Një 36vjeçar është dënuar me 11 vjet burg nga Gjykata për Krimet e Rënda si autor i trafikimit të një 21 vjeçareje, nga një fshat i thellë i Elbasanit, në Tiranë.
Pas mbërritjes në kryeqytet, e reja është mbajtur e izoluar në një banesë 12 muaj, kohë gjatë së cilës është detyruar të prostituojë në këtë vend, si edhe në hotele të ndryshme në kryeqytet. Në përfundim të 18 seancave shqyrtimi gjyqësor, pak ditë më parë Krimet e Rënda vlerësuan si të provuar akuzën e “trafikimit të personave të rritur” ndaj të pandehurit Edmond Paço.Ai u gjykua në mungesë, pasi gjatë gjykimit rezultoi të jetë në Greqi nën një masë “detyrim paraqitje”. Nga ana tjetër, ai ka një masë “arrest në burg” nga Krimet e Rënda ende të paekzekutuar.
Referuar dëshmisë së të dëmtuarës H.A., cituar në vendimin e Gjykatës, ajo ishte rrëmbyer në verën e vitit 2014 në një nga rrugët e fshatit të saj në Elbasan. Sipas vajzës, që aktualisht qëndron në një qendër të viktimave të trafikut, i ishte afruar një taksi nga e cila ka zbritur një person që i ka thënë se kishte shkuar për ta marrë. Ajo ka pretenduar se ka kërkuar të njoftonte familjen, por personi i ka marrë telefonin e ka lidhur nga duart dhe e ka futur në makinë.
Sipas hetimit, e reja ka mundur të largohet në mbrëmje dhe ka shkuar në një piceri ku ka kërkuar ndihmë. Në vijim, ajo është vënë në kontakt me Policinë, të cilëve u ka rrëfyer çfarë i kishte ndodhur, si edhe hotelet ku ajo ishte detyruar të prostituonte me klientë të ndryshëm.Sipas Gjykatës, nga gjykimi rezultoi e provuar se i pandehuri rekrutoi, gjeti, përzgjodhi, të dëmtuarën H.A., banore në një fshat të largët të Elbasanit, të paarsimuar, në kushte të vështira familjare, ekonomike dhe sociale dhe, duke përfituar pikërisht nga kjo gjendje e saj, e transferoi në mesin e muajin korrik 2014, në Tiranë, vend në të cilin ajo nuk kishte qenë më parë, e fshehu në banesën e tij dhe, për një periudhë prej rreth dy muajsh e shfrytëzoi për prostitucion, duke përdorur si vende shfrytëzimi banesën, rrugën dhe hotelin, duke siguruar përfitime materiale në favor të tij.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/