ANALIZA/ Vettingu s’mund të miratohet para fundit të gushtit

ANALIZA/ Vettingu s’mund të miratohet para fundit të gushtit

52
0
Shares

Miratimi i projektligjit të vetting -ut në seancën plenare të 11 gushtit është i pamundur. Kushtetuta dhe rregullorja e Kuvendit përcaktojnë qartë një set rregullash, që normojnë kohën që i duhet parlamentit për të shqyrtuar një ligj që kërkon shumicë të cilësuar për t’u miratuar, edhe në rastet kur mund të ketë situatë të jashtëzakonshme.
Neni 74 i Kushtetutës pika dy dhe tre e tij përcaktojnë se:
“2. Kuvendi mblidhet në sesion të jashtëzakonshëm, kur kërkohet nga Presidenti i Republikës, nga Kryeministri ose nga një e pesta e të gjithë deputetëve. (28 deputetë) 3. Sesionet e jashtëzakonshme thirren nga Kryetari i Kuvendit në bazë të një rendi dite të përcaktuar”.
A është vettingu një ligj që mund të kalojë në seancë të jashtëzakonshme?
Ekspertët janë të mendimit që po, por gjithsesi, për ta miratuar atë është detyrim ligjor përmbushja e procedurave parlamentare dhe kushtetuese. Nevoja e respektimit të procedurave vjen edhe për shkak se ky është një ligj delikat.
Neni 69 i rregullores, në pikën 3 sqaron se, edhe për rastet e situatave të jashtëzakonshme, duhet të kalojnë dy javë nga data e paraqitjes së projektligjit në Kuvend, që ai të futet në kalendarin e punimeve.
“Projektligjet nuk mund të futen në kalendarin e punimeve të Kuvendit pa kaluar të paktën dy javë nga data e paraqitjes së tyre, me përjashtim të rasteve kur në këtë Rregullore përcaktohet ndryshe”.
Procedura e përshpejtuar është e përjashtuar për këtë rast, pasi ligji i vettingut miratohet me 3/5. Ndaj afati që aplikohet është ai normal, prej dy javësh.
Thënë ndryshe, edhe nëse do të kishim një seancë plenare pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve kushtetuese në 11 gusht, më parë do duhej të kishte një kërkesë që të shqyrtohej projektligji i vettingut, e cila ende mungon dhe duket vështirë që të bëhet pa hyrë në fuqi baza kushtetuese e atij ligji, me paketën e miratuar me konsensus më 21 korrik.
Mosrespektimi i rregullores do të krijonte konflikt edhe me nenin 78 të Kushtetutës, i cili thotë se “Mbledhjet e deputetëve që mbahen pa u thirrur sipas rregullores, nuk sjellin asnjë pasojë”.
Projektligji nuk i është paraqitur Komisionit të Posaçëm të Reformës. Ai u është shpërndarë anëtarëve të komisionit mbrëmjen e të martës se 26 korrikut, por kjo përbën vetëm njohjen e tyre me një material pune dhe nuk konsiderohet paraqitje zyrtare në parlament.
Nëse ndiqet procedura kushtetuese, prej ditës kur hyn në fuqi paketa e ndryshimeve për reformën, data 27 Gusht duket më e mundshmja, që Kuvendi ta miratojë ligjin e vetingut.
14 ditë nga hyrja në fuqi e Kushtetutës së re, Komisioni mund ta miratojë ligjin e vetingut dhe raporti i tij i paraqitet Kuvendit jo me vonë se dy ditë para seancës, siç e përcakton neni 70 i rregullores së Kuvendit.
Duke i përllogaritur afatet në kohë minimale, nëse komisioni do të ndjekë edhe seanca dëgjimore me grupet e interesit, për shkak se bëhet fjalë për një ligj të rëndësishëm dhe delikat, kjo seancë do të zhvillohej në ditët e para të Shtatorit. Ndërkohë që me 4 Shtator nis edhe sesioni i ri parlamentar.
Kështu, mbledhja e parlamentit më 11 Gusht, menjëherë pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve kushtetuse, nuk do t’i shërbejë miratimit të ligjit të vetingut.
Një seancë në shkelje të rregullave kushtetuese, mund ta bëjë seancën nul dhe e ekspozon ligjin përballë ankimesh në Gjykatën Kushtetuese. /TVKlan/

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY