Të huajt për Shqipërinë në TripAdvisor: Aty ku kamerieri të bën si...

Të huajt për Shqipërinë në TripAdvisor: Aty ku kamerieri të bën si pronar

95
0
Shares

Në TripAdvisor, një nga portalet amerikane më të famshme të turizmit në botë me përvojë 16-vjeçare, për Shqipërinë gjen mbi 43,000 komente e opinione. Si destinacionet më popullore renditen: Tirana, Saranda, Durrësi, Vlora, Shkodra dhe Ksamili. Ankesat për shërbimin në Vlorë, ku “stafi nuk buzëqesh dhe ku kamarieri të bën si pronar”

Në sytë e të huajve,  Shqipëria po maturohet si vend turistik, rekomandohet shpesh dhe me fjalë tejet pozitive. Ka destinacione të pazbuluara me natyrë që të lë pa frymë.
Kur vjen puna te pikat e dobëta, nuk ka asgjë të re, vazhdojmë të zhgënjejmë me cilësinë e shërbimeve dhe burimet njerëzore jo të specializuar, sidomos në zonën e Vlorës, ku “stafi nuk buzëqesh dhe ku kamarieri të bën si pronar”.
Ankesat më të shpeshta kryesore në faqen e TripAdvisor kanë të bëjnë me “yjet”, të cilat nuk përputhen me ato që të huajt gjejnë në të vërtetë. Natyrisht, ata nuk kanë sesi ta dinë që në Shqipëri ato janë vendosur sipas qejfit të pronarit.
Mikpritja është një nga vlerat më pozitive dhe tipari më dallues, me të cilin na karakterizojnë të huajt.
Ata vlerësojnë së tepërmi ushqimin e freskët, bio, por edhe kombinimet mes kuzhinës tradicionale dhe asaj ndërkombëtare.

Tirana, “hotele dhe restorante më me standarde”
Kryeqyteti shqiptar zë peshën kryesore te seksioni për Shqipërinë, duke qenë se ka edhe numrin më të madh të hoteleve (88) dhe restoranteve (509) për të cilat jepen opinione. Të huajt e vlerësojnë Tiranën për cilësinë e lartë të hoteleve dhe restoranteve. Një pjesë e tyre rekomandohen në mënyrë të veçantë. Më të vlerësuar janë hotelet në afërsi të qendrës së Tiranës. Elementet që merren në konsideratë janë: mirëmbajtja e dhomave, pastërtia e tualetit, hapësira, komoditeti i shtretërve, shërbimi i internetit Wifi, por edhe stafi.
Ndër hotelet më të vlerësuara nga TripAdvisor janë: Monarc, Dinasty, The Rooms, Hotel Airport, Theranda, Hotel Tirana, Vila Alba, Sar’Otel, Prestige, Mondial, City Hotel, Baron, Jolly, Millennium, Nobel, Bujtina e Gjelit, Vila Verde, Stela, Diplomat Fashion, Vila e Artë, Blloku, Victoria, La Boheme, Sky 2, Lot Botiquet dhe Capital.
Pjesa më e madhe e opinioneve për hotelet në Tiranë vlerësojnë vendndodhjen, stafin e kualifikuar dhe të sjellshëm, hapësirat e dhomave, sigurinë, pastërtinë, pajisja me facilitete etj.
Një pjesë e mirë e komenteve për hotelet në qendër dhe në afërsi të saj vijnë nga Britania e Madhe, SHBA-ja, por edhe Zvicra, Norvegjia, etj.
Ja se çfarë shkruan një turist nga Tel Avivi për një nga këto hotele, jo shumë afër qendrës: “Shërbim i përsosur nga A-ja te Z-ja. Staf miqësor dhe i këndshëm. Atmosferë bashkëkohore. Dhomë e pastër dhe komode. Në dhomën time gjeta: Mac, AppleTv, Tablet dhe makinën e kafesë”.
Ndërsa një turist nga Stokholmi i Suedisë e përshkruan kështu përvojën në një nga këto hotele: “Ne qëndruam dy net, bufeja e mëngjesit e mirë dhe dhomat komode dhe të rinovuara”.
Ndërsa ndër restorantet më të vlerësuara renditen: A la sante, Era, Delicatezze di mare, Otuim, Vita 99, Oda, Panoramic, Melograno, Taiwan, Amor, Balloni Dajtit, Sofra e Ariut, Funky Moustache, Sheqer Pikant, etj.
Vlerësohet me nota pozitive ushqimi, veçanërisht raporti me çmimin. Më të vlerësuara janë restorantet që ofrojnë gatime tradicionale.

