Harta e Tiranes e ndare sipas zonave kadastrale
Shtëpitë dhe tokat mund të rivlerësohen në Tiranë bazuar në çmimet minimale fiskale të miratuara nga qeveria në vitin 2015. Për diferencat në vlerë që përfitohen mes çmimit të raportuar në hipotekë dhe atij që përmban vendimi i qeverisë paguhet vetëm 2% nga 15% që do të paguhej në kushtet e një transaksioni shitje nga pronari.
Amnistia fiskale për rivlerësimin e pasurisë, sipas çmimit të tregut do të nisë nga 1 shtatori duke qenë amnistia e dytë në harkun kohor të pesë viteve të fundit.
Amnistia parashikon që taksa për rivlerësimin, pra që do të paguhet për diferencën e çmimit të mëparshëm dhe atij sipas vlerës së tregut e llogaritur me çmimin minimal fiskal, do të jetë 2 për qind dhe jo 15 për qind sa është aktualisht.
Gazeta Panorama ka botuar sot çmimet fiskale të apartamenteve për 11 zonat e Tiranës dhe për 25 zona kadastrale të pronave në Tiranë.
Afati i zbatimit të amnistisë do të jetë deri më 28 shkurt 2017.
Rasti-apartamentet
Në rast se një qytetar do të rivlerësojë apartamentin e tij do t’u referohet pikërisht çmimeve minimale fiskale të vendosura nga qeveria për zonën ku ndodhet shtëpia e tij. Kështu, në rast se një qytetar ka një apartament 100 m2 në zonën te Ministria e Jashtme, atëherë kjo i përkon zonës nr.2.
Për këtë zonë, qeveria ka parashikuar që çmimi minimal fiskal të jetë 187 mijë lekë m2. Në rast se ai do të rivlerësojë shtëpinë, atëherë vlera e re do të jetë minimalisht 18.7 milionë lekë. Në rast se qytetari e ka blerë shtëpinë me një vlerë prej 5 milionë lekësh, për rivlerësimin ai duhet të paguajë 2 për qind të diferencës të çmimit të shitjes dhe çmimit të rivlerësuar. Në këtë rast, diferenca është 13.7 milionë lekë dhe tarifa që ai duhet të paguajë në hipotekë është 274 mijë lekë. Pas kësaj pagese, vlera e shtëpisë së tij do të jetë 13.7 milionë lekë, sqaron eksperti i Panoramës.
Rasti-pronat
E njëjta logjikë vlen edhe për tokat, pra trojet. Pronarët e trojeve mund të bëjnë rivlerësimin e pasurisë së tyre, duke paguar vetëm 2 për qind. Kështu, një tokë prej 1000 m2 në zonën kadastrale nr.8120 në Tiranë ka një çmim minimal fiskal prej 29.106 lekësh/ m2. Në rast rivlerësimi, toka do të ketë një vlerë prej 29.106.000 lekësh.
Në rast se vlera e tokës së tij kur e ka blerë apo trashëguar ka qenë 10.000 lekë m2, atëherë diferenca nga rivlerësimi është 19.106.000 lekë. Qytetari duhet të paguajë 2% ose 382.120 lekë për të rivlerësuar pronën e tij, e cila merr një vlerë prej 29.106.000 lekësh. “Panorama” boton tabelat me çmimet e tokave dhe të apartamenteve, në mënyrë që çdo qytetar t’i bëjë vetë llogaritë e fitimit nga rivlerësimi dhe sa taksë duhet të paguajë, sqaron gazeta Panorama.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/