymtë të saj.
Fill pas daljes së rezultateve, në  rrjete sociale shpërtheu një revoltë ndaj zonjës Ministre, Ministrisë së Arsimit, Qeverisë, Kryeministrit dhe Shqipërisë në tërësi.
Sot, një ditë më vonë shumë pyetje presin përgjigje.
Çfarë ndodhi me Reformën çudibërëse të arsimit, që do çrrënjoste padrejtësitë e do krijonte një sistem te drejtë?
Çfarë ndodhi me premtimin e znj. Nikolla, se nxënësit ekselentë jo vetëm që duhet të mos shqetësoheshin, por dhe do favorizoheshin nga kjo reformë?
Ku është zonja Ministre sot që maturantët dhe prindërit e tyre duan përgjigje???
Personalisht u habita jashtëzakonisht shumë kur pashë rezultatet. Me shumë mundim e me orë të tëra studimi arrita, ashtu si shume shokë e shoqe të miat, të përfundoj gjimnazin me një mesatare mbi 9 dhe në listat e djeshme të fituesve ajo mesatare ishte e 600-ta në radhë dhe në grupin e fituesve zor se shihje ndonjë mesatare mbi 9, ose dhe aty ku ishin, ishin shumë të pakta.
A ka mundësi që mundi i tre viteve i një nxënësi që vlerësohet me notë mesatare  9.3, të hidhet poshtë e të quhet si i pamjaftueshëm për një vend në një Universitet, i cili në listat e rankimit ndërkombëtar është i 6.215 në radhë?!
Fajin ministria apo fakultetet do ja hidhnin grup-lëndëve të përcaktuara kriter nga fakulteti, kryesisht lëndët me zgjedhje ku hynin Filozofia, Sociologjia, Psikologjia apo Historia e Artit ose e Baletit, por ato po harrojnë diçka. Në fillim të vitit shkollor 2015 – 2016, kur maturantët bën zgjedhjet e tyre, funksiononte sistemi me Kredite e Koefiçentë. Maturantët detyroheshin të zgjidhnin lëndë me koefiçent vështirësie më të lartë, lëndë të avancuara, në mënyrë që të siguronin një mesatare më të mirë. Nëse do bazohemi te ai sistem atëherë Filozofia, Psikologjia e Sociologjia do konsideroheshin me koefiçent vështirësie 1, me pak fjalë lëndë të thjeshta dhe do të ulnin mesataren, por Reforma çudibërëse e hodhi poshtë këtë sistem. Fakultetet e Ministria e Arsimit harrojnë gjithashtu dhe faktin se lëndë si Historia e Artit apo e Baletit, janë lëndë të predispozuara për shkollat artistike ndërkohë që ekuivalentja e tyre për gjimnazin është lënda e Arteve, lëndë të cilën të gjithë gjimnazet e kanë në kurrikulën bazë, por nuk u mor parasysh dhe ky fakt  dhe nuk u llogarit nota e Arteve në mesatare dhe ja ku jemi sot. Nxënësit fatlumë që kishin zgjedhur këto lëndë që me sistemin e kaluar të ulnin mesataren, nuk dolën fitues vetëm te një nga zgjedhjet e tyre, por te të gjitha duke na lënë ne të tjerëve në pritje.
Gjatë gjithë vitit shkollor të gjithë maturantët ishim dëshmitarë të një kaosi të paparë, ku mësuesit e drejtoritë e shkollave nuk dinin çfarë po ndodhte këtë vit sepse nuk kishte udhëzime nga ministria. Kishte shumë pyetje po askush nuk dinte të përgjigjej.
Në janar doli udhëzimi i parë për maturën dhe tashmë ishte shumë vonë për të ndryshuar zgjedhjet e bëra. Sërish dhe në janar e muajt që pasuan, ato udhëzime të ministrisë e bënin situatën akoma dhe më të paqartë se nuk ishin udhëzime por më shumë fjalëkryqe, ku gjithsecili bënte interpretimin e vet. Patëm fatin dhe të vizitoheshim nga zonja Ministre në shkollë dhe e vetmja gjë që na u tha ishte se si kjo reformë do na vlerësonte mundimin e se sa i padrejtë ishte sistemi i trashëguar nga paraardhësit e ministres.
Këtë vit kuptuam se Ministria jonë e Arsimit dhe drejtoritë në varësi të saj janë kampione të ndryshimeve në moment të fundit. Udhëzimet hidhnin poshtë njëra-tjetrën, mësuesit e drejtoritë e shkollave nuk kishin përgjigje të sakta për maturantët e këto të fundit prisnin ç’do bëhej me maturën. U ndryshuan kriteret, u ndryshua sistemi i llogaritjes së mesatares, u ndryshua vetë rëndësia e mesatares, u ndryshua provimi me zgjedhje i Anglishtes, që u kthye në Toefl Junior e ditën e provimit u mbyllën me orë të tëra maturantët në shkollë, në temperatura shumë të larta, në disa raste as shishet e ujit nuk u lejuan te futen,sepse mesa duket askush, as vetë të dërguarit e Ministrisë nuk e dinin si dreqin duhej te organizohej ai provim. Dilnin udhëzimet me datë 25 dhe pse udhëzimi i takonte datës 22. Jepej urdhër të ndiqej udhëzimi i vjetër, e diku rreth mesnatës dilte i riu.
Dhe ku jemi tani?
Prapë në pritje. 
Jemi në pritje të certifikatave të notave nga AKP-ja, të cilat akoma s’kanë dalë për shumë shkolla e pa ato nuk mund të bëhet dot regjistrimi në fakultet.  Jemi në pritje të udhëzimit për fazën e dytë të regjistrimeve. Jemi në pritje te kuotave bosh me shpresën që do na dalë një shkollë sa për të kaluar radhën, të marrim një copë diplome në shtet e me atë diplomë të krenohemi në Call Center. 
Presim…
Jemi në pritje dhe të daljes publike të ministres se Arsimit apo zëvendës ministres, drejtoreshës së AKP-së, dekanëve të fakulteteve ose rektorit dhe madje dhe në pritje të Kryeministrit ku do cilësohet ky proces si shumë i suksesshëm, si i vetëm në llojin e tij e do duartrokitet si një proces i prirë nga një reformë, e cila ngjalli shpresën për ndryshim te rinia shqiptare, ajo reformë që solli “Arsimin e Gjeneratës tjetër”, e sponsorizuar nga qeveria që erdhi në pushtet nga një milion shuplakat që populli i dha në zgjedhje qeverisë së kaluar, e që po i bie këtij populli me një milion e një shuplaka mbrapsht, por prapë populli nuk lëviz.
Vazhdojmë të presim dhe se dimë deri kur. Nuk kishim fatin e mirë të iknim për studime ne Francë apo diku në Europë, pranë fëmijëve të ministrave, ku do mund të dilnim të shkëlqyer e do krenoheshim që vinim nga Shqipëria, por fatkeqësisht do vazhdojmë shkollën këtu, në ndonjë fakultet ku Pedagogu të merr inat se ashtu ja ka qejfi, ku 10-ën e mban për vete se po ja dha studentit i rrezikohet vendi i punës e ku krenohemi për fitoret e kombëtares po mezi presim të zhdukemi nga Shqipëria.
Faleminderit Shqipëri!

* Kandidat për një vend në universitet

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY