Librat që duhet t’ju shoqërojnë këtë verë

Librat që duhet t’ju shoqërojnë këtë verë

276
0
Shares

Në ditët e nxehta të verës, libri mund të jetë një shoqërues shumë i mirë. Më të kërkuarit janë ata “rozë”, por nuk mbeten pas edhe librat historikë. Botuesit sugjerojnë një mori titujsh, për të gjitha shijet. Kur të niseni, në valixhe mos harroni të merrni të preferuarin…
Thonë se libri nuk ka stinë. Por, në verë, leximi i librit të jep një ndjesi të veçantë, sidomos kur je me pushime. Diell, det, mal, natyrë, më në fund qetësi. Kohë e bukur për t’u shkëputur nga realiteti e për të qenë për pak kohë në një “botë” tjetër, mes personazheve e ngjarjeve pa fund.
Por, vera nuk është e mirë vetëm për ata që njihen si libra “të lehtë”, një fenomen që haset edhe në tregjet e tjera, por botuesit thonë se ka për të gjitha shijet dhe për çdo lexues.
Mjafton dashuria për të pasur librin në duar dhe për ta shfletuar. Një libër i mirë mbetet i tillë në çdo stinë dhe nuk ka shumë rëndësi nëse flet shqip apo në një gjuhë tjetër.
“Monitor” ju sugjeron disa tituj, ju duhet vetëm të zgjidhni.

Botuesit: Merreni me vete…
Një ose disa libra. Është më mirë sesa ta përjashtoni nga shoqëria juaj në këto ditë të nxehta. Qysh herët, shtëpitë botuese kanë bërë gati titujt, autorë shqiptarë e të huaj, bestsellerë dhe jo, klasikë e modernë, fitues të çmimeve të ndryshme ndërkombëtare etj.
Për drejtuesit e shtëpisë “Toena”, edhe pse gjatë verës është bërë traditë që të lexohen libra “të lehtë”, shijet e lexuesve për të gjitha grupmoshat mbeten të ndryshme.
Disa pëlqejnë të lexojnë një roman sentimental, psikologjik, thriller, kriminalistik etj., të tjerë zgjedhin një libër historik, monografik, kujtime apo ditarë. Shtëpia botuese propozon tituj të tillë, si: “Të gjithë premtojnë Parisin” të Nasi Lerës, “Gruaja me të zeza” e Vojsava Nelos, “Kufoma” e “Karuseli” nga Fatos Kongoli, “Veronika vendos të vdesë” e “Fitimtari është i vetëm” nga Paulo Coelho, “E gjora vajzë” apo “E fshehta e një vere” nga Lesley Lokko.
Nga botimet “Pegi” vjen një kolazh me titull “Romancë nën çadër”, ku këshillohen: “Asgjë s’i kundërvihet natës” nga Delphine de Vigan, “Leksioni i fundit” i Greta Pina, “Vajzat e rritura nuk qajnë” nga Fay Weldon, “Sytë e verdhë të krokodilëve” të Katherine Pancol apo “P. S., Të dua” nga Cecilia Ahern.
Shtëpia botuese “Dudaj” ka botuar një sërë titujsh ku secili prej nesh mund të gjejë veten.
Por, edhe pse botuesja e ka të vështirë të veçojë, sugjeron si tituj që nuk duhet të mungojnë në valixhe: “Nesër në betejë mendo për mua” nga Javier Marias. Ose “Vajza në rrjetën e merimangës”, vazhdimi i sagës Millenium të Stieg Larsson. “Zoti Guajn” dhe “Tri herë në agim” nga Alessandro Bariço janë për të mos u humbur gjithashtu. Për dashuruesit e thriller sugjeron Camilla Lackberg me romanin e saj të tretë në shqip “Gurskalitësi” dhe Joel Dicker “E vërteta mbi çështjen Herri Kjubert”. Ndër autorët shqiptarë propozohen: Besa Myftiu me “Dashuri në kohën e komunizmit”, Ardian Vehbiu me “Shënimet e Zotit Shyti” dhe Brunilda Zllami me librin e saj më të fundit “E premte pasdite”.
Shtëpia botuese “Saras”, nga seria e titujve, rendit: “Shtëpia e takimeve” nga Martin Amis, është një roman që nuk duhet të mungojë në leximet e verës. I ardhur në shqip nën përkthimin e Fari Laçkës, libri është një histori e jashtëzakonshme dashurie, përmes së cilës sheh sesi ish-sistemet totalitare mund ta shndërrojnë individin. Në qendër të librit është historia e dashurisë së dy vëllezërve me të njëjtën grua, hebrejen e bukur Zoja. Por, përtej kësaj historie dashurie, e cila mbart brenda gjithë stinët që jeton një njeri i përfshirë nga dashuria, libri është dhe një rrëfim historik e politik, mbi atë çfarë ndodhi në ish-Bashkimin Sovjetik pas Luftës së Dytë Botërore. Për lexuesin shqiptar, i cili ka ende në kokë pikëpyetjet e asaj çfarë ndodhi me komunizmin te ne, ky libër ndërton ura që të çojnë natyrshëm drejt përgjigjeve që historia e ka të vështirë t’i japë, por që letërsia e bën ashtu natyrshëm e lehtë. “Selam alekum baba” sprova e parë letrare e Mustafa Nanos, është padyshim një roman që të grish për ta lexuar. Të befason aftësia për të na zbuluar personazhe të jashtëzakonshëm, ashtu në jetën e tyre të thjeshtë, përmes të cilëve Nano ndërton një histori, gjithnjë në kufijtë e së errëtës, por që ka brenda doza të hulumtimit identitar e fetar të kombit e njeriut. “Përcaktimi i dashurisë së Marie Gjonit” nga Veton Surroi është një tjetër roman i mirë i ardhur së fundmi për lexuesin. Historia e Maries, të dashurës së fshehtë të një ish-informatori në Kosovën para dhe pas pavarësisë, i jep një tjetër dimension femrës, në historinë që ka identifikuar Ballkanin në këtë gjysmëshekulli. “Ambasadori i Melkizedekut” apo “Këmbët e gjarprit” janë dy libra të tjerë që do t’i sugjeroja për lexim nga Surroi. “Qyteti bri lumit” dhe “Shkrimtari dhe bota” nga V. S. Naipaul, janë dy libra të tjerë që në kohë të qetë me veten, mund të na pushtojnë e njëkohësisht të na çojnë në botë e kultura që në jetën reale do ta kemi të pamundur t’i takojmë. Titulli që nuk duhet humbur kurrsesi këtë verë për mua është “Ndërgjegjja e Zenos” nga Italo Svevo. Kryevepra e letërsisë italiane, tashmë është në gjuhën shqipe dhe pse me vonesë, dhe përmes rrugëtimit të Zenos në ndërgjegjen e tij, ky libër na bën të bëjmë një udhëtim në ndërgjegjen tonë, pas të cilit jam e sigurt që do të ndiheni më mirë.

