Diskutimi i projektligjit për funksionimin e Prokurorisë së Republikës së Shqipërisë ka sjellë debat mes dy partive kryesore të mazhorancës, PS – LSI. Sipas procesverbalit të mbledhjes me dyer të mbyllura në 11 korrik të siguruar nga Shqiptarja.com Petrit Vasili dhe Vasilika Hysi kanë debatuar dhe replikuar me njëri-tjetrin lodhur me kompetencat që qeveria do të ketë ndaj prokurorisë dhe kontrolli që do të ushtrojë ekzekutivi ndaj organit të akuzës. Vasili kërkon përcaktim të qartë ligjor që të shmangë abuzimet, ndërsa Hysi pretendon se nenet janë specifike dhe të qarta.
Pas kësaj përgjigjeje debati është fryrë pasi Vasili shprehet se nuk i kishte kritikat dhe sugjerimet për Hysin, por për relatorin e projektligjit, Ulsi Manja.
Debati në Komisionin e Posaçëm në mbledhjen e 11 korrikut 2016
Petrit Vasili – Unë kam marrë shkas nga neni 19, jo për përmbajtjen, por për konceptin e përdorur në nenet 19 dhe 20, që lidhet me rekomandimet e Këshillit të Ministrave. Në nenin 22 është: “nënrekomandimet e Këshillit të Ministrave, përkatësisht në luftën kundër kriminalitetit” e të tjera. Te formulimet, të cilat e rrëzojnë këtë koncept, që Këshilli i Ministrave jep nënrekomandimet përkatëse, është për t’u ndalur, sepse Këshilli i Ministrave ka ministrin e Drejtësisë si instrument të komunikimit dhe të kontrollit. Në një ligj, mundësia e së drejtës së kontrollit të jashtëm, inspektimit nëpërmjet Drejtorisë së Inspektimit apo funksionet bien, unë nuk e kuptoj, nuk do ta kuptoja edhe po të isha anëtar i qeverisë, se si Këshilli i Ministrave do ta ruajë urën e komunikimit, do të ketë mundësi të ndjekë dhe të monitorojë rekomandimet që jep, pasi është e qartë që jep rekomandime. Jemi dakord dhe me mirëkuptim të plotë që prokuroria do t’i zbatojë, por, si çdo detyrë, që duhet ndjekur dhe kontrolluar, kërkon instrumentin e saj. Meqenëse këtu shfaqet që rekomandimet e Këshillit të Ministrave dhe nënrekomandimet e tij kanë vlerë orientuese dhe përcaktuese, na duhet të rishikojmë në këtë dritë se cili është roli i instrumentit që ka qeveria natyrshëm, sepse, sigurisht, nuk është detyrë e ministrit të Arsimit, Shëndetësisë apo Financave të merret me këtë punë. Në këtë pikë unë them se duhet të ndalojmë seriozisht për ta pasur vërtet atë ndërthurje të punëve ndërmjet ekzekutivit, i cili ka një rol shumë të madh, edhe si përfaqësues i publikut, që e kemi thënë dhe është shfaqur edhe në komunikimet me shkrim që janë bërë me think tank-un, ndonëse ligji nuk ka reflektim për këto. Meqenëse po e diskutojmë, duhet të ndalemi dhe të gjejmë përcaktimet konkrete, pasi nuk ka asnjë institucion, cilido qoftë përcaktimi i tij, që të ketë mirëbesim absolut se i kryen detyrat në mënyrë perfekte. Të gjitha institucionet e shtetit shqiptar, ekzekutive apo gjyqësore, prokurori apo çfarëdo qofshin, funksionojnë mbi parimin e kontrollit reciprok. Kur ky kontroll apo monitorim sistematik brenda ligjit nuk ekziston, atëherë mund të sigurojmë pavarësi në dukje, të cilat janë me të gjitha premisat për një abuzivitet të jashtëzakonshëm dhe në vend që të ndërtojmë institucione të ekuilibruara, ndërtojmë institucione të çekuilibruara që, në emër të lirisë së tyre pafund, të moskontrollit dhe të mosmonitorimit bëhen nga zgjidhës problemi, në një problem të madh të shtetit. Po e them edhe një herë tjetër, nuk besoj tek asnjëri në shtetin modern pluralist që ekziston, i cili e ka monopolin e besimit absolut, të gjithë janë në një kontroll reciprok. Në këtë pikë, meqenëse merret ky koncept dhe nuk lidhet drejtpërdrejt me ndonjë pikë të caktuar të nenit, mendoj se nën dritën e përcaktimeve që ndodhin në nene respektive, të përcaktojmë edhe se si realisht mund të ndërtohen këto ura komunikimi dhe si mund t’i vendosim në ligj.
Fatmir Xhafaj – Keni gjë tjetër?
