AGRON GJEKMARKAJ/Heshtja e ambasadorëve për hashashin

AGRON GJEKMARKAJ/Heshtja e ambasadorëve për hashashin

67
0
Shares

Nuk kemi se si ta harrojmë filmin “Malet me blerim mbuluar” të Kinostudios “Shqipëria e re”, aq shumë sa ç’jemi bombarduar me propagandë në fëmijërinë tonë! Sot pa frikë ajo profeci ideologjike, në kuptimin e ngjyrës, është bërë realitet. Shqipëria bleron nga hashashi dhe jo nga uniformat jeshile të “partizanëve”! Askush nuk i thërret më “Lilo Labes”, por veç të panjohurve kureshtarë që kuturisin ndër ara që nuk duhet, për të vënë thembrat ku kishin majat.

Nga Jugu në Veri, pa dallim krahinor, i njëjti peizazh (temë e re për piktorët). Pa paragjykim gjethet e tij harlisen nën “hyzmetin” e shtetit shqiptar! Fjala hashash e ka mundur prej muajsh fjalën integrim, më të përdorurën në këto dekada! Me kultin dhe magjinë e hashashit rriten fëmijët dhe pleqërojnë pleqtë, fejohen vajzat në katund e në qytet! Flitet kudo për të, në kaza e në mëhallë, në rrugë e zabel, ndë hije e nën diell.

Ai është dermani, vetë vatani nën aromën e tij shijon zamani! Çdo ditë dalin fotografi që dëshmojnë shëndetin dhe mbrothësinë e kësaj bime ekstaziste në tokën pjellore të mëmëdheut! Një bie, qindra ngrihen. Një fidan pritet para kamerave, me qindra mbillen kur fiken ato! Lazarati i shkretë paskësh qenë veç një “shaka”! U gëzuam të gjithë kur perdja u ul dhe tragjikomedia e Lazaratit mori fund.

Me t’u kthyer në shtëpi heronjtë e lodhur nga “lufta” e Lazaratit, aty-këtu hashashi gjet “dinjitetin” e tij, sa në Labëri, aq në Gegni! Në sytë e dynjasë ia kemi dalë të jemi unikë me Kushtetutën e vitit 1976, ku shpalleshim si i vetmi vend ateist në botë! Përsëri mund ta fitojmë këtë primat me sipërfaqen e mbjellë me hashash në raport me territorin e paktë të këtij vendi gërryer shekujsh! Asokohe mburreshim me kromin, tani nën zë me tubat e narkotrafikut.

Dy janë mundësitë: ose çdo gjë bëhet nën kujdesin e segmenteve të caktuara të këtij shteti që për shef ekzekutiv ka Edi Ramën, ose Rama me të vetët kontrollon veç sheshin “Skënderbej” me grupin simbolik “Shqiponja”. Keq e për dreq, në të dyja rastet. Frika që sëmbon të madh e të vogël është se pranë së vërtetës rri hipoteza e parë! Në media është folur për një raport të Shërbimit Informativ Kombëtar, që akuzon për kujdestari shpirtërore ndaj hashashit drejtues të Policisë dhe administratorë lokalë!

Opozita ka shprehur shqetësimin se me paratë e fituara prej tij mund të blihen zgjedhjet e vitit 2017. Ky është vërtet një shqetësim dhe problem i madh, por jo më i madhi. Nëse një mbrapshti kësodore do të vërtetohet, Edi Rama, Rilindja etj., dëmin më të madh nuk do t’ua bëjnë zgjedhjeve të lira, demokracisë dhe standardeve të saj, jooo, kjo është vetëm njëra anë e medaljes! Kësisoj ata do të legalizonin në mënyrë fatale marrëdhënien e kësaj shoqërie me drogën.

Ajo, nëpërmjet politikës, fiton legjitimitet moral dhe ekonomik! Më pas formalisht edhe pak mund të jetë Edi Rama me të vetët Hyqymet, por pak më vonë do të komandojë krejt ajo. Eksperienca e vendeve latine apo e Filipineve e ka bërë të qartë para gjithë botës se çfarë ndodh me një vend kur narko-trafiku shndërrohet në industri shoqërore! Një vendi, pasi i ke siguruar varfërinë, siç i është siguruar ndyrësisht Shqipërisë, dhe i lë si rrugëdalje drogën, thjesht e ke përdhunuar për disa dekada!

Për dinjitet, krenari, kod etik, rend, ligj apo shtet të së drejtës pastaj do të ishte humbje kohe të zhgarravisnim më tej! Do të ishte paradoksale dhe cinike në një anë të flasësh për Reformën në Drejtësi apo për “Vetingun” si shpëtimtar, kur hija e gjetheve të hashashit nesër mund të mbulojë legjislaturën e re! Hashashi mund të reformojë vetë reformën, “vetingun” e votuar dje mujsharisht dhe ne të gjithë me radhë!

Fatkeqësisht, në vazhdën e denoncimeve dhe akuzave të përditshme, nuk përbën lajm rrëfimi tronditës i opozitës për këtë dukuri e as vetëmbrojtja dhe mohimi i këtij fenomeni prej shefit të ekzekutivit! Rutina shqiptare dhe intensiteti i ngjarjeve duket sikur na ka mësuar me të keqen, duke deligjitimuar çdo kauzë. Lajmi kësaj radhe duhet kërkuar te heshtja! “Gjumi” prej “shelegu” i ambasadorëve për këtë çështje është vërtet lajm që meriton vëmendje!

Prej vitesh, atërisht, me zë të butë dhe shikim dashamirës e të pikëlluar, na thonë hë bëni edhe këtë gjë dhe ju afrohet integrimi, hë bëni edhe këtë tjetrën se Brukseli po duket, hë vraponi o burra, luftoni korrupsionin me reformë se negociatat po ju buzëqeshin dhe nuk thonë asnjë fjalë për këtë katastrofë kombëtare, që na fërkon mustaqet dhe gudulis midenë, e cila falë nesh do të jetë, siç ka filluar të jetë, edhe problemi i shoqërive të tyre!

Shumë shpresa u ngjallën kur u fol dhe u veprua me ligj për dekriminalizimin e politikës! Por vlera e tij relativizohet tejet kur ke një territor të kriminalizuar dhe të mbuluar me ngjyrën e gjelbër! Ambasadorët kanë informacion të shumanshëm për gjithçka ndodh në këtë vend, ndaj heshtja i komprometon ata para opinionit publik shqiptar, por edhe para shteteve që përfaqësojnë, të cilat luftën ndaj trafikut e kanë prioritet në rangun e asaj ndaj terrorizmit! Heshtja nuk krijon stabilitet, as nuk i zgjidh problemet, përkundrazi!

Një ditë hashashi mund t’i rrezojë dhe mundë të gjithë, edhe politiken që do të përfitojë prej tij, duke zënë nën vete Shqipërinë. Ai ka politikat e veta “kulturore”! Mbase një ditë fantazistët në sqepat e shqiponjës së Flamurit mund të ënderrojnë dy degëza nga ai soj! Të nderuar Ambasadorë, nëse nuk ju duket hall, shprehuni për të si kuriozitet!panorama

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY