Përpjekja e Arben Frrokut për të jetuar i lirë në Holandë dështoi. Arratia dyvjeçare do të marrë fund pas pak ditësh, kur Ministri për Drejtësi dhe Siguri në Holandë të firmosë ekstradimin e Frrokut drejt Shqipërisë. Vrasësi i Komisarit Dritan Lamaj do t’i rikthehet qelive në burgjet shqiptare, aty ku është dënuar të qëndrojë përjetësisht.
Trupi gjykues në Holandë rrëzoi pretendimet e vrasësit, i cili thoshte se në burgjet shqiptare i rrezikohej jeta. Sipas vendimit, të siguruar nga ABCNews, gjykata e Amsterdamit pranoi kërkesën e drejtësisë shqiptare për ekstradimin e Arben Frrokut.
Dosja e plotë mbërriti në Amsterdam 20 korrik të këtij viti. Ajo përmbante vendimin e formës së prerë të gjykatës shqiptare për dënim të përjetshëm.
Gjykata holandeze vlerësoi se Frroku nuk solli provat e mjaftueshme për të penguar ekstradimin e tij. Gjyqtarët holandezë arsyetuan se Arben Frroku pranoi me dëshirë avokatin gjatë procesit në Shqipëri. Kjo do të thotë se ai ka pasur mundësi të mbrohet.
U hodh poshtë pretendimi i tij se i rrezikohej jeta nga gjakmarrja, duke i konsideruar burgjet shqiptare të sigurta.
Nga ana tjetër avokati i të dënuarit pretendonte se provat mbi të cilat është dënuar Arben Frroku nuk qëndrojnë dhe filmimet e kamerave të sigurisë nuk ishin të qarta. Sipas Frrokut vendimi për burgim të përjetshëm ishte i ndikuar politikisht dhe i korruptuar.
Mbi Arben Frrokun rëndon vendimi për burgim të përjetshëm. Fillimisht Gjykata e Krimeve të Rënda e shpalli të pafajshëm.
Trupi gjykues i përbërë nga Klodian Kurushi, Fran Prendi, Ardjan Mustafaj, Liljana Baku, me Kryetar Dritan Hallunaj i dhanë pafajësinë Frrokut dhe e nxorën nga burgu. Arben Frroku e shfrytëzoi vendimin për t’u arratisur, por gjatë kohës që ishte i lirë u zhvilluan zgjedhjet lokale. Në media u publikua një fotografi e Arben Frrokut në fushatën e Partisë Socialiste në Pukë. Denoncimi u bë ndërkohë që prokuroria kishte apeluar vendimin.
Vendimi i Apelit ndryshoi statusin e Arben Frrokut. Ai u shpall fajtor dhe u dënua me burgim të përjetshëm, por Frroku ishte larguar tashmë jashtë Shqipërisë.
Një vit më pas, në prill të vitit 2016, Arben Frroku u arrestua në aeroportin e Amsterdamit me dokumente të falsifikuara. Vrasësi i Dritan Lamajt lëvizte nën emrin Renato Tsepa. Rikthimi i tij në burgjet shqiptare nuk do të jetë i njëjtë. Në qelitë e burgjeve do të gjejë edhe vëllanë e tij Mark Frrokun.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/