Ndryshimet kushtetuese që lidhen me reformën në drejtësi hyjnë sot në fuqi pas votimit me 140 vota. Por megjithatë ndryshimet nuk mund të zbatohen.
Ndryshimet në Kushtetutë duhej të ndiqeshin nga miratimi i 7 ligjeve të tjera të lidhura me paketën në drejtësi. Miratimi i projektligjeve do të fillojë me ngritjen e institucioneve të reja të Drejtësisë, si Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Këshilli i Lartë i Gjyqësorit, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Byroja Kombëtare e Hetimit dhe Njësia e Posaçme Antikorrupsion, po ashtu dhe Këshilli dhe Komisioni i Apelimit që do të kryejë procesin e vetingut.
Kushtetuta e re e detyron Presidentin që 5 ditë nga hyrja në fuqi e ndryshimeve të hedhë shortin për emërimet e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Por Presidenti nuk ka ligj i cili e ndihmon atë të zbatojë Kushtetutën. Presidenti prej disa ditësh po zhvillon konsultime me ekspertë të ligjit dhe politikanë për vendimin që i duhet marrë. Ai është para dy dilemave: të hedhë shortin pa bazë ligjore, ose të mos zbatojë Kushtetutën, duke ia kaluar këtë kompetencë Parlamentit.
Nënkryetari i Komisionit të Ligjeve, Oerd Bylykbashi, ka thënë për “Report Tv” se ky ngërç u krijua për shkak të draftit të njëanshëm kushtetues që miratoi maxhoranca. “Përtej konsensusit politik, e kemi thënë që në fillim të procesit që drafti i njëanshëm kushtetues kishte probleme të rënda në lidhje me sistemin e institucioneve.
Shembull për këtë ishte KED, i cili ishte guri i themelit të arkitekturës së kapjes politike. Ne arritëm ta zhbëjmë këtë aspekt, por me insistimin e PS-së, KED mbeti në Kushtetutë si një apendicit, që më shumë krijon probleme në zbatimin e Kushtetutës.
Dhe ja, ekspertët e qeverisë kanë hartuar draftin në mënyrë të tillë që nuk mund të zbatohet, edhe pse Presidenti po mbledh ekspertë e parti politike që të gjejë një rrugëdalje nga qorrsokaku kushtetues. Kjo është reforma kushtetuese, kur Kryeministri dhe deputetët e tij deklarojnë se e votojnë pa e lexuar. Dhe ky është vetëm fillimi i problemeve”, u shpreh Bylykbashi.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/