Vasilika Hysi – Në fakt, zoti kryetar, çështja që ngre zoti Vasili lidhet me orientimet e politikës penale. Kjo është kompetencë e Këshillit të Ministrave dhe rregullohet edhe në nenin 68 të projektligjit. Instrumenti është ministri i Drejtësisë, i cili, sipas nenin 68 të projektligjit, rekomandimet e Këshillit të Ministrave ua bën të njohura drejtuesve të prokurorive të të gjitha shkallëve, por me Kushtetutë, me standard, ai që përcakton orientimet e politikës penale është Këshilli i Ministrave, që ka në varësi Ministrinë e Financave, Ministrinë e Mirëqenies, Ministrinë e Drejtësisë, sepse , kur përcakton orientimet e politikës penale, nuk ke parasysh vetëm punën e prokurorisë dhe të Ministrisë së Drejtësisë, por edhe financat, shërbimet dhe rolin e një sërë institucionesh të tjera. Shqetësimi i zotit Vasili ka gjetur rregullim shumë mirë në nenin 68, ku përcaktohet qartë raporti midis Këshillit të Ministrave, prokurorëve dhe ministrit të Drejtësisë.
Fatmir Xhafaj – Dakord, por cila është ideja juaj, sepse nuk e kuptova?
Petrit Vasili – Fatmir, më fal! Unë nuk e kuptova proceduralisht. Këto sugjerime nuk ia drejtoj Vasilikës, por relatorëve dhe personave që kanë hartuar ligjin.
Fatmir Xhafaj – Dakord.
Petrit Vasili – Pavarësisht nga leximi integral i ligjit, unë nuk kam bindje absolutisht të tilla, siç i ka Vasilika, por nuk dua të debatoj dhe të komentoj me të, sepse hartuesit janë të tjerë dhe përgjegjësinë për mundësitë e reflektimit ose jo e ka relatori. Për sa i takon leximit të ligjit në mënyrë integrale, këto janë konkluzionet, të cilat unë i kam bindje të miat. Mund të ndajmë bindje të ndryshme, sigurisht, por nuk kam ndër mend të ndryshoj bindjet e mia nga komentet. Nga relatori dhe nga propozuesit i dëgjoj me kënaqësi, shikoj edhe çfarë mund të reflektoj për to.
Fatmir Xhafaj – Këtu flasim se si caktohet numri i përgjithshëm dhe ai duhet ta ketë një konsultim. Kur të arrijmë tek ajo, do të flasim. Po ju them se çfarë ndodh sot me Prokurorinë e Përgjithshme. Cila është ironia? Ai e kërkon çdo vit këtë gjë, pretendon çdo vit se ka njerëz dhe çon në Shkollën e Magjistraturës vetëm 5 vetë. Prokuroria është mbushur me oficerë. Në 4 vjet rresht, kërkesa për Shkollë Magjistrature është për 5 ose 7 veta, ndërkohë kërkesa çdo vit është për 30 prokurorë. Kur e ke ditur se duhen 30-40 prokurorë, ministria është një lloj balance, është një lloj filtri, është një lloj kontrolli dhe i thotë: hajde të bëjmë një studim bashkë. Duhen 40? Atëherë na duhet të rrisim numrin e atyre që duhet të përgatisim në shkollë për këtë gjë dhe më pas mund të jenë edhe prokurorët e specializuar e të tjera. Prandaj, është e domosdoshme të ketë një … Më pas është ministri që e koordinon me Ministrinë e Financave, sepse ai është përfaqësues qeverie, nuk është në emrin e tij personal.
…
Ulsi Manja – Po të shikosh frymën e ligjit, pikat e kontaktit për nenin 19 bëjnë fjalë për një kompetencë të prokurorit të Përgjithshëm, sepse përcaktimi i numrit i është lënë kompetencë kushtetuese prokurorit të Përgjithshëm, është këshilli dhe, sigurisht, edhe qeveria. Mua më duket se projektligji, në nenet që vijnë në vazhdim, ka bërë të njëjtin parashikim.
Fatmir Xhafaj – Dakord, por Këshillin nuk e ke fare këtu.
Ulsi Manja – Pra, marrëdhëniet me ministrin e Drejtësisë janë përcaktuar në mënyrë eksplicite në nenin 73. Përderisa qeveria jep rekomandimet për luftë kundër kriminalitetit nëpërmjet ministrit të Drejtësisë dhe në nenin 73 është parashikuar detyrimi i ministrit të Drejtësisë për të mbrojtur buxhetin e prokurorisë në Këshillin e Ministrave, lë të kuptohet një bashkëpunim…
Fatmir Xhafaj – Pse të mos e themi në mënyrë eksplicite, që të ulen dhe të bashkëpunojnë për këtë gjë, sepse është e lehtë të shtosh prokurorë?
Ulsi Manja – Nëse do të jetë nevoja, ta shikojmë në mënyrë eksplicite këtë formë bashkëpunimi.
Fatmir Xhafaj – Dakord. Shikojeni dhe reflektojeni.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/