Një ditë pas ngjarjes së rëndë në burgun e Shënkollit, ku si pasojë e një zjarri të rënë në një prej qelive humbi jetën 1 i dënuar dhe u plagosen 7 të tjerë, 5 të burgosur dhe 2 gardianë, grupi hetimor vazhdon mbledhjen e provave dhe dëshmive për zbardhjen e kësaj ngjarje.
Nga të dhënat mësohet se Prokuroria ka siguruar dëshminë e një të dënuari, lidhur me zjarrin e rënë që i mori jetën të dënuarit Flamur Sula, 25 – vjeç nga Miloti. Burimet për Televizion Klan pohuan se dëshmitari ka qenë një nga personat që ka folur me 25 – vjeçarin Sula jashtë qelisë, para se të ndodhte ngjarja.
Sipas dëshmisë se të burgosurit, viktima ka qenë i mërzitur për shkak të disa probleme familjare. Ai rrëfeu se Sula më pas u fut në qeli duke vendosur poshtë krevatit disa bombula të vogla gazi, që përdoreshin për kafe dhe më pas i vuri flakën dyshekut.
Ky është një nga versionet që ka dokumentuar grupi hetimor lidhur me ngjarjen.
Nuk përjashtohet mundësia që zjarri të ketë shpërthyer pas një konflikti mes dy grupeve të dënuarish, por kjo mbetet ende e pakonfirmuar nga autoritetet.
Sipas këtij versioni, të burgosurit e qelisë numër 8 morën një bombul gazi që u shërbente për gatim dhe e futen tek dritarja e të burgosurve në qeline numër 5 dhe më pas i vendosën flakën godinës. Në katin e dytë të paraburgimit situata doli jashtë kontrollit.
Policia nuk i hapi dyert, edhe pse të burgosurit ishin në flakë brenda qelive. Në këto kushte, përreth 40 minuta, të burgosurit kanë qëndruar mes tymit dhe flakës. Në këtë situatë gardianët rrethuan zonën përreth burgut dhe kërkuan ndihmën e FNSH, për të shmangur një arratisje të mundshme nga kaosi i krijuar në burg.
Drejtoria e Burgjeve dhe Ministria e Drejtësisë njoftuan se shkak ishte shpërthimi i një bombule që përdorej për gatim. Por Inspektoriati Shtetëror Teknik dhe Industrial thotë se dërgoi në Shënkoll disa inspektorë, sipas të cilëve rezulton se nuk ka patur asnjë shpërthim bombulash gazi. /Tv Klan
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/