Ndërsa problemet nuk kanë stinë
Shitja e librit në tregun shqiptar ka pësuar rënie të ndjeshme. Botuesit flasin për një shifër që mund të llogaritet deri në 20% e kjo ka ardhur kryesisht nga rënia e fuqisë blerëse, si dhe zhvillimit të teknologjisë dhe kanaleve të tjera të komunikimit.
Në botë, tendenca është krejt e kundërt. Shitjet për njësi të librit të printuar u rritën me 6% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2015, duke konfirmuar një gjallërim të këtij tregu. Shifrat konfirmohen nga raporti i Nielsen BookScan.
Për pjesën e parë të këtij viti, titulli që ka arritur të shesë më shumë kopje (458,000 të tilla) është “Oh, the Places You’ll Go!” nga Dr. Seuss.
Kategoria me rritjen më të fortë ka qenë ajo e librave jo-trillim, me rreth 12% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Flet Arlinda Dudaj, drejtore ekzekutive, botimet “Dudaj”

Ilaçi mund të gjendet te libri

arlinda dudaj, vogel

Arlinda Dudaj

Si kanë ecur shitjet e librit gjatë këtij sezoni krahasuar me një vit me parë?

Për hir të së vërtetës, shitjet e librit kanë rënë ndjeshëm, edhe pse në dukje ka interesim. E përkthyer në shifra ka një rënie me 20% nga viti i kaluar. Mund të rendis disa arsye si p.sh. rënia e ekonomisë, por edhe një krizë morale që e ka kapluar shoqërinë tonë, edhe pse në këto raste shpesh thuhet që ilaçi mund të gjendet te libri.

Duket sikur ka një rikthim te libri, veçanërisht nga ana e të rinjve…

Për të rinjtë duket sikur është kthyer në një trend të lexuarit dhe kjo është një gjë për t’u përshëndetur, por gjithsesi lipset të bëhet një punë reale për t’i përfshirë ata në biseda të mirëfillta për leximin, autorët dhe librin në veçanti.

A ka ndonjë tendencë të re në blerjen e librave?

E kam thënë përherë që janë gratë ato që lexojnë më shumë se burrat, në mënyrë absolute.

