Foto Ilustruese
Kur e gjithë Shqipëria kishte mbërthyer sytë pas ekraneve, në çlirimin dhe euforinë e pas miratimit të reformës në drejtësi, kur mediat po kërkonin të gjenin se kush kishte fituar dhe kur deputetët e opozitës e braktisën sallën, në parlamentin shqiptar u pa se kishte kaluar një ligj fantazëm. Pa bujë dhe pa zhurmë.
Në fakt duhet të ishte e kundërta. Qeveria Rama që nuk i ka siguruar dot vendit asnjë investim serioz në këto tre vite, madje që po shquhet për largimin e investitorëve të mëdhenj, duhet ta shpallte lajmin me bujë dhe hare. Rilindësit që janë të aftë ta shesin sapunin për djathtë, duhet të brohorisnin një fitore së paku po aq të madhe sa votimi i reformës në drejtësi: hapjen e dritës jeshile për një investim prej 5 miliard dollarësh.
Shifra është marramendëse. Për të kuptuar rëndësinë e saj mjafton të përmenden vetëm dy fakte: bëhet fjalë për një investim më të madh se gjysma e prodhimit vjetor vendas, ose gati sa gjithë investimet e huaja më vend gjatë 7 viteve të fundit
Por gjithçka u kalua në heshtje dhe pa bujë.
Pyetja është përse?
Këtë pyetje e ka shtruar edhe media online Exit.al e cila ka investiguar për çudinë e në porti madhështor në Karpen të Kavajës.
Përfundimi që ajo nxjerr është i frikshëm.
“Kompania ‘Star Bridge Port Developments Limited’, është një kompani që ekziston vetëm në sirtar — një shoqëri që ka adresë një kuti postare, e cila në Mbretërinë e Bashkuar blihet për pak qindra paundë nga shoqëritë juridike që krijojnë mijëra kompani të tilla të gatshme. Ajo është themeluar me një kapital minimal prej 100 paund nga dy ortakë të cilët më 26 korrik 2016 ia shitën atë një shoqërie në Singapor, të quajtur One Gate PTE ltd, e cila është gjithashtu një tjetër kompani e regjistruar me adresë një kuti postare. Për kompaninë singaporiane nuk ka më asnjë të dhënë tjetër. Pra, kemi të bëjmë me një model kompanish që kontrollohen nga kompani offshore”.
Pikërisht kaq të dyshimta janë “letrat” e këtij biznesi fantazëm që ka marrë përsipër të ndërtojë një port të rrethuar me një zonë ekonomike prej 1 700 hektarë ku do të ndërtohen një kompleks rezidencial, një impiant i rigazifikimit të gazit të lëngshëm, një termocentral, një serë teknologjike dhe në fund një akademi sportive.
Investimi me vlerë prej pesë miliardë dollar që tani njihet si projekti “Morgan” pretendon se do të krijojë 6 mijë vende pune gjatë fazës së ndërtimit, dhe 70 mijë të punësuar kur të futet në operim, mbas pesë vjetësh.
Por para se të servirë këto shifra bombastike që shoqërojnë dokumentin që shoqëron miratimin e ligjit ky projekt ka ngritur dyshime të mëdha:
Së pari a duhet vendosur ngritja e një porti shumë pranë zonës më të mbipopulluar turistike të vendit, asaj të Durrësit dhe Golemit? A nuk e vdes ky projekt përfundimisht këtë zonë ku qeveritë e njëpasnjëshme, biznesi dhe qytetarët kanë shpenzuar shuma kolosale? A nuk kemi të bëjmë këtu me një shembull flagrant të mungesës së strategjisë së zhvillimit?
Pikëpyetja e dytë madje më e madhe është: “Propozimi nuk ka asnjë studim, asnjë vlerësim, asnjë projekt që e shoqëron. Ka vetëm një premtim pa asnjë bazë, dokument apo detyrim ligjor se do të ndërtohet një port dhe zonë industriale që do të kushtojnë 5 miliardë USD.
Për të justifikuar mbështetjen skandaloze për këtë projekt në ajër, Ministri i Transporteve Edmond Haxhinasto lëshoi para Komisionit të Ekonomisë një nga deklaratat më të habitshme në historinë ndoshta botërore të investimeve, duke thënë se projekti nuk ka studim bëshmërie sepse “është e pamundur të bëhet një studim bëshmërie i përshtatshëm për një projekt kaq kompleks” shkruan Exit.al.
Dhe
problemi i tretë qëndron në faktin se ai po serviret si një projekt ku mund të ankorohen anijet e stërmëdha të tipit Post-Panamax. Por sipas vëzhgimit të Exit.al një anije post-Panamax ka kapacitet të mbajë rreth 15–18 mijë kontejnerë, ndërkohë që trafikut aktual vjetor i kontejnerëve në portin e Durrësit (rreth 110 mijë kontejnerë në vit) është i barabartë me volumin që mbajnë vetëm gjashtë anije post-Panamax në vit.
Pra pas këtyre paqartësive, mënyrës okulte sesi kaloi projektligji ngrihet një pikëpyetje: A mos vallë kemi të bëjmë me një mega mashtrim? A mos po shitet kjo ëndërr e madhe vetëm për tu falur kompanive të regjistruara me disa qindra euro 1700 hektarë zonë të lirë që parashikohet rreth portit?
Ende është shpejt të thuhet gjë me siguri. Tani për tani ka vetëm dyshime që po përbëjnë bazën e parë të një investigimi që mund të nxjerrë të papritura të mëdha. /Lapsi.al/
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/