Demokratët nuk bien dakord në të paktën 10 pika me draft/ligjin që mban firmën e OPDAT dhe EURLAIUS, për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, i njohur ndryshe si “Vettingu” i cili tashmë ndodhen për reflektim në tryezën e ekspertëve të nivelit të lartë.
Këto 10 çështje Partia Demokratike i ka argumentuar në detaj në një material prej 55 faqesh.
Ekspertët demokratë kërkojnë detajimin e rolit të operacionit ndërkombëtar të monitorimit në proces dhe përputhjen e tij me amendamentet kushtetuese. Gjithashtu kërkohet rishikimi i rolit të ILDKPKI dhe Drejtorisë së Sigurisë së Informacionit të Klasifikuar në procesin e vlerësimit të pasurisë dhe kontrollit të figurës. Demokratët kërkojnë dhe detajim të procedurës së përzgjedhjes se anëtarëve të organeve të rivlerësimit.
Kundërshtimet
Oponenca e Partisë Demokratike nis që me tekstin e projektligjit, i cili sipas ekspertëve të selisë blu, nuk detajon procedurën e përzgjedhjes dhe emërimit të anëtarëve të organeve të rivlerësimit, si dhe procesin e vlerësimit të kandidaturave, duke e lënë kështu këtë proces në diskrecionin e organeve të përfshira në procedure.
Gjithashtu ekspertët demokratë i rikthehen sërish rolit të operacionit ndërkombëtar të monitorimit të cilin nuk e gjejnë të pasqyruar mirë në ligj.
“Roli i OMN dhe vëzhguesve ndërkombëtar të jetë në përputhje me nenin B dhe pikën 7 të nenit C të Amendamenteve Kushtetuese, që i koncepton ato si rojtarë që sigurojnë në veçanti transparencë, ndërsa kompetencën vendimmarrëse e lenë në duart e organit të brendshëm”.
Në opinionin e tyre, demokratët kërkojnë dhe rishkimin e rolit të Inspektoratit të Lartë të Kontrollit të Pasurive dhe Drejtorisë së Sigurisë së Informacionit të Klasifikuar.
“I gjithë procesi i vlerësimit të pasurisë dhe kontrollit të figurës duhet të rikonceptohet, në mënyrë që të japë të gjitha garancitë e nevojshme që do të arrihet rezultati i pritshëm. Masa e jashtëzakonshme e rivlerësimit duhet të zbatohet ekskluzivisht nga organet e posaçme të vettingut, pa asnjë rol aktiv të organeve ekzistuese, të kontrolluara apo nën varësinë e Kryeministrit”.
Standardet
Sipas PD, procesi i rivlerësimit duhet të përmbushë standardet për një proces të rregullt ligjor, duke mbajtur në konsideratë konstatimet e Komisionit të Venecias, ndërsa argumentohet se projektligji nuk detajon listën e plotë të komponentëve që përfshin vlerësimi profesional.
Për ekspertët demokratë, ligji i vlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve ka paqartësi për rastet e përjashtimit të kandidatëve nga konkurrimi, mënyrën dhe arsyet e këtij përjashtimi, si dhe të drejtën e ankimit për përjashtimin.
Periudha e vlerësimit profesional duhet të garantojë mos ndërhyrjen e organeve të vettingut në vendimmarrjen konkrete për çështje që kanë në dorë gjyqtarët apo prokurorët.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/