Denis Zaka
Denis Zaka, pendohet në sallën e gjyqit dhe i kërkon falje familjarëve për vrasjen e kushëririt të parë të tij, Vladimir Murrizin në Greqi.
Në sallën e gjyqit të Gjykatës së Krimeve të Rënda. Denis Zaka e ka pranuar krimin e vrasjes me thikë të kushëririt, duke justifikuar veprimin se ka qenë në gjendje të dehur.
Ai ka shpjeguar edhe para gjyqtarit Dritan Hallunaj, se ishte nën efektin e alkoolit kur ishte konfliktuar me kushëririn Vladimir Murrizi, pasi ky i fundit e kishte cilësuar bashkëshorten e autorit si të pa moralshme. Kjo ka qenë edhe akuza e ndërsjellë më pas, që ka shtyrë dy kushërinjtë në një konflikt fizik ku Denis Zaka ka pranuar se e ka qëlluar me thikë kushëririn Vladimir Murrizin, duke i shkaktuar vdekjen. Më pas, për të fshehur trupin, Denis Zaka ka pranuar se ka varrosur atë anash një përroi në afërsi të fshatit ku dy kushërinjtë ishin punësuar si çoban nga familje greke.
Prokurori Vladimir Mara lexoi para gjykatës, kronologjinë e ngjarjes, duke lexuar edhe një pjesë të rrëfimit të krimit nga vet i dyshuari, që përputhet edhe me veprimet e kryera nga policia greke.
Sipas akuzës, i dyshuari Zaka e ka ftuar me 3 gusht kushëririn e tij Murrizi në fshatin grek për të filluar edhe ai punë si çoban. Nisjen e punës, e kishin festuar me alkool ku siç duket tepria ka shkaktuar edhe konfliktin mes tyre që më pas ka përfunduar me vrasje. Për vrasjen e kushëririt, Denis Zaka kishte mashtruar familjarët e viktimës, por që pas marrjes në pyetje nga policia e Fierit ai ka treguar të gjithë ngjarjen për të cilën edhe është arrestuar dhe do të hetohet për vrasje në familje.
Në sallën e gjyqit, Zaka tha se ishte penduar për krimin, por gjykata vendosi masën e sigurisë me burg pa afat.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/