Saranda: Shërbimi ka vend për përmirësim
Një nga destinacionet e preferuara dhe të këshilluara nga të huajt. Vlerësohet për afërsinë me Korfuzin (udhëtimi është i lirë), por edhe sepse ofron një sërë atraksionesh, si: detin, brigjet ranore e shkëmbore, kulturën, traditën e arkeologjinë. Ata që komentojnë për Sarandën, duke e rekomanduar si një destinacion “must”, janë nga Britania e Madhe. Referojnë se akomodimi në natë mesatarisht kushton 40 euro, ndërsa në përgjithësi, çmimet i vlerësojnë si të larta për standardet shqiptare.
Ndër hotelet më të vlerësuara renditen: Brilant, Brahamas, Agimi, Kaonia, Titania, Porto Eda, Jaroal, Aulona, Grand, Mediterrane, Royal etj.
Pjesa më e madhe e atyre që rekomandojnë hotelet në Sarandë janë familjarë, me origjinë britanike dhe italiane. Hotelet vlerësohen për raportin mes çmimit dhe shërbimit.
Në komentin e tij për qëndrimin në një nga hotelet e përmendura, një turist nga Rusia shkruan: “Qëndrim i këndshëm. Dhoma të pastra, me hapësira të bollshme, dy ballkone dhe dy banja. Lidhje e tmerrshme me WiFi dhe vetëm një nga dy kondicionerët punonte. Mëngjesi ishte i mirë. Stafi na shërbeu mëngjesin edhe ditën që ne u larguam. Vërtet miqësorë”.
Ndërsa një turist nga Londra e përshkuan kështu qëndrimin e tij prej 9 netësh në një nga hotelet e vlerësuara nga TripAdvisor në Sarandë: “Hoteli gjendej në qendër të qytetit. Është shumë i pastër dhe komod, mëngjesi i mirë. Por, kujdesi ndaj klientit duhet përmirësuar. Në recepsion askush nuk të ndihmonte me çështje të ndryshme të organizimit, si: ekskursionet, gjetja e një taksie etj…”.
Një tjetër turist britanik shkruan për një nga hotelet në Sarandë: “Nuk mund ta justifikoj klasifikimin me 3 yje për çmimin që kishte ky hotel. Mëngjesi ishte zhgënjyes. Megjithatë, nuk është se ishte ndonjë gjë më e mirë në Greqi, por të paktën nëse thua me 3 yje, duhet të ketë një gamë më të gjerë pijesh sesa thjesht ujë dhe ca lëngje frutash”.
Nga 88 restorantet që janë te TripAdvisor për Sarandën, vetëm 5 prej tyre kanë marrë certifikatën për ekselencë. Restorantet e qytetit bregdetar jugor vlerësohen për ushqimin e shijshëm, të gatuar mirë dhe të servirur me shije moderne.
Por, të huajt nuk stepen të vënë në dukje edhe “truket” që përdorin shpesh kamerierët shqiptarë kur përballen me të huajt.
Një turist nga Long Beach Kalifornia thotë:
“Ne nisëm të porosisnim një kane me verë shtëpie, por kamerieri na sugjeroi një shishe vere shqiptare, e cila kishte të njëjtën çmim. Në fund fatura na erdhi 2,200 lekë (rreth 17 dollarë). Vështirë të besosh se një kanë me verë shtëpie ka pasur të njëjtin çmim”. Ndërsa një turist nga Stokholmi i Suedisë shkruan kështu për përvojën në një nga restorantet e Sarandës, gjatë qëndrimit të tij dy javë më parë: “Pata pritshmëri të larta, por që për fat të keq nuk m’u përmbushën. Shërbimi ishte i ngadaltë (Welcome to Albania) ushqimi ishte i pakët. Vera ishte e mirë, por secila shishe kushtonte rreth 3,000 lekë”.

