Pas miratimit të ndryshimeve kushtetuese të enjten e kaluar, tani duhet që të miratohen edhe shtatë ligjet për institucionet e drejtësisë në mënyrë që Reforma të fillojë të funksionojë.
Prej dy ditësh po përflitet për një seancë tjetër ditën e enjte ku të miratohen shtatë ligjet, megjithëse Partia Demokratike nuk ka marrë pjesë në komisionin e posaçëm kur draftet janë diskutuar.
Për këtë arsye “panorama.al” pyeti ambasadën amerikane nëse ka një kërkesë drejtuar Parlamentit që të enjten të zhvillohet seanca e radhës për Reformën në Drejtësi.
“Shtetet e Bashkuara presin me kënaqësi miratimin e shtatë ligjeve dhe zbatimin e plotë të Reformës nëpërmjet një procesi të hapur dhe transparent gjatë javëve që vijnë”, bëri të ditur zyra e ambasadës së SHBA-së në Tiranë.
Ndërkohë, Top Channel raporton se Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë kishte kërkuar në rrugë jozyrtare miratimin e ligjit të Vettingut brenda muajit korrik për shkak se mund të digjej një fond i akorduar nga BE.
Lidhur me këtë kërkesë kreu i grupit të PD-së, Edi Paloka tha se, “Kemi biseduar me zotin Ruçi dhe kemi rënë dakord që 25 korriku të jetë seanca e fundit e këtij sesioni. Në Grupin Parlamentar të PD-së nuk ka asnjë kërkesë nga askush për të mbledhur seancën plenare”.
Ndërsa sipas Petrit Vasilit “Më 25 korrik ishte seanca e fundit për këtë sesion. Dakordësia ka qenë kjo: që 7 ligje, nuk kanë mundësi kushtetuese të kalojnë këtë sesion dhe sesioni i radhës nis më 4 shtator”, thotë Vasili.
Nga ana tjetër kreu i grupit të PS-së, Gramoz Ruçi thotë se Parlamenti nuk mbyllet asnjëherë.
“Parlamenti është gjithmonë i pambyllur. Ai është funksional në çdo kohë. Nëse ka emergjenca në korrik apo në gusht, Parlamenti mund të mblidhet në çdo kohë”, tha ai. /panorama.al/
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/