Si e parashikoni ecurinë e librit në pjesën e mbetur të vitit?

Do të doja të isha optimiste, por mesa duket e kam një kufi, shpresoj në një ngritje të lehtë gjatë Panairit të Librit, po gjithsesi, përfundimi do të ishte: Ky nuk ishte një vit i mbarë për librin.

Flet Alda Bardhyli, kryeredaktore, botimet “Saras”

Leximi, të kthehet si pjesë e jetës

alda bardhyli, vogel

Alda Bardhyli

Si po ecin shitjet e librit gjatë këtij sezoni krahasuar me një vit më parë?

Ndryshe nga një vit më parë, këtë sezon ka një rënie të ndjeshme të shitjes së librit. Kjo ndihet çdo ditë në libraritë tona. Numri i shitjeve nuk mund të krahasohet me atë të një viti më parë, po kështu dhe interesi i lexuesve. Ka shumë arsye për këtë krizë, duke nisur nga ajo ekonomike (çmimi i librave), e deri te rritja e dominimit të faktorëve të tjerë siç janë interneti, apo televizioni që tashmë po tregojnë se po kthehen në konkurrentë seriozë për librin. Ulja e shifrave të lexueshmërisë, dhe shitjes së librit, nuk është vetëm një akt shqetësues për bizneset, siç janë shtëpitë botuese, por edhe për vetë shoqërinë, e cila gjithnjë e më tepër po shmang mjetin më të rëndësishëm ushqyes të mendjes së saj, siç është libri. Rënia e shitjeve duhet të vërë në alarm më shumë se botuesit institucionet e kulturës, për të ndërtuar politika kulturore që do të nxisin leximin. Kultivimi i leximit si gjendje është një akt i rëndësishëm, për të cilën duhet angazhimi maksimal i Ministrisë së Kulturës, dhe pse vitet e fundit janë iniciuar projekte leximi, shifrat e shitjeve tregojnë se këto projekte nuk mjaftojnë, për të rritur ndërgjegjësimin dhe për t’i kthyer lexuesit te libri.

Duket sikur ka një rikthim te libri, veçanërisht nga ana e të rinjve…

Pavarësisht shifrave të ulëta të shitjes së librave këtë sezon, vitet e fundit është vënë re një rritje e raportit të të rinjve me librin. Por, krahasuar me uljen e interesit për leximin nga ana e të rinjve vitet e fundit, kjo rritje është e papërfillshme. Largimi i të rinjve nga leximi është ndoshta një nga ndodhitë më të trishta që ka ndodhur dekadat e fundit. Duhen motivime serioze dhe angazhime të tilla që do të mendonin politika të shëndosha kulturore, që leximi të rikthehej si pjesë e jetës të të rinjve.

A ka ndonjë tendencë të re në blerjen e librave?

Librat me karakter historik kanë pasur një tendencë në rritje vitet e fundit, dhe kjo shihet dhe në titujt që botuesit nxjerrin në treg çdo muaj. Kjo lidhet dhe me mungesën e informacionit që kemi pasur për më shumë se 40 vjet në çështjet e historisë, por dhe me dëshirën e lexuesve për t’u përfshirë në rrëfime për të shkuarën, sidomos komunizmin. Libra të kësaj natyre që mbartin brenda historinë, apo raportet e vendit tonë me vende të tjera, apo personazhe të ndryshëm protagonistë të historisë, kanë një lidhje më të shpejtë me lexuesin.
Por në stinën e verës, ka një tendencë gjithnjë drejt letërsisë së lehtë, apo librave të quajtur ‘rozë’, që mbartin histori dashurie. Libra të tillë të lehtë nën shezlong, nuk mungojnë nëpër librari çdo vit. Por jo vetëm në Shqipëri por edhe në botë, vazhdon të dominojë lexuesi femëror. Me intuitë femrat e kanë parë librin si përqafimin më të ngrohtë që do t’u duhet për t’i bërë ballë jetës.

Si e parashikoni ecurinë e librit në pjesën e mbetur të vitit?

Shpresoj që vjeshta të rrisë numrin e lexuesve që hyjnë në librari për të blerë një libër. Është shumë e rëndësishme rritja e raportit mes lexuesve dhe librit për vetë shoqërinë. Në këtë periudhë të fundit të vitit, gjithnjë ka një rritje të lexuesve, dhe për vetë Panairin e madh të Librit që mbahet në nëntor. Duket sikur panairet janë një nxitje jo vetëm për blerje librash, por edhe për lexime.

“Monitor”

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY