Të trembura nga qeni i fqinjit, dy vajza të reja kanë njoftuar policinë për të denoncuar pronarin, i cili më pas është hetuar nga Prokuroria për kanosje. Gjatë hetimeve, Prokuroria pyeti të zotin e qenit, shtetasin Artur Kuta, i cili ka thënë:
“Kam një qen ‘Volpin’, i cili nuk është agresor, por është miqësor me çdo njeri. Isha duke shëtitur bashkë me qenin dhe ai, as nuk iu është afruar, as nuk iu ka lehur. Meqë jam kallëzuar për kanosje dua të them se unë, as u kam folur, as i kam kanosur vajzat”, thotë pronari i qenit.
E pyetur nga Prokuroria, njëra nga vajzat me inicialet E. Y., tha se shtetasi në fjalë ka një qen të bardhë dhe, për shkak se shoqja i ka frikë qentë, i kishin kërkuar që të mos u afrohej, ndërkohë që qeni sërish ka lehur.
Kjo situatë është bërë shkak, që mes dy palëve të shkëmbeheshin fjalë fyese.
“Të trembura, ne u larguam me vrap dhe pasi pamë një patrullë policie, i njoftuam për ngjarjen”, thonë dy vajzat.
Por organi i akuzës i ka pushuar hetimet pasi nuk ka vepër penale. Vetëm për këtë vit, në Prokurori janë hapur hetimet për 20 raste të dëmtimit të qytetarëve nga qentë me pronar. Por, të gjitha dosjet janë mbyllur, pasi në Kodin Penal nuk ekziston asnjë vepër penale që do të ngarkonte me përgjegjësi pronarët e tyre.
Sipas prokurorëve, megjithëse më së shumti hetimet janë hapur për plagosje, akuzë që ka rënduar edhe mbi pronarin e qenit agresor, nuk janë gjendur rrethana që do ta lidhnin vullnetin e të dyshuarit me përdorimin e qëllimshëm të qenit, si një armë për të dëmtuar dikë tjetër.
Për shkak se ka boshllëk në Kodin Penal, prokurorët thanë për Top Channel se ky precedent mund të zgjidhet me padi dëmshpërblimi në gjykatë, pasi rastet e dëmtimeve nga kafshët parashikohen vetëm në nenin 621 të Kodit Civil. /Top Channel /
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/