Petrit Vasili pyetet për qeverinë, përgjigjet për drejtësinë

Petrit Vasili pyetet për qeverinë, përgjigjet për drejtësinë

50
0
Shares

Pas miratimit me 140 vota të Reformës në Drejtësi dhe debatit që pasoi për një çarje në koalicionin qeverisës, kreu i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili sqaron se nuk duhet humbur kohë se çfarë ndodh me mazhorancën, por duhet përqendruar vëmendja në çështje prioritare të vendit.
Në një intervistë dhënë për “ABC News”, Vasili u pyet për çështjen e koalicionit, në se ka lëkundje të tij dhe a ka një afrim me PD…, por ai u përgjigj për reformën në drejtësi, për rëndësinë dhe domosdoshmërinë e saj…

A nuk duket marrëdhëniet brenda koalicionit janë krisur, po të përmendim qëndrimet e fundit të z. Xhafaj dhe Luan Ramës?
Luan Rama ka thënë shumë thjeshtë: Asnjëherë në qeverisje nuk duhet të jemi të kënaqur. Vetëkënaqësia është e dëmshme. Ndërsa z. Xhafaj nuk e komentoj dot, sepse është sovran në mendimet dhe opinionet e tij. Por, unë besoj se sot nuk kemi kohë për të humbur se çfarë po ndodh me mazhorancën. Por, këtu kemi të bëjmë me një çështje madhore siç është ajo e drejtësisë. Ky është një proces i cili vazhdon. Ai vetëm sa ka hedhur hapin e parë. Ky është një proces që do të kërkojë konsensuse të reja dhe mirëkuptime të reja. A do të ecim në këtë rrugë apo do të rikthehemi konfliktit? A do ta lëmë reformën të ecë apo do ta pengojmë?

Po si i gjykoni raportet në koalicion dhe me opozitën?
Nuk është Shqipëria në këtë moment për të folur për këto çështje. Ndërsa nuk duhet të lodhemi së foluri për një arritje të tillë konsensuale. Është folur për marrëdhënie Rama-Berisha, Berisha-Meta, Meta-Rama etj, por media shumë pak po i mëshon ngjarjes për miratimin me konsensus të plotë prej 140 votash të reformës në drejtësi. Kjo është një ngjarje që hap një proces. Është një ngjarje që hap një qasje të re në politikë, ku marrëdhëniet në politikë vendosen në mënyrë principiale, dhe veprimi i z. Meta u vendos midis hullive të mëdha, dhe pati deklaruar publikisht se “kam vetëm një plan A; konsensus dhe sipas Venecias”. Pra, dy principe të shëndosha; konsensusi është një domosdoshmëri jetike, pa mirëkuptim s’kemi legjitimitet dhe Venecia që është certifikuesi i këtij konsensusi.

A ka lëkundje të koalicionit dhe a ka një afrim me Partinë Demokratike?
Miratimi i reformës në drejtësi rezonoi në mënyrë shumë të shpejtë në sallën e Parlamentit. I gjithë ky konsensus u prodhua për një qetësi të madhe të qytetarëve, jo për shqetësimin e radhës. Qytetarët nuk duhet të shqetësohen. Konsensusi prodhoi një politikë më solide dhe Shqipëria është më stabël. Falë një veprimi inteligjent, u davaritën hijet e zeza të Maqedonisë. Në të kundërt, nuk do të flisnim për raportet Meta-Berisha, Berisha-Rama, Rama-Basha etj., apo kushedi se çfarë.  Duhet të fillojmë ta mendojmë atdheun tonë në një mënyrë tjetër, në një mënyrë shumë më të përgjegjshme se kaq. Siç po ndryshon politika, edhe media diçka duhet të ndryshojë, edhe në mënyrën se si qaset, por edhe në kuriozitetin e saj. Duhet të jetë shumë më kurioze për procesin që prodhoi konsensusin dhe unë do isha dakord me këtë gjë. Ju e mbani mend, po t’i kthehem kronikave të verës që shkoi, ka pasur një seri, një telenovelë shumë të gjatë, marrëdhënia Rama-Meta.

Ngaqë u përmend qeveria teknike nga z. Meta, mori shkas kjo…
Edhe kjo ishte në funksion të konsensusit. Z. Meta tha: “Çfarëdolloj gjëje që ne kemi mundësi të bëjmë që të arrijë një besim të ri dhe në qoftë se duhen mandatet qeveritare të LSI-së, edhe në qoftë duhet mandati im, por këto palë, të cilat kanë edhe votat më të mëdha duan të krijojnë një besim më të madh, do t’i vëmë në dispozicion”. Pra, është shumë e thjeshtë. Çdo sakrificë, tha Ilir Meta me forcën e tij politike, për hir të konsensusit ja vlen, sepse konsensusi është më i rëndësishëm sesa vetë reforma. Ky ishte disponimi politik i LSI-së si parti politike dhe i Ilir Metës si lider i saj, por edhe si kryetar i Parlamentit. Dhe mbi të gjitha ne stabilizuam edhe një element tjetër, që figurat institucionale duhet të jenë në radhë të parë njerëz që u prinë proceseve me elemente parimore, por njëkohësisht duhet të demonstrohen edhe atdhetarë të mirë, sepse e gjithë kjo në mënyrën se si e implementon sot, ishte një gjë në funksion të interesave të ngushta, as të Ilir Metës, as të LSI-së, por e kësaj të mire që unë e quaj konsensusi i një të mirë të përbashkët, e cila ka fitues të përbashkët, dhe shumë mirë që ka fitues të përbashkët. Është shumë mirë që çdo deputet i Parlamentit të ndihet pjesë e kësaj.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY