Shumëkush mund t’i ketë qarë hallin kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, që nuk mundi të pushonte gjatë gushtit, pasi po merrej me hallet e kryeqytetit.
Kronikat e televizioneve kryesore e shfaqnin atë përditë duke inspektuar një rrugë, një kopsht apo duke prezantuar idetë për ujësjellësin, ndërtimet etj. Në çdo kronikë televizive, Veliaj shfaqej me zë dhe figurë, duke mbrojtur idetë dhe punën e tij. Çdo gjë është në funksion të parimit të tij, “një ditë, një punë”.
Por në fakt, gjithçka është një mashtrim propagandistik i rëndomtë. Në pjesën më të madhe të muajit Gusht, Erion Veliaj ka qenë, si pjesa më e madhe e njerëzve, pushim. Është më se normale që, pas një viti të ngarkuar me aktivitet, edhe Veliaj të pushojë dhe të jetë pranë familjes së tij. Por ai ka zgjedhur t’i bëjë pushimet, duke mashtruar publikisht se ka qenë në punë.
“Boldnews.al” ka të dhëna të sigurta se Erion Veliaj ka qenë për rreth 12 ditë jashtë Shqipërisë, në data 11 – 22 gusht 2016. Ai ka përdorur linjën ajrore “Turkish Airlines” për të shijuar ditët e pushimit.
Por, pavarësisht se ka qenë jashtë vendit, zyra e tij e propagandës ka shpërndarë çdo ditë në këtë hark kohor kaseta të gatshme, ku Veliaj ndiqte punime të ndryshme të Bashkisë së Tiranës.
“Boldnews.al” verifikoi daljet e tij publike në televizionin kombëtar Top Channel, duke qenë të sigurt se kronikat mbi aktivitetin ditor të kryebashkiakut të Tiranës nuk do të mungonin aty.
Dhe në fakt, bindja rezultoi e vërtetë. Ditën që rezulton se Veliaj është nisur me avion, në kronikat e Top Channel ai rezulton se ka inspektuar punimet për rikonstruksionin e pallateve “Agimi”, në Tiranë (http://top hannel.tv/lajme/artikull.php?id=333020).
Një ditë më pas, në datë 12 gusht, Veliaj, pavarësisht se kishte nisur pushimet jashtë Shqipërisë, njëkohësisht rezulton se ka vizituar kopshtin nr. 21 në kryeqytet (http://top-channel.tv/lajme/artikull.php?id=333102).
Të nesërmen, në datë 13, pushimet e Veliajt vijojnë jashtë kufirit shtetëror, por ai sërish shfaqet “magjishëm” në Tiranë, duke folur për investimet në Ujësjellës (http://top-channel.tv/lajme/artikull.php?id=333174).
Pas fundjavës pushim, ndërkohë që vijonte të ishte jashtë Shqipërisë, zyra e tij e propagandës e shfaq Veliaj sërish në Tiranë. Në datë 16 gusht ai shpërndan kumtin se vlera e pronës në kryeqytet është rritur për shkak të investimeve të Bashkisë (http://top-channel.tv/lajme/artikull.php?id=333345). “Boldnews.al” ka publikuar një këndvështrim lidhur me këtë zbulim të Veliaj, por kjo është çështje që është trajtuar më parë (http://boldnews.al/2016/08/18/taksat-rrisin-cmimet-e-apartamenteve-ne-tirane-veliaj-e-mohon-eshte-arritje-e-investimeve-te-mia/).
Në 17 gusht, vijojnë pushimet e Veliaj, siç vijon edhe mashtrimi publik se ai është në krye të punëve. Ai deklaron në kronikat e parapërgatitura se do të ndërtohen 20 shkolla publike në Tiranë (http://top-channel.tv/lajme/artikull.php?id=333434).
Në 18 gusht, kryebashkiaku, pavarësisht se gjendej në plazh, sërish shfaqet duke inspektuar punimet në njësinë 4 në Tiranë (http://top-channel.tv/lajme/ artikull.php?id=333490).
Dhe, në datën 22 gusht, ndërkohë që ka qenë në udhëtimin e kthimit nga pushimet, ai inaguron edhe kopshtin nr. 25 në kryeqytet. “Boldnews.al” ka mësuar se inagurimi i këtij kopshti ishte bërë rreth 3 javë më parë dhe stafi i kopshtit ka qëndruar në pritje për të parë vetën në televizion për shumë ditë.
Shumëkush e ka të qartë se kryebashkiaku Erion Veliaj është një personazh shumë i fiksuar pas prezantimit publik. Forca e tij kryesore është media dhe ai e shfrytëzon më së miri, në bazë të favoreve që krijon për pronarët dhe botuesit mediatikë.
Por, mashtrimet e vogla, si këto të ditëve të gushtit, e shndërrojnë atë në një personazh komik. Askush nuk mund t’i kërkonte llogari Veliajt se përse do të bënte pushim. Ai mund të mjaftohej edhe me sjelljen e idhujve të tij politikë lidhur me qasjen për pushimet. Kryeministri Edi Rama, i cili është edhe mentori i tij, i deklaroi hapur pushimet e tij në Dhërmi, madje duke postuar herë pas here foto familjare. Po ashtu, edhe presidenti amerikan Obama, të cilit Veliaj i vjedh shpesh idetë për foto, zhvilloi një konferencë për median para se të niste pushimet verore.
Vetëm Erion Veliaj duket se e ka të nevojshme të duket që është në punë. /BoldNews/
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/