Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta mori pjesë në ceremoninë përmbyllëse të Kampingut të LRI-së në Jalë. Gjatë fjalës së mbajtur para të rinjve, Meta përgëzoi lidershipin e ri të Lëvizjes Rinore për Integrim për organizimin e këtij aktiviteti dhe për vlerat që ka përcjellë te të gjithë pjesëmarrësit.
“Unë përgëzoj, në radhë të parë lidershipin e ri të Lëvizjes Rinore për Integrim që tregoi edhe një herë tjetër atë që e kemi dëgjuar edhe nga partnerët ndërkombëtarë, të cilët punojnë me LRI-në, që gjeneratat në LRI sa vijnë dhe bëhen më të mira. Besoj se kanë qenë 5 ditë të mrekullueshme për të gjithë ju. Kanë qenë edhe për ne. Besoj se keni mësuar shumë nga njëri-tjetri. Por jo vetëm ju nga njëri-tjetri, por të jeni të sigurt që edhe unë kam mësuar shumë nga ju dhe shpresoj që edhe gjithë drejtuesit e tjerë të LSI-së që kanë qenë këtu, të kenë mësuar nga ju”, tha kreu i LSI.
Por, duket se me mesazhin e tij para të rinjve të LRI-së, Meta “i ra pragut të dëgjojë dera”, kur u shpreh për domosdoshmërinë e një transformimi të thellë shoqëror në një vend nga fëmijët e elitave të vetëkënaqura, të zhytura në arrogancë në egoizëm dhe individualizëm.
“Ne kemi nevojë për një transformim të thellë, për një progres të ri shoqëror që vjen përmes një solidariteti të ri, i cili në radhë të parë duhet të spikasë te të rinjtë dhe për të rinjtë në emër të së ardhmes së tyre dhe të gjithë vendit. Nuk mund të ketë ndryshime cilësore dhe shoqërore në një vend nga fëmijët e elitave të vetëkënaqura, të zhytura në arrogancë në egoizëm dhe individualizëm. Nuk mund të ketë shpresë një vend, në rast se nuk vihet në lëvizje ëndrra dhe aspirata e fëmijëve të familjeve më të thjeshta, për një ndryshim shoqëror, për një progres të ri shoqëror”, u shpreh kryetari i LSI-së.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/