Durrësi: Ushqimi më i mirë se akomodimi
Qyteti më i madh bregdetar i vendit vlerësohet nga turistët e huaj për restorantet e mira ku hahet peshk i freskët, por edhe për hotelet luksoze me stafe të trajnuara.
Ndër hotelet më të vlerësuara në Durrës janë: Aragosta, Vila Lule, Bleart, Ani, Vivas, Oaz, Green Park, Arvi, Leonardo, etj.
Vlerësohet pamja që ofrojnë këto hotele nga deti dhe komoditetet.
Një turiste shkruan kështu për një nga hotelet me më shumë opinione në Durrës: “Dhomën e rezervova përmes TripAdvisor dhe e zgjodha me pamje nga deti, por kur mbërrita më thanë se ishte e zënë, edhe pse u tregova rezervimin. Më thanë se nëse doja të merrja një dhomë tjetër, duhet të paguaja ekstra, gjë që e bëra, pasi mbërrita vonë dhe nuk kisha zgjidhje tjetër. Pagova 90 euro/nata dhe nuk kishte ujë për të bërë dush. U pendova që e zgjodha”.
Ndërsa një turist nga Stambolli, Turqi, e përshkruan kështu përvojën në një nga hotelet e Durrësit:
“Ishte hera ime e parë në bregdetin shqiptar. Hoteli ishte 15 km larg nga qendra. Ndaj nëse jeni duke kërkuar një vend të qetë, ku mund të shijoni rërën, pishinën fantastike dhe ushqimin e mirë, ky është vendi që bën për ju”.
Për restorantet në Durrës (103 në website), të huajt ndanin opinione më pozitive. Mes restoranteve me më shumë komente, pesë kanë “certifikatën e ekselencës” nga TripAdvisor. Vlerësohet cilësia e ushqimit, veçanërisht prodhimet e freskëta të detit.
Por, ja se çfarë shkruan një turiste nga Belgjika: “Ne donim të shkonim te restoranti për të cilin kishim lexuar komente shumë të mira këtu, por taksisti na rekomandoi një vend tjetër. Nuk e dëgjuam dhe vazhduam në zgjedhjen tonë. Kur mbërritëm pamë se vendi ishte i errët, menduam se ishte mbyllur. Atyre iu desh një kohë e gjatë që të gjenin një kamerier që të na ndihmonte me anglishten. Në fillim, ne porositëm pica me fruta deti, por nuk i pamë kund ato, pastaj një tavë me karkaleca dhe as ata nuk i gjetëm në pjatë. Ëmbëlsira nuk kishte asgjë të veçantë. Nuk do të kthehemi më”.
Ndërsa një turiste italiane shkruan për përvojën e saj në një nga restorantet në periferi të Durrësit: “Për të shkuar në të duhet të udhëtosh në një zonë të varfër, mbi kodër. Por, aty do të gjeni një vend të këndshëm, ku ushqimi tradicional përzihet me atë ndërkombëtar. Ushqimi ishte shumë i mirë dhe i freskët. Kamerierët profesionistë dhe të këndshëm. Shumë i lirë për turistët nga BE-ja (15-20 euro).

Vlora: Kamerieri ta shpif
Vlora është një destinacion që tërheq vëmendjen e turistëve të huaj për natyrën, detin e pastër dhe ushqimin, por pika më e dobët mbetet shërbimi, komunikimi i burimeve njerëzore.
Numri i hoteleve që kanë marrë komente është i pakët, 15 dhe ndër më të vlerësuarit janë: Liro, Partner, Regina, Primavera, New York, Pavarësia, Helia, Edva, etj.
Ja se çfarë shkruan një turist nga Tampa, Finlandë, për një nga hotelet më të komentuar në Vlorë.
“Ne e zgjodhëm hotelin bazuar nga komentet e marra në TripAdvisor, por nuk e kuptuam përse vlerësimi ishte aq i lartë. Përveç pamjes së mrekullueshme nga dhoma dhe plazhit privat nuk kishte ndonjë gjë për t’u shënuar. Gjëja që të binte më shumë në sy ishte stafi. Askush nuk buzëqeshte. Të gjithë dukeshin jo të lumtur që punonin aty dhe askush nuk përpiqej të të bënte të ndiheshe e mirëseardhur. Ushqimi në restorant ishte i mirë, por çmimi nuk e justifikonte. Mëngjesi fillonte në orën 8.30, që ishte ca si vonë aq më tepër kur guida na kishte kërkuar që të ishim gati në orën 9. Kamerieri na tha se nuk mund të paguanim me kartë pasi ishte e mbyllur dhe menaxheri vinte vetëm pas orës 11:00. Falë Zotit që dhoma ishte e parapaguar dhe na u desh të paguanim vetëm disa shpenzime të vogla me cash”.
Ndërsa një turiste, e cila kishte qëndruar në Vlorë me familjen e saj në fund të qershorit, shkruante kështu: “Më duhet të them disa fjalë për qytetin e Vlorës. Pjesa e shëtitores përgjatë detit ishte në rindërtim. Gjithçka varet nga arsyeja se përse ke zgjedhur ta vizitosh. Nëse ke vendosur ta vizitosh për pushime dhe do të qëndron disa ditë, atëherë duhet të mendohesh dy herë, pasi pjesa më e madhe e bregdetit është e paaksesueshme, me mungesë infrastrukture për shkak të punimeve.
Nëse jeni për qëllime pune, atëherë mund të themi se pjesa tjetër e qytetit është mirë.
Por, le të kthehem te hoteli. Kishte parking dhe internet falas në të gjitha dhomat. Stafi ishte miqësor. Mëngjesi i freskët dhe me variacion”.
Një turist britanik shprehet shumë i indinjuar nga përvoja që pati në një nga restorantet bregdetare të Vlorës: “Nuk ka asnjë justifikim për sjelljen e kamerierit, që i dukej vetja si pronari. Në vend që të përgjigjej për pyetjet që ne i bënim në lidhje me menynë, ai bëri një monolog të gjatë për cilësinë e produkteve. Kjo na e vështirësoi shumë punën për të mësuar se cilat pjata mund të porositeshin. Cilësia e ushqimit (kur më në fund ai mbërriti) ishte e pranueshme, por darka na la një shije të keqe për shkak të sjelljes së kamerierit si një ‘prima donna’”.
Ndërsa një turiste tjetër nga Miçigani, SHBA, komentonte për një nga restorantet në zonën e Radhimës: “Porosita pasta, e cila supozohej se duhet të ishte bërë në shtëpi. Ishte e mirë, por jo e bërë në shtëpi, nuk ka arsye përse të gënjehet për këtë. Shërbimi ishte i ngadaltë dhe kamerieri po bënte truke që ne të paguanim më shumë. Vera ishte e mirë, por më e shtrenjtë nga ç’duhet, duke qenë se ishte e zonës. Duhet të bëni kujdes, pasi kamerierët ndryshojnë çmimet”.

