Taksimi i çdo malli që blihet on-line nëse kalon vlerën e 22 eurove, është pasuar me debate në mbledhjen e qeverisë. Propozimin dhe vendimin e Arben Ahmetajt e ka kundërshtuar ministri i drejtësisë, Ylli Manjani i LSI.
Ministria e Drejtësisë thotë se nuk ka asnjë analizë si është arritur në këtë përfundim.
Kjo vlerë ka qenë deri tani 150 euro. Ka qenë Ministria e Financave në qeverinë Rama që e ngriti kufirin e tatueshëm nga 10 mijë lekë në 150 euro.
Qeveria miratoi dje vendimin, ku vendosi që kufiri i pa tatueshëm për blerjet on-line të jetë deri në masën 22 euro. Ndërsa, dërgesat e mallrave personale me postë që vijnë nga jashtë vendit nuk do të tatohen deri në vlerën 45 euro.
Debati
Ministria e Drejtësisë:
Projekt-akti nuk shoqërohet me një argumentim lidhur me përparësitë, problematikat, si dhe një analizë të detajuar të efekteve të pritshme për qytetarët.
Ministria e Financave:
Është rritur konkurrenca e pandershme, duke rënduar operatorët ligjorë, të cilët tregtojnë brenda vendit mallra të importuara, për të cilat kanë paguar detyrimet doganore në import.
Shume biznese të vogla, të cilat tregtojnë në dyqanet e tyre produkte dhe kryesisht veshje, apo dhe produkte elektronike dhe aksesorë të ndryshëm të tyre, bëjnë blerje on-line, duke përfituar nga kufiri tepër i lartë i pa tatueshëm për mallrat që importohen dhe që nuk e kalojnë vlerën 150 Euro.
Ministria e Drejtësisë:
Nuk ka asnjë analizë se si është arritur në propozimin e masës prej 22 dhe 45 eurosh.
Ministria e Financave:
Ashtu siç është shpjeguar edhe më parë, në relacion këto masa propozohen në përputhje me Direktivat e BEsë për këtë qëllim.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/