Deputetja socialiste Mimoza Hafizi ka rrëfyer për Mapo Magazinë lidhur me raportet e Rilindjes me PS, përqëndrimin e pushtetit në një grusht miqsh, ndërkohë që duket e paqartë se cfarë rruge do të ndjekin në politikë bashke me Ben Blushin.
Përplasja juaj në PS mund ta konsiderojmë për arsye ideologjike, përplasje si rezultat i autoritarizmit, shkelje parimesh apo çfarë?
Të gjitha bashkë. Por mbizotëron autoritarizmi si mënyrë sjelljeje antidemokratike. Prej tij rrjedhin pasojat e tjera.
Jeni angazhuar gjatë në PS, por si deputete keni mandatin e parë. A ndryshoi PS gjatë kësaj kohe apo mendimi Juaj për PS kur e shihnit atë jashtë dyerve të Kuvendit?
Unë PS e kam njohur edhe kur isha jashtë dyerve të Kuvendit, po kaq mirë sa ç’e njoh dhe sot. PS është parë dhe përdorur nga Rilindja si mjet për të marrë pushtetin. Me ardhjen në pushtet, sigurisht që sjellja e Rilindjes ndaj PS ndryshoi, përderisa qëllimi u realizua. Kjo shpjegon për mua diferencën mes PS para 2013 dhe asaj që patëm në vijim.
Si e shihni përfaqësimin e qarqeve të Veriut në parlament dhe në qeveri? A është vërtet ky niveli i përfaqësimit që shohim sot?
Përfaqësimi i veriut në Kuvend ka qenë më problematiku, shumë deputetë nga qarqet e veriut janë kontestuar nga opinioni publik. Kalimi i ligjit të dekriminalizimit erdhi për arsye të kësaj përbërjeje. Veriu nuk e meriton këtë përfaqësim. Veriu në historinë e Shqipërisë është Ndre Mjeda, Gjergj Fishta, Luigj Gurakuqi, Migjeni, Ramadan Sokoli, Prengë Jakova, Tish Daija, Çesk Zadeja, Jup Kastrati, Tonin Harapi, Mentor Quku, Pjetër Gaci, Fadil Kraja, Sami Rrepishti, Skënder Drini, Zef Çoba, intelektualë e politikanë që kanë shënuar kulturën dhe jetën politike. Veriu nuk janë kurrsesi këta tipa antishtet që shohim në parlament, pavarësisht se mund t’u shkojnë për shtat shijeve të udhëheqësve partiakë. Veriu, Shkodra, ka potencial pafund djemsh e vajzash që do e nderonin Kuvendin e Shqipërisë.
Prej 3 vitesh PS bashkëqeveri në një koalicion të madh për nga numrat me LSI-në. Por duket se bazat e këtij koalicioni këto javë janë lëkundur jo pak. Si e shihni të ardhmen e këtij koalicioni?
E ardhmja e këtij koalicioni më duket shumë e dyshimtë, pas një periudhe 3-vjeçare qeverisjeje të dështuar, që nuk i dha asgjë të mirë Shqipërisë. Eshtë e trishtueshme për këdo të shohë se si ky vend i bukur me diell, ujë e ajër, me male e dete, është i mbuluar me kanabis. Të shohë bashkëqytetarët që e braktisin pa kthyer kokën prapa. Ende më e rëndë kjo pamje është për mua, pasi luftova gjatë për diçka krejt tjetër. Ky koalicion siç duket, në errësirën e vet të formimit, nuk u ngrit mbi baza solide. Nuk u ngrit për një qeverisje më të mirë, por u lidh si pazar interesash. Dhe ja ku jemi! Këtij koalicioni nuk i shoh asnjë të ardhme të mirë për vendin. Ose pazari do të vazhdojë, ose do të prishet, por Shqipëria nuk është kërkund në këtë histori.
Në rast se do kemi një largim të LSI-së nga ky koalicion ashtu siç edhe ka paralajmëruar vetë kryetari i saj, vota juaj do jetë për një qeveri me vetëm 71 vota në parlament, për të cilën po flitet shumë ditët e fundit?
Nuk e di se çfarë do të ndodhë. Gjithsesi, vota ime do të jetë vetëm për të ndëshkuar këtë sistem politik të dështuar, që i ka sjellë kaq të zeza vendit.
Ju, së bashku me deputetin Blushi keni ndërmarrë një lëvizje brenda PS-së. Bëhet fjalë vetëm për një lëvizje që synon të demokratizojë dhe të kthejë ligjshmërinë në PS apo kemi të bëjmë me fazën e parë të krijimit të një force të re politike, që do jetë konkurrente në zgjedhjet e ardhshme parlamentare?
Në pamundësi të demokratizimit dhe kthimit të ligjshmërisë në PS, krijimi i një force të re politike, vërtet demokratike dhe me fytyrë europiane, do të ishte shërbimi më i madh për vendin.
A keni ju një ide të qartë se ku do ju gjejë politika në 2017, në cilën llogore?
Do të më gjejë padyshim në opozitë me këtë sistem politik të kalbur e të dështuar.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/