Shkodra
Shkodra ka shumë pak hotele të standardit me “4 yje”. Nga turistët e huaj vlerësohen ato me vendndodhje të mirë, hapësira të bollshme dhe pastërti. Të vlerësuara janë edhe akomodimet e tipit “B&B”. Ndër to, në TripAdvisor përmenden emra, si: Colosseo, Argenti, Lake Km Zero, Hotel Europa, Rozafa, Tradita Geg & Tos, Florian Shkodra, etj.
Ja se çfarë shkruan një turiste nga Plovdiv, Bullgari, për përvojën e saj në një nga hotelet kryesore të qytetit: “Kishte shumë gjëra që mungonin, për ta konsideruar hotel me 5 yje, por për mua, ky klasifikim nuk është elementi kryesor. Qëndrova për dy javë dhe e shijova. Do ta zgjidhja përsëri, padyshim”.
Ndërsa për një nga shtëpitë e akomodimit, një turist nga Rockville, Maryland, shkruan: “Qëndrova në këtë shtëpi për 8 ditë. Familja ishte mikpritëse. Pjatat përgatiteshin nga perimet që merreshin të freskëta nga kopshti dhe buka përgatitej gjithashtu nga gruaja e shtëpisë. Djaloshi që e drejton realizon edhe ture dhe kjo është një ndihmë e madhe”.

Këshillat e të huajve për të vizituar Shqipërinë
Blog-et e turizmit ofrojnë një sërë këshillash për ata që duan të udhëtojnë në Shqipëri. Në to shkruhet se turistët nuk do të zhgënjehen. Deti Adriatik dhe ai Jon ofrojnë plazhe shumë të bukura dhe zona shpesh të virgjëra. Pavarësisht vështirësive ekonomike të trashëguara nga regjimi komunist, vendi ka bërë hapa të ndjeshëm përpara dhe ofron diversitet të rrallë kulturor.
Shpesh distancat duhet të shumëzohen me pesë përpara se të shkoni në itinerarin e duhur. Hartat nuk japin distancat e duhura, janë të vjetra në kohë. Ka shumë brigje dhe gjire të fshehura, që janë të vështira për t’u gjetur dhe për t’u prekur. Nuk duhet të lini pa vizituar qytetin e gurtë të Gjirokastrës që përshkruhet në romanin e mrekullueshëm të Ismail Kadaresë “Kronikë në gur”. Po kështu, edhe teatrin e vjetër të Butrintit.
Në Shqipëri, “Të bësh pazar” nuk do të thotë vetëm të bësh një biznes të mirë, por është edhe një formë politese. “Kënaqësia” mund të zgjasë disi dhe me të mund të arrini në një marrëveshje. Shqipëria ka një kod të veçantë që quhet Kanun e që përcakton rregulla që kanë të bëjnë me mikpritjen dhe mbrojtjen e udhëtarëve.
Ushqimi është një nga pikat e forta të traditës shqiptare. Gatimet unike, veç atyre me ndikim turk, grek dhe italian, janë të shumta. Mund të gjeni edhe një varietet të madh të prodhimeve të detit. Pija tradicionale është rakia dhe konjaku “Skënderbeu”.
Suveniret mund t’i gjeni në dyqanet e hoteleve, në qytet apo edhe në Pazar (veçanërisht në Krujë). Aty mund të blini qilima, prodhime argjendi dhe bakri, por edhe druri dhe alabastri.


Pro
– Vendi nuk është “pushtuar” ende nga turistët
– Ka 90 milje bregdetare me rërë dhe brigje të pashkelura
– Ka pesë liqene të mëdha
– Qytetërime të periudhave të tjera


Kundër
– Pajisje të kufizuara për turizmin dhe standarde jo shumë të larta të rrugëve
– Prania e korrupsionit dhe evazionit fiskal

 

“Monitor”

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY