Policia ka identifikuar personin i cili u plagosur dje te “Rruga e Kavajës”. Ai quhet Nelgert Astrit Pata, 34 vjeç. Mësohet se Ai ishte shënjestra e sulmit të djeshëm në Rrugën e Kavajës në Tiranë. Sipas policisë, në drejtim të Patës u qëllua njëherë me pistoletë, por 34-vjeçari arriti të shpëtonte, pasi plumbi i kaloi pranë veshit dhe vetëm e lëndoi lehtë. I plagosuri nuk u paraqit për ndihmë mjekësore në spital. Ai u largua nga vendi i ngjarjes pas konfliktit. Policia arriti të identifikonte Patën dhe po punon për kapjen e tij.
Përplasja me armë që ndodhi dje rreth orës 15:30 tre “Rrugën e Kavajës” pranë parkut të autobusëve. Sipas policisë, qenë tre persona që u konfliktuan me njëri-tjetrin, ndërsa njëri prej tyre qëlloi me armë. Sipas policisë, deri dje, asnjë person nuk rezultonte i dëmtuar nga të shtënat me armë.
Pas ngjarjes u shoqëruan dy prej personave të dyshuar të përfshirë konflikt.
Precedentët
I plagosuri mësohet se është një person me precedentë penalë. Në vitin 2009, ai dhe babai i tij rezultojnë të jenë dënuar me 31 vite burg dhe 13 milionë lekë gjobë nga Gjykata e Krimeve të Rënda për trafik femrash për qëllime prostitucioni.
Babë e bir, Nelgert dhe Astrit Pata u shpallën fajtorë për shfrytëzimin e të paktën dy femrave. Ndërsa për shfrytëzimin e një shtetaseje me emrin Brunilda, e paidentifikuar, gjykata e shpalli të pafajshëm të riun Nelgert Pata, për mungesë provash dhe faktesh.
Astrit Pata dhe i biri Nelgerti u arrestuan në vitin 2006, vetëm pak ditë pasi nga shteti norvegjez kishte mbërritur një letër- porosi, ku një shtetase me emrin Silvana Kalemi i akuzonte për trafikim dhe shfrytëzim prostitucioni. Gruaja rrëfente se ishte mashtruar nga Astrit Pata për martesë dhe fillimisht e kishte dërguar në Greqi. Më pas, Nelgert Pata e kishte trafikuar drejt Norvegjisë.
Për të marrë dëshminë e të shfrytëzuarës Kalemi, një trup gjykues i Gjykatës së Krimeve të Rënda mbërriti në shtetin norvegjez, ku gjatë përballjes me vajzën u vunë në dijeni të shumë fakteve kriminale.
Babë e bir janë akuzuar se në tetor të vitit 2005-ës kanë trafikuar një tjetër femër. Ajo quhet Albiona Ndreca dhe kishte një fëmijë të vogël. Dy të pandehurit Pata nuk i kanë pranuar akuzat e prokurorisë, duke pretenduar se nuk kanë lidhje me asnjë rast të trafikimit.
Plagosja
Ngjarja ku u lëndua 34-vjeçari u shënua pasditen e së dielës, rreth orës 15:45 minuta, kur tre personat e përfshirë në konflikt kanë qenë pranë një lokali në afërsi të ish- Parkut të Autobusëve, në kryeqytet. Burime pranë policisë bënë me dije se të tre këta persona, fillimisht janë konfliktuar me fjalë me njëri-tjetrin, duke përfunduar më pas deri në përdorimin e armëve.
policia e Tiranës, me t’u vënë në dijeni të ngjarjes nga banorë të zonës, shkoi menjëherë në vendin e ngjarjes dhe nisi punën për identifikimin dhe vënien në pranga të personave të përfshirë në konflikt. Po ashtu, hetues të çështjes sekuestruan edhe pamjet filmike të kamerës së sigurisë së një biznesi. Të njëjtat burime shtuan më tej, se nga këqyrja e këtyre kamerave vihen re tre persona duke u konfliktuar me njëri-tjetrin, ndërsa njëri prej tyre nxjerr pistoletën nga xhepi dhe qëllon vetëm një herë në drejtim të një personi.
Menjëherë pas kësaj, ata janë larguar nga vendi i ngjarjes, por policia mundi të ndalojë vetëm dy prej tyre. Zyrtarisht policia tha se nuk ka persona të lënduar, ndërsa burime pranë uniformave blu pohuan se objektivi mund të ketë marrë një gërvishtje të lehtë në vesh. Mësohet se dy personat e shoqëruar në polici janë dy shtetas kosovarë, Flamur Hoti dhe Anton Azizi, përkatësisht 26 dhe 31 vjeç.
Në vendin e ngjarjes, hetuesit nuk kanë gjetur asnjë gëzhojë, çka dyshohet që autorët e ngjarjes të kenë përdorur pistoletë me mulli.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/