Nga përvoja ime e dikurshme si reporter i kronikës së zezë më ka rastisur të ndjek nga afër situata nga më të rënda, me vrasje, me arrestime, por edhe situata edhe me humor që lidhen me policinë. 20 vjet më parë ishte më se normale të shikoje në rrugë policë që shtynin furgonin apo edhe veturat e tyre të mbetura në rrugë nga defekte që pësonin. Lëre pastaj gjendja nga jashtë e brenda e këtyre makinave. Por edhe me më shumë nota humori ishin rastet kur policë me bidonë me benzinë apo naftë mbushnin serbatorin e makinës së mbetur në rrugë, ndërsa kriminelët jo vetëm iknin në drejtim të paditur me makina luksi por talleshin me policinë e varfër.
Këto janë dy foto që shoqërojnë atë që tha sot kryeministri Rama se në policinë shqiptare ndodhte tamam kështu. Dhe në një farë mënyre kryeministri ka të drejtë.
Por më shumë, më shumë fare, mua më është dhimbsur policia kur policë të ndryshëm, agjentë krimesh, miq me ne gazetarët, më kanë kërkuar celularin për të bërë një telefonatë të domosdoshme për ngjarje të ndodhur diku nëpër Tiranë sepse ata ose nuk kishin fare celular, ose kishin dhe nuk kishin kartë në të. Dakord zoti Rama që normalizimi i furnizimit me karburant i mjeteve të policisë, fytyra e re e policisë, masa të ndryshme të dukshme të sjelljes së policisë në rrugë, janë të domosdoshme dhe unë e përshëndes këtë që është bërë deri më sot në këtë drejtim.
Por a janë të mjaftueshme këta elementë për ta cilësuar policinë shqiptare të standardeve perëndimore?
Natyrisht që jo.
Me atë pagesë që kanë aktualisht policët dhe me atë status social që ata kanë, nuk besoj se politikanët tanë, ministrat tanë por edhe të tjerë, u thonë fëmijëve që kur të rriten të bëhen policë.
E gjithë shoqëria, kur ka një problem apo situatë, në mendje direkt i bie te polici. Por sa është bërë dhe bëhet për policinë nga klasa politike shqiptare? Besoj çdo shqiptar e ka gati përgjigjen e kësaj pyetje. Prandaj zoti kryeministër, për policinë asnjëherë nuk duhet të kursesh. Sepse si është ajo është edhe shoqëria jonë dhe shëmbëlltyra jonë. Aty nis dhe mbaron dinjiteti publik i çdo shqiptari.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/