Pronari i hotelit: Si e njoftova nënën e italianit që humbi jetën...

Pronari i hotelit: Si e njoftova nënën e italianit që humbi jetën në aksidentin e Velipojës

74
0
Shares

Aksidenti i rëndë, që ndodhi dy ditë më parë në hidrovorin në afërsi të lagunës së Vilunit, ka vënë në alarm familjet e dy shtetasve italianë. Familjarët e viktimave (njëri ende i paidentifikuar zyrtarisht), në mungesë të një njoftimi nga autoritetet shqiptare, e kanë marrë lajmin e keq nga pronari i hotelit “Valz” në Velipojë.
Viktimat Giorgio Angelo De Serio, Artenisa Peraj dhe një tjetër që quhet Giovanni Sandguedolche, kanë shkuar në këtë hotel vetëm për pak minuta ku kanë kërkuar të këmbenin ca euro në lekë shqiptare.
Por, gjatë kësaj kohe, Giorgio ka bërë një “selfie” dhe e ka postuar atë në Facebook, duke bërë “check in” edhe hotelin. Ka shërbyer pikërisht kjo që nëna e tij, Emanuella Gazillo, pasi ka mësuar për aksidentin e rëndë me dy italianë të vdekur, dhe pasi nuk ka arritur dot të komunikojë për gati 17 orë me të birin, ka gjetur nëpërmjet internetin numrin e hotelit ku i biri kishte bërë foton e fundit. Gjatë komunikimit me pronarin, Zef Nikolli, ka qenë ky i fundit që i ka konfirmuar gruas lajmin e hidhur.

Z. Nikolli, në faqen e Facebook-ut të shtetasit italian Giorgio Angelo De Serio (Xhorxho Anxhelo), i cili gjeti vdekjen në aksidentin e rëndë një ditë më parë, është një foto “selfie” e tij në pishinën e hotelit tuaj. Kishin prenotuar te ju viktimat?
Të rinjtë që u aksidentuan me vdekje kanë ardhur në hotelin tonë për pak minuta, mund të them. Ka qenë ora afro 23:00 kur kanë mbërritur këtu te kafja e hotel “Valz”. Brenda ka hyrë djali me kaçurrela, që është identifikuar si Giorgio Angelo De Serio dhe vajza shqiptare, Artenisa Peraj.
Personi tjetër italian ka qëndruar jashtë në trotuar. Sapo erdhën, vajza kërkoi që të këmbente 60 euro me para shqiptare.
Unë i thashë se nuk kam, sepse më kishin mbetur vetëm euro dhe paund, sepse këtu në hotelin tonë ka shumë shqiptarë që vijnë nga vendet e Europës. Vajza më tha se i duheshin para shqiptare se kërkonin të shkonin diku tjetër për t’u dëfryer.
Atëherë një nga kamerierët mori 60 eurot dhe shkoi te një market këtu afër dhe i këmbeu me para shqiptare.

Komunikuat ju me ta gjatë kësaj kohe?
Gjatë kësaj kohe, Giorgios i pëlqeu pishina dhe mjedisi këtu dhe bëri një foto, që më pas kemi marrë vesh se e ka postuar në rrjetet sociale.
Djali tjetër italian qëndronte jashtë. Mesa mora vesh, nëna në Itali atij i kishte bllokuar kartën e kreditit dhe kishte mbetur pa para.
Më pas janë larguar nga hoteli ynë dhe vetëm kur kemi marrë vesh të nesërmen ngjarjen tragjike. E kemi përjetuar shumë të gjithë, unë dhe stafi i hotelit, sepse dukeshin njerëz të mirë dhe tejet të komunikueshëm.

Ju keni marrë një telefonatë edhe nga nëna e Giorgios. Pse ju telefonoi ajo?
Unë nuk e dija faktikisht se Giorgio kishte publikuar foton që ka bërë në hotelin tonë në rrjetin social “Facebook”. Ka qenë ora ekzaktësisht 19:15 e ditës kur ndodhi aksidenti, kur marrim një telefonatë në numrin e hotelit nga Italia.
Kur përgjigjem, dëgjoj një zë femre. Nisa të flas me të dhe u prezantua si nëna e Giorgios. Unë në atë moment nuk i njihja me emër asnjërin prej djemve italianë dhe nuk isha në dijeni se viktima ishte pikërisht djali që ishte në hotelin tim.
Më tha se kishte dëgjuar diçka për një aksident të dy shqiptarëve dhe dy shtetasve italianë në Shqipëri. Nisi të më përshkruajë djalin e saj, sepse kishte parë foton e tij në hotelin tonë dhe Xhorxho kishte “check in” vendndodhjen e fotos. Pasi ma përshkroi, e kuptova se bëhet fjalë për atë person që kishte qenë në hotelin tonë.

Çfarë i treguat ju, si reaguat për aksidentin e rëndë?
Nuk dija çfarë t’i thosha. Unë u mundova që t’ia zbus sa më shumë dhe bëja sikur ende nuk është shumë e sigurt. Pas një bisede të gjatë telefonike, nëna e Giorgios e kuptoi se djali i saj kishte vdekur dhe bëhej fjalë për të njëjtin person. Ajo më tha se kishte tentuar ta telefononte të birin vazhdimisht dhe nuk i përgjigjej njeri dhe se kishte dyshime të forta se viktima ishte pikërisht djali i saj. Shpërtheu dhe nuk u përmbajt. Ajo deri në atë moment që bëri telefonatën te ne nuk dinte asgjë dhe nuk kishte informacion, sepse askush s’i kishte treguar, edhe pse djali i saj kishte humbur jetën prej afro 17 orësh. Nuk e kuptonte se si askush nuk e kishte njoftuar, as Policia. U ndjeva shumë keq që isha unë ai që i përcolla lajmin për ndarjen nga jeta, edhe pse nuk ia thashë drejtpërdrejt, arriti ta kuptojë.

Mes viktimave është dhe një i ri tjetër, që Policia ende nuk e ka identifikuar. Keni pasur telefonatë tjetër ju nga shtetas italianë që interesohen?
Pasi kam komunikuar me nënën e Giorgios, mesa duket ajo ka lajmëruar familjarët e shokut të djalit të saj. Ka qenë ora 23:20 kur një tjetër numër italian nisi të komunikojë me mua. Pasi e pyeta se kush ishte, u prezantua si një kushëri i shtetasit tjetër italian, që dyshohej se kishte qenë në makinën që u aksidentua. Pasi komunikuam, kushëriri tha se fliste në emër të familjes së tij, babait dhe nënës. Më tregoi se një person me emrin Giovanni Sandguedolche ishte shok i Giorgios dhe se kishin udhëtuar së bashku drejt Shqipërisë, bashkë me vajzën nga Lezha.
As Giovani nuk iu përgjigjej telefonatave të tyre. Ata më dërguan fotografinë e tij, por unë nuk arrita ta identifikoj. Më pyetën se çfarë ka ndodhur. Edhe kush ëririt u mundova t’ia zbus deri sa e kuptoi se Giorgio dhe kushëriri i tij kanë humbur jetën bashkë me dy shtetas shqiptarë në një aksident. Edhe pse unë nuk e kisha parë, u vetëkuptua si nga ana e tyre, por edhe nga ana ime, se bëhej fjalë për të njëjtin person, gjithsesi një njoftim zyrtar familja e Giovannit nuk kishte për të se çfarë ka ndodhur. Më pas, deri vonë, kam komunikuar me ta dhe më pyesnin për gjëra të ndryshme, sepse shpresonin deri në fund që të ishte gjallë. /Panorama/
giorgio angelo